Ai është pa dyshim një figurë shumë e rëndësishme televizive, me një karrierë të gjatë në ekran dhe radio e që momentalisht e gjejmë në dy formate televizive, në ekranin e “Top Channel”me e “E diell” dhe “100 milionë”.

Krasta ka një veçori si personazh televiziv, pasi vazhdimisht na ka treguar edhe pjesën e tij rebele, pak kundër rrymës, pa e vrarë mendjen për efektet që mund të krijojë në publik ose edhe mes kolegëve me të cilët punon.

Ai ka preferuar të thotë hapur nëse diçka nuk e ka pëlqyer, duke mos e lënë këtë pjesë të konsumohet diku në prapakuinta, apo në një bar ku diskutimet janë larg kamerave. A është e rëndësishme të dimë se çfarë mendon një moderator për atë çka po sjell në ekranet tona apo thjesht duhet të bëjë punën e tij, duke ndjekur një skaletë që ia kanë lënë në dorë?

Neve si publik na intereson, sidomos kur bëhet fjalë për figura të rëndësishme televizive siç është Krasta. Po nëse mendimi i tij nuk do të gjente një mbështetje dhe miratim kolektiv, a duhet thënë ai gjithsesi? Edhe në këtë rast do të na pëlqente ta dëgjonim.

Dhe Krasta e ka bërë. Me zë të lartë dhe pa më të voglin merak se çfarë efekti do të kishte dhe mbi të gjitha çfarë pasoje. Ishte Krasta që teksa intervistonte Fabricio Koronën, i tha atij në sy se nuk e pëlqente një personazh si ai, një përplasje kjo që krijoi një situatë aspak komode në intervistën që po i realizonte paparacit të njohur nga Italia.

Pyetja që i bëri opinionistit të “Fan club”, Olti Currit, pak muaj më parë “A ka gjasa që këtë Big Brother të këtë më shumë injorantë se edicionet e kaluara”, kishte si qëllim që të na përcillte mesazhin se ai nuk është dakord me famën që krijojnë këta të rinj falë një programi si “Big Brother”.

Krasta nuk e ka fshehur asnjëherë idenë e tij se për t’u bërë pjesë e ekranit, duhet të kesh disa vlera të spikatura, të jesh pjesë e një elite në një fushë të caktuar. Nuk e dimë nëse është gëzuar apo ka mbetur indiferent teksa katër banorë të këtij formati që ai nuk e pëlqen, e kanë zgjedhur atë si personazh VIP për t’i shkruar një letër.

Në përgjigjet që ai kishte dërguar, dukej qartë se i kishte ndjekur dhe kishte arritur të kapte anët e tyre të veçanta, pasi tekstet e letrave e vërtetonin më së miri këtë fakt.

E megjithatë, ai qëndron stoik në faktin se nëse nuk e pëlqen diçka, duhet ta thotë me zë të lartë, me një fjalë, gjithçka mbi ekran. Javën e kaluar Adi Krasta, teksa prezantonte “E Diell”, bëri një deklaratë që të linte pa fjalë.

Sapo filloi programi dhe sapo mbaroi anonçimi i të ftuarve, Krasta tha: “Do ta kisha quajtur këtë të diel multikulturaliste, me të ftuar nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha trevat ku ka shqiptarë nga të gjitha natyrat njerëzore të transfuzionuara nga programe të ndryshme televizive, ku kanë pa dyshim më shumë hapësirë.

Jemi bërë një televizion i të gjithë shqiptarëve dhe pa asnjë lloj përjashtimi, ama dhe për këtë do të doja të thosha se më vjen mirë, por nuk… Sidoqoftë. e diela është për të gjithë, këto janë vendime të mirëfillta teknike, editoriale”.

Pra, nga fjalët e Krastës duket qartë se autorët e programit që në këtë rast janë Armend Rexhepagiç dhe bashkëshortja e tij Aida Baraku bëjnë një zgjedhje që atij nuk i pëlqen. Tani nuk e kuptojmë, Krasta nuk preferon që tek programi i tij të ftohen personazhe që janë më së shumti nga Kosova apo disa individë të caktuar që përzgjidhen nga autorët?

Por një gjë ai e tha qartë, nuk është dakord me linjën editoriale të programit, nuk është dakord me faktin që nuk ka filtra të fortë në përzgjedhje, pra që nuk ka përjashtime sipas tij.

Kushedi sa e vështirë duhet të jetë për një moderator karriere si Krasta të vihet përballë personazheve që ai nuk i pëlqen dhe t’u japë atyre kohën televizive me pyetjet që u drejton, pra në njëfarë mënyre edhe t’u shërbejë.

Së fundi, duhet thënë se me kaq sa na ka pohuar vetë Krasta, në karrierën e tij televizive ai po akumulon ditë mbas dite një arsenal të tërë intervistash me personazhe që sipas tij nuk…nuk i pëlqen pra./Panorama Plus/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here