Adrian LulgjurajKëngëtari Adrian Lulgjuraj tregon bashkëpunimin me Bledar Sejkon dhe kë identitet kanë humbur sipas tij shqiptarët.

“Identitet” është kënga e sjellë në një bashkëpunim mes muzikantit të njohur Bledar Sejko dhe këngëtarit nga Ulqini, Adrian Lulgjuraj, që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Një këngë e rrymës rrok, e cila në momentin që u shpall fituese u përfol se mund të ishte e kopjuar, por siç thotë Adriani, “do të ishte mirë që njerëzit të merreshin me përgatitjen që do të bëhen për Eurovizion dhe jo për plagjiaturë”, sepse sipas tij ka aq kompozitorë dhe këngëtarë të talentuar sa nuk është e nevojshme të flitet për gjëra, të cilat një krijues nuk i bën. Po jo vetëm kaq, Lulgjuraj zbulon edhe disa grimca nga paraqitja spektakolare që ata mendojnë të bëjnë në skenën e Festivalit Europian.

Adrian, sapo keni fituar Festivalin në RTSH. Cilat janë ndjesitë që ju kanë shoqëruar këto ditë dhe a mendonit se do të ishit ju fituesi?

Janë ndjesi të papërshkrueshme të kem nderin të përfaqësoj Shqipërinë në “Eurovision” pas paraqitjes dinjitoze të vjetshme. Përveçse është një kënaqësi dhe një emocion, gjithashtu është edhe një përgjegjësi e madhe.

Ju nuk jeni ndër ata këngëtarë komercialë të themi, që bëjnë klipe vazhdimisht dhe befas emri juaj bëhet më i lakuari mediatikisht… Çfarë kuptimi ka kjo për ju?

Unë kam vite që merrem me muzikë dhe këndoj live nëpër clube dhe koncerte … Shpresoj ta meritoj vlerësimin duke punuar dhe duke sjellë materiale të mira në treg.

Çfarë mendon se do të ndryshojë ky çmim në jetën tuaj?

Këtë do e shohim me kalimin e kohës. Unë preferoj ta marr shtruar dhe ta shijoj çdo moment të kësaj eksperience.

U fol se kënga juaj mund të ishte e marrë nga diku tjetër pasi fituat festivalin. Cila arsye në botë do t’ju çonte të këndonit një këngë të dikujt tjetër, duke e lançuar si tuajën… Si e sheh plagjiaturën dhe vjedhjen e këngëve që bëjnë disa ‘artistë” shqiptarë?

Do të doja që këto fjalë të mos vazhdonin më tej, por të merreshim më shumë me paraqitjen tonë në “Eurosong” dhe shpresoj të kem gjithë Shqipërinë përkrah. Sa për plagjiaturat, do thosha që ne s’kemi nevojë ta bëjmë, pasi kemi kompozitorë dhe këngëtarë shumë të talentuar!

Ju jeni nga Ulqini dhe erdhët në këtë bashkëpunim me Bledar Sejkon. Si ka ardhur ky bashkëpunim?

Bledi më ofroi këtë bashkëpunimin dhe pa e dëgjuar fare këngën i kam dhënë Ok tim.

Sa orë keni punuar për këtë këngë?

Mbase mund të duket e çuditshme, por vetëm kam dëgjuar vijën melodike, kam hedhur vokalin dhe kam ikur se kisha impenjime të tjera me “The Voice”. Dmth, për gjysmë ore punë mund të them se është bërë gjithçka.

Keni pasur ndonjë dilemë gjatë kompozimit të saj?

Kompozimi ka qenë gati dhe s’kemi pasur asnjë lloj përplasjeje. Kjo mbase ishte edhe formula e suksesit të kësaj kënge.

Cilat janë detajet që e bëjnë këngën “Identitet” të denjë për të qenë ajo përfaqësuesja e vendit tonë në “Eurovizion” sipas jush?

Motivet, fuqia muzikore, domethënia e këngës dhe me modesti, shpresoj dhe performanca do jetë diçka spektakolare.

Kë identitet keni dashur të tregoni me këtë këngë?

Identitetin pothuajse të humbur shqiptar.

Dhe për çfarë identiteti kemi nevojë ne si shqiptarë?

Mirënjohje, respektin dhe besnikërinë që duhet të kishim trashëguar nga të parët tanë.

Si mendon se do të na përfaqësojë kjo këngë e rrymës rrok?

Urojmë dhe synojmë sa më mirë. Po besoj se me shumë punë do ia dalim të shprehim identitetin tonë dhe të këngës.

Pse ke preferuar të mos jesh shumë mediatik, të paktën në Shqipëri?

Kam preferuar të bëj muzikën që unë dua dhe pa shkuar drejt komerciales.

Muzika sot, sipas teje, është në krizë apo thjesht ka humbur identitetin duke u bërë më globale?

Kam përshtypjen që edhe njerëzit po kequshqehen, por  kjo periudhë tranzicioni do kalojë shumë shpejt. Gazeta MAPO

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here