Njoftimi ynë ishte shumë spontan. Takimi i parë ishte në Prishtinë dhe mund të them që kurrë në jetë nuk e kam imagjinuar këtë lidhje të jetë aq e bukur dhe  kaq spontane, të tjerat  do të doja t’i mbaja për vete me gjithë respektin që kam për lexuesit.

“Kosova Sot”: Së pari ju urojmë për fejesën?

Adelina Thaçi: Ju falënderoj për urimet.

“Kosova Sot”: Pa dyshim se edhe lexuesve tanë do t’u interesonte të dinin më shumë për të fejuarin tuaj?

Adelina Thaçi: Tani unë si tip nuk flas shumë për jetën time private dhe shumë herë e kam potencuar. Sa i përket të fejuarit tim në gazeta të ndryshme e kanë identifikuar, ngase nga shkrimet e kanë njohur dhe kanë treguar pak a shume për të. Ai është Bardhyl Metaj dhe me profesion është eseist-publicist.

“Kosova Sot”: Na tregoni si jeni njohur me të fejuarin tuaj dhe ku?

Adelina Thaçi: Njoftimi ynë ishte shumë spontan. Takimi i parë ishte në Prishtinë dhe mund të them që kurrë në jetë nuk e kam imagjinuar këtë lidhje të jetë aq e bukur dhe  kaq spontane, të tjerat  do të doja t’i mbaja për vete me gjithë respektin që kam për lexuesit.

Pa plane për martesën

“Kosova Sot”: Të gjithë janë kureshtarë të dinë se si dashurohen VIP-at, kur dihet se gjithmonë jeni nën vëzhgimin e gazetarëve. Në fakt, sa kohë e keni mbajtur të fshehur lidhjen e dashurisë?

Adelina Thaçi: Ne jemi njohur më parë, por meqë Bardhi jetonte në Cyrih të Zvicrës, natyrisht nuk ishte sikur të jetonim në të njëjtin vend, dhe pasi vendosi të kthehej në Prishtinë, atëherë lidhja filloi të bëhet më intensive dhe e kurorëzuam me fejesë.

“Kosova Sot”: Ajo që dimë është se i fejuari juaj jeton jashtë Kosovës, a do të thotë kjo se në të ardhmen edhe ju do të jetoni jashtë Kosovës?

Adelina Thaçi: Bardhi ka jetuar deri para tre muajve jashtë dhe tani kemi planifikuar të jetojmë në Kosovë, për më vonë nuk e dimë as ne.

“Kosova Sot”: Është e natyrshme që t’jua bëjmë pyetjen se a keni planifikuar martesë dhe kur?

Adelina Thaçi: Nuk kemi planifikuar ende për martesën, duam ta shijojmë pak fejesën, ta shohim si do të rrjedhin gjërat.

“Kosova Sot”: T’i kthehemi tani muzikës. Gjithmonë jeni vlerësuar për zërin dhe talentin që keni si këngëtare, mirëpo kohët e fundit pak bëni këngë, pse?

Adelina Thaçi: E kam thënë disa herë dhe e them prapë, unë nuk e kam dhe nuk e shoh të domosdoshme që të jem gjithë kohës në TV dhe duke bërë këngë të reja, ngase unë përveç asaj kam aktivitete të tjera që kanë rëndësi e përkushtim, që tani mua më tërheqin gjëra më sfiduese. Natyrisht nuk është kushedi se çka po ndodh në skenën tonë muzikore, por angazhimet e mia për muzikën kanë qenë, janë dhe do të jenë preokupimi im, por s’do të thotë që çdoherë me klipe apo këngë. Kam edhe klasiken, pastaj gjëra interesante të tjera, të cilat me kohë do të shpalosen.

Angazhime për festat e fundvitit

“Kosova Sot”: Në festivalet që janë mbajtur deri tani nuk keni marrë pjesë. Do të thotë kjo se për momentin keni hequr dorë nga festivalet?

Adelina Thaçi: Jo, nuk kam hequr dorë, vetëm se unë kam njëfarë taktike timen, që ndonjëherë s’e shoh të arsyeshme të marr pjesë dhe gjatë asaj kohe bëj diçka që po ashtu ka të bëjë me muzikën, vetëm se me një formë tjetër. Festivalet tona tanimë janë të njohura si fenomen që janë sa për t’u promovuar, i mungon ai sharmi i dikurshëm dhe adrenalina e garës, e cila tani s’ekziston, ngase tashmë janë përzier këngëtarë e manekine, të cilat marrin çmime dhe i kushtojnë dukjes më shumë. Kjo mua nuk më tërheq dhe aq shumë, por meqë kemi këto që kemi, mundohem të marrë pjesë, por jo shpesh.

“Kosova Sot”: Dimë që jeni e angazhuar edhe si profesoreshë e muzikës. Ju pëlqen puna si profesoreshë dhe a do të bëni këtë punë edhe në të ardhmen?

Adelina Thaçi: Po, unë punoj profesoreshë, por në të ardhmen nuk mendoj të vazhdoj me këtë punë, sepse kam plane të tjera.

“Kosova Sot”: Tash po u afrohemi festave të fundvitit. Do të mund t’ju shohim me ndonjë këngë apo edhe klip të ri?

Adelina Thaçi: Për festat e fundvitit kemi angazhimet tona, nëpër TV-të tona, ku kanë organizuar një program festiv që do të ketë besoj këngë të ndryshme të përzgjedhura nga më të njohurat, pastaj koncerti i Filarmonisë dhe Operës së Kosovës, ku do të ketë një koncert festiv. Sa i përket këngës dhe klipit të ri do të jetë pas festave, sepse do të jem më e lirë në disa gjëra dhe do të kem kohë pak më shumë për të punuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here