Adelina Ismaili, ose këngëtarja e afirmuar edhe në shkallë ndërkombëtare, ka kohë që është bërë idhull i shumë njerëzve pa dallim moshe gjinie dhe përkatësie.

Ajo, me konsekuencë deri në fanatizëm po i realizon synimet në lëmin e muzikës, duke prekur edhe majat e saj. Origjinaliteti, zëri, repertoari, sharmi skenik dhe sinqeriteti e bëjnë Adelinën të adhuruar dhe të vlerësuar. Një nga virtytet e saj është edhe modestia dhe të qenmit falënderuese.

Suksesin e saj ajo ia dedikon Zotit, punës, familjes, përkrahësve dhe adhuruesve të saj të shumtë.

Arti i saj muzikor po shijon madhështinë dhe krenarinë, Adelina ky yll polar, po shndrit vezullueshëm kudo që paraqitet ajo. Karriera e saj e ndërtuar me mund e sakrificë, por edhe me shumë dashuri, duket se nuk do të ketë kufi.

Fama e Adelinës po rritet përditë e bashke me të po merr shkëlqim dhe po shndrit edhe arti muzikor si një art suprem dhe elitar. Prandaj, nuk thuhet kot se pa muzikë jeta do te ishte e varfër, e vakët, kurse kush këndon nuk mund të mendojë keq. Adelina, me pozitivitetin e saj i ka krijuar vetes një lapidar fame e madhështie, qe do t’i shërbejë si udhërrëfyes krenarie.

E mbarështroi: Shaqir Foniqi

Telegrafi: Ja rasti që sërish t’iu intervistojmë për të kuptuar se çka ka arritur në ndërkohë Adelina Ismaili në lëmin e muzikës në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Adelina, po e fillojmë me aktualitetin, çka ka të re në botën tuaj artistike dhe private?
A. Ismaili: Në jetën private gjithçka është siç është tash një kohë, e lumtur sa s`thuhet. Në lëmin artistik jam duke përgatitur album internacional, por edhe shqiptar, ku do ndërthuret muzika shqiptare me trendet perëndimore. Jam duke u përgatitur për Festivalin Internacional të Klipit në Francë ku jam përzgjedhur para pak kohësh dhe për rolin e vështirë që më është besuar si anëtare jurie në Miss dhe Mister Zvicra frankofone 2012. Me një fjalë, kam 12-13 orë punë në ditë.

Telegrafi: A ka më shumë punë apo talent te ju?
A. Ismaili: Thonë që diku 3% është talenti te njeriu, 97% e më shumë puna për ta kultivuar një talent që e fal Zoti tek një qenie njerëzore. Edhepse veten e quaj përtace të madhe, besoj që asnjë talent nuk mund të plasohet pa shumë punë, mund e sakrificë. Te gjithkush, edhe tek unë më shumë punë.

Jeni artiste që i jeni futur skenës që në moshë të re, duke bërë që për pak kohë të bëheni idol nga të gjitha gjeneratat. Tash pas kaq shumë vitesh, kur shohim videot e tua, vërehet qartazi se te ju përveç shpirtit tuaj artistik fshihej edhe shpirti juaj revolucionar. Performanca, energjia pozitive, loja skenike, intervistat aq të guximshme dhe këngët tua, janë diçka që të bien në sy që në momentin kur sheh vogëlushen Adelinë…Ti si ndihesh kur i sheh ato video? Cili është reagimi juaj i parë? Të përshëndes nga thellësia e shpirtit tim duke të uruar çdo të mirë në jetë… Me shumë dashuri, adhuruesja jote Elmedina Ademi.
A. Ismaili: Habitem si kishte mundësi që aq e re të kisha ato ide. Kam ndjenjën që gjeneratat tona ishin shumë më moderne sesa këto tash, kurse të prindërve tonë më modern sesa ne vet. Më duket se po të realizoja ato ide tash, do më gurëzonin hahaha. Kujtoj si improvizoja skenografi me gjëra shtëpie, duke u ruajtur nga milicia serbe në çdo hap, punonim me kamera dore që tash as në muze nuk i gjen. Krenohem që kam guxuar dhe më vjen keq pse nuk kemi qenë shtet që të mos lejohet të përfitojnë matrapazët nga gjithë ajo punë. Në përgjithësi ndjehem mirë në raport me veten. Reagimi i parë qesh shumë kur i shoh, posaçërisht me hedhjen e rrobave në publik që si fëmijë e mendoja si një dhuratë për publikun. E dashur Elmedina, prano përshëndetjet e mia dhe falënderimet më të sinqerta.

A keni qenë e lazdruar (çapkëne), a keni bërë probleme? Cilat këshilla të nënës iu kujtohen sot?
Me respekt dhe konsideratë, Rinushja.
A. Ismaili: Jo, edhe pse duket ndryshe hahahahaa. Thonë që kam qenë më e urta nga fëmijët e familjes, po flas për fëmijërinë e hershme. Nëna thotë që po të mos ishte ushqimi që e kërkoja çdo orë, nuk do dinte a jam aty apo jo, hahaha. Kur jam nisur në shkollë, sikur çdo fëmijë dhe unë kam pësuar një ndryshim. Nuk kam ngacmuar e para kurrë, por nëse më kanë ngacmuar, kam kthyer shumëfish. Çdo këshillë e nënës më kujtohet, ajo më këshillon edhe sot e kësaj dite. Do përmendja dy që i kam si lajtmotiv në jetë: ”Bëj për tjerët atë që dëshiron tjerët të bëjnë për ty” dhe “Respekto vetën nëse do të jesh e respektuar nga tjerët”.

Ka një kohë që ju keni kaluar kufijtë nacional dhe po bëni emër në Evropë, sidomos në Zvicër dhe në Francë. Pse e morët këtë hap për të shkuar jashtë? Ju duket se këtu nuk ju kanë çmuar sa duhet dhe ku kanë hyrë në hak?
Drilon Thaçi.
A. Ismaili: Erdha që të ikja nga karriera dhe të jetoja për pak kohë një jetë normale. Asgjë rreth meje më nuk ishte e vërtetë dhe thellë brenda e dija që askush nuk ka të drejtë të më shkatërronte mua dhe familjen vetëm pse jam kjo që jam. Doja të dija kush ishte gabim, dhe deshi Zoti e morra vesh shumë shpejt. Nuk planifikoja asnjë lloj karrierë, por koncertin të cilin e kisha planifikuar të fundit në jetë, ma kërkoi MediaMarkt ta regjistronte dhe ta hidhte në shitje. Pas suksesit të shitjes, ndryshoi gjithçka dhe vendosa të vazhdoj edhe pak, presioni nga fansat rritej çdo ditë. Publiku më ka çmuar në masën më të lartë të mundur, por “të mëdhenjtë” dhe censurat, sabotimet, bojkotet, shpifjet kishin arritur kulmin. Duhej të bëja zgjedhjen, dhe e bëra.

A iu është dashur shumë mund që të thyeni kufijtë dhe paragjykimet, të cilat kanë mbretëruar dhe vazhdojnë të mbretërojnë për ne, jashtë?
Loriana Fona
A. Ismaili: Fatkeqësisht, ka pasur dhe eksperienca të tilla. Jo shumë, por ka pasur. Ishte e vështirë që e para të filloje të dëshmoje që kemi art, kur vjen pas 22 vitesh nga një vend i cili njihet ndryshe këndej. Tash habitem si kisha vullnet që t’i detyroja të gjithë ata me të cilët punoj të merrnin vesh sa të çmuar e kemi lëminë muzikore. Nuk kam preferuar të flas për vështirësitë asnjëherë, sepse para 3 vitesh do keqkuptohesha nga shqiptarët e mi. Por tash kur kanë filluar të korrin suksese dhe tjerë këndej, imazhi për ne shpresoj të përmirësohet. Shpresoj që ne të arrijmë ta përmirësojmë.

Përshëndetje, këngëtarja e zemrës sime. Kohët e fundit, projektet tua kanë depërtuar fuqishëm edhe në tregun evropian, ku po lëni gjurmë të pashlyeshme në një konkurrencë kaq të madhe. Kjo na bën krenar neve adhuruesve tuaj duke rritur famën tuaj dhe krenarinë tonë. Nuk ka dyshim se emri juaj tashmë po skalitet me germa të arta në arealin muzikor. Edhe një herë keni dëshmuar se ju nuk jeni këngëtare e rastit por një artiste e lindur e skenës. Të çmoj dhe të dua, pambarimisht Elmedina Ademi.
A. Ismaili: Kur më kthyet në skenë para atyre katër vitesh, isha e frikësuar se nuk do arrija të përmbushja atë që prisnit nga unë. Fati më dha një shans t`ju bëj krenar me veten tuaj, që përkrahët një njeri që iu do dhe jetën e bën me ju. Sukseset e mia janë produkt i kësaj dashurie që kam me ju, dhe jemi 26 vite bashkë. Nuk ju quaj fansa, ne tashmë jemi familje të cilën nuk e ndan asgjë. Sukseset janë tuajat. Posaçërisht për videon që ju fansat bëtë nga të gjitha trojet shqiptare me rastin e datëlindjes sime. Ishte dhurata më e çmuar në jetën time dhe nuk mund t’i ndalja lotët e gëzimit kur e shikova. Është diçka që nuk më ka ndodhur kurrë dhe e ruaj si margaritarin më të çmuar. Ishte kulmi vet dhe gëzohem që kam rastin t`ju falënderoj që të gjithëve. Edhepse pres shansin kur mirënjohjen time do ta shpreh me vepra, dhe jo vetëm fjalë. Jam njeriu më fatlum në botë, sepse kam fansa si ju.

Cili këngëtar apo bend ka patur ndikim në formimin tuaj kur keni qenë e re?
B. Graiçevci, Alma Barbullushi
A. Ismaili: Kontakti im i parë real me muzikën ishte kur fillova shkollimin muzikor dhe ndikimi më i madh në mua është jeta dhe vepra e Mozartit. Si njeri i cili tmerrësisht u gjykua dhe sabotua nga muzicientët e oborrit mbretëror, u adhurua nga populli pafundësisht, theu shumë rregulla të muzikës klasike dhe jetoi jetën për qejfin e vet, mbetet një influencë e lartë edhe në meloditë e tij aq të pëlqyeshme. Më pëlqente më vonë dhe Madonna e cila gati çdo këngë e ka hit qysh nga fillimi i karrierës dhe imazhi i saj që tregon se arti është diçka që kërkon lirinë absolute dhe asnjë lloj censure. Kisha dhe periudhat kur pëlqeja Jim Morrison apo Nirvana. Pastaj grupi Prodigy. Dikur dëgjoja me pasion dhe Run Dmc deri më vonë tek Eminem. Përgjithësisht muzicientë që krijuan për qejfin e vet, i duan të gjithë, nuk çanë kokën për censurat e kohës dhe janë në histori. I dua ata që janë rebel të mençur muzikor dhe vënë veprën e vet mbi kohën, vendin dhe mendimet e tjerëve.

Telegrafi: Sa ka intelektualizëm në mesin e estradës sonë?
A. Ismaili: Ka njerëz që guxoj t’i quaj intelektual të vërtetë, por janë të paktë. Kryesisht kemi të bëjmë me njerëz që mund të quhen gjysmë analfabetë. Kjo është dëshpëruese dhe vërehet ndjeshëm në intervista. Kjo shpjegon dhe pse kemi shumë thashetheme në shtypin rozë, e pak intervista në revista apo emisione prestigjioze. Dhashtë Zoti që askush mos të bëj një test diturie mes këngëtarëve tonë dhe atyre të huaj. Edhe nëse bëhet, ti zgjedhim tonët fshehtas, hahahaha. Ngritje më të madhe intelektuale shoh në lëminë e gazetarisë, edhepse tek ne mbetet profesion jo i çmuar sa duhet.
Edhepse gazetarët i kam “armiqtë më të dashur”, sepse shpesh habitën dhe na fusin të gjithëve një thes, me përgjegjësi të plotë them që, momentalisht, aty kemi njerëz më të ngritur sesa në skenë.

Telegrafi: Po të kishit mundësi a do t’ua ndalonit ndokujt që të këndonte?
A. Ismaili: Askujt. Atë gjë guxon ta bëjë vetëm publiku. Unë nocionin demokraci e kuptoj dhe jetoj në kuptimin e plotë të asaj fjale. Ndoshta do e ndaloja transmetimin e këngëve të përkthyera nga serbishtja, greqishtja dhe turqishtja. Për të shpëtuar melosin e pastër shqiptar.

Nëse do t’ju jepej mundësia që të bënit një duet me Viktorin (UniKKatiL) ose me Besnikun(2po2), a do ta pranonit një ftesë të tillë?
Fejzullah Ahmeti, Agron Daka.
A. Ismaili: Do kërkoja përgjigje nga fansat. Do kërkoja të bëjnë një sondazh dhe me vendimin e tyre do pajtohesha. Kam katër vite që urdhrat i marr vetëm nga ata.

Si jeni ndjerë kur adhuruesi juaj, këngëtari i ri Albert Pestisha, ua ka kushtuar juve një këngë?
Alberti

A. Ismaili: Nuk di ta shpjegoj, është një gjë që më bën të krenohem aq shumë saqë nganjëherë mendoj “A ka ndodhur vallë përnjëmend?” Unë po kërkoj forma të pafundme që ta shpërblej admirimin e Albertit të cilin fatkeqësisht nuk e kam takuar kurrç, por çdo dhuratë për këtë këngëtar të ri më duket e vogël. Nuk është aq e thjeshtë të përballesh me adhurim të tillë dhe unë dua që Alberti të jetë krenar me mua gjithë jetën. Është ndjenjë e pashpjegueshme të kesh një këngë kushtuar ty dhe, lutem që Alberti të jetë krenar me mua gjithmonë.

Si adhurues i yti, më intereson të di se si ndihesh kur edhe pas 25 vjetëve në skenë, adhuruesit tuaj janë të emocionuar, madje edhe të përlotur duke kërkuar takim me ty? Çfarë ndjenje është kjo për ju?
A. Ismaili: Çdoherë ndjehem sikur herën e parë. Çdo dalje në skenë është e para. Emocionohem shumë dhe mundohem të fsheh lotët kur shoh fansa që qajnë. Flas shumë dhe thjeshtëzohem në nivelin më të mundur që të më përjetojnë sa më normalisht që është e mundur. Mundohem të normalizoj gjendjen. Bëj gjithçka në fuqinë time që të ndjehen mirë dhe të harrojnë Adelinën këngëtare. Është një ndjenjë pas së cilës i thua vetës: ”Nuk më duhet më shumë nga Zoti”. Nuk aktroj një VIP mendjemadhe që gjoja dikush ia paska me borxh admirimin, por as nuk u vardisem false. Jam vetja dhe nganjëherë nuk arrij të kontrolloj situatën dhe as vetën. Ndjenjat janë hyjnore, është vështirë të arrish t’i nderosh barabartë. Pastaj, me ditë të tëra jam nën efektin e atij eksplodimi dhe mendoj sa fatlume jam.

Pyetja tjetër. Përveç popullit dhe familjes që të kanë përkrahur gjithmonë dhe të kanë mbetur besnikë, sa jeni e kënaqur me mbështetjen e institucioneve të Kosovës?!
Ju përshëndet Dardan Krasniqi nga Malisheva, adhurues i përjetshëm.
A. Ismaili: Përshëndetje Dani, tani e pash që je ti. Të falënderoj nga zemra. Nuk kam kurrfarë ndjenjë për asnjë institucion kosovar. Kurrë nuk kam kërkuar, por kurrë as nuk më kanë dhënë asgjë. Kam shpërblimet për punën time nga Ambasada Amerikane dhe Presidenca Rugova, kam dhe shumë falënderime, dekorata, mirënjohje, etj., nga shoqata të ndryshme jo institucionale, të cilat nuk i kam bërë publike kurrë. Do t’i bëj një ditë dhe ka të tilla që vërtet do habisnin struktura të ndryshme. Nuk kam vrapuar pas institucioneve, admirimi i audiencës për mua është çmimi më i lartë që një artist mund ta fitojë. Shkurt, asnjë institucion nuk më ka përkrahur në asnjë projekt. E kundërta, ka ndodhur të vjedhin projektet e mia dhe t’i prezantojnë sikur të vetat, hahaha. 4 vite me radhë kam prezantuar projekt në një medium dhe doja vetëm të më lejohej transmetimi, të gjitha shpenzimet i merrja përsipër vet. Më është refuzuar, më është vjedhur ideja, skenari, skenografia, të gjitha dhe i janë dhënë një këngëtareje tjetër. Isha totalisht e thyer. Por tash kjo është prapa meje, larg, nuk më lëndon më.

Tash që keni depërtuar dhe jeni larguar jashtë Kosovës, a iu mungon publiku i Kosovës dhe a mban lidhje me ta? Historian Hekuri, nga Peja.
A. Ismaili: Ka vetëm një vit që s`kam kënduar në Kosovë, mendoj që nuk është mungesë e gjatë, edhepse nga fansat po përjetohet si shumë e gjatë. Në kontakt me fansat e mi jam gjithmonë, në mënyra të ndryshme. E vetmja gjë që nuk mund ta ofroj është shfaqja ime në televizione. Nuk mund ta arrij, prandaj mundohem në forma të ndryshme ta kompensoj, qoftë me intervista të shkruara, apo koncerte, informoj fansat për çdo gjë, etj. Gjithsesi, më mungon publiku im kosovar, këtë nuk mund ta mohoj dhe dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që erdhën në Ulqin vitin e kaluar, enkas për koncertin tim. Nga zemra faleminderit që udhëtuat, shpenzuat, u kënaqëm bashkë atë ditë dhe atë mbrëmje.

Keni deklaruar se u është dashur vetëm një minutë që të dashuroheni. Kaq e thjeshtë është kjo?
Goneta Gashi nga Prishtina
A. Ismaili: Varet në kënd dashuroheni. E kam thënë figurativisht dhe jo literalisht, sepse nuk kam lëshuar kronometrin të maste kohën për sa do dashurohesha, hahaha. Ndoshta ka qenë një sekondë, ajo sekonda magjike kur në shpirtin e një femre ndritët gjithçka. Dashuria e vërtetë asnjëherë nuk mund të jetë e komplikuar. Komplikimet ndodhin tek njerëzit që nuk janë të sigurt në vetën dhe ndjenjat e tyre. Po e dashur Goneta, dashuria e vërtetë ndodh menjëherë ose, kurrë.

Dhurata është diçka e shenjtë (madje e dëshiron edhe mbreti). Ju, çka i keni dhuruar për herë të parë të dashurit tënd?
Besim Fetahu
A. Ismaili: Puthjen në faqe…Dhuratat materiale, siç janë orët, veturat, këmishët, etj., nuk i konsideroj dhurata të vërteta, për mua mbeten gjëra që një ditë dalin nga funksioni. Ndjenjat, respekti,mirëkuptimi dhe të gjitha ato gjëra që sot nënçmohen aq shumë, për mua janë dhurata të vërteta. Nëse insiston, ok, ja përgjigja. Ishte një orë dore, Rolex.

Thuhet se femrat dashurojnë me zemër, po meshkujt…?
Agrina Dervishi, Durrës.
A. Ismaili: Edhe meshkujt kanë zemër. Ndarjen gjinore nuk e kam përjetuar kurrë në masën ekstreme. Jam rritur dhe edukuar në një rreth ku femra dhe mashkulli konsiderohen të barabartë. Ata që dashurojnë pa zemër, nuk dashurojnë. Atë soj njeriu duhet braktisur menjëherë, mendoj. Pyet meshkujt e dashuruar po nuk më besove, hahaha. Ne femrat kemi dyshimet tona dhe kjo është normale. Prandaj, duhet qenë shumë e sigurt në ndjenjat tua, që ta kuptosh çfarë do ai zotëri përballë teje. Së paku, kështu mendoj unë.

Është pak një pyetje jo gjithaq e këndshme, por dua t’ju pyes, se çka i bashkon femrat dhe meshkujt dhe a pajtoheni me një thënie filozofike hipotetike se dashurinë e shkatërron shtrati?
Ju falënderon paraprakisht, Luani.
A. Ismaili: Nuk e konsideroj pyetje të pakëndshme, gjithsesi faleminderit për kujdesin. Besoj që femra dhe mashkulli janë binom i krijuar nga një forcë më madhore se ne, dhe si të tillë mund të kenë shumë gjëra të përbashkëta. Edhe kundërshtitë kanë lezetin e vet, dy njerëz identik nuk besoj që do mund të funksionin normal. Është si ajo puna e shpirtit binjak që ndodh dhe nuk shpjegohet me pak fjalë. Këtë thënie filozofike nuk e mbështes, nuk e shoh si të qëlluar. Shtrati nuk është vetëm për të nisur fëmijë në të. Nëse sëmureni dhe shtriheni në shtrat, kujdesi i së dashurës suaj do përforcojë dashurinë.

Sigurisht që i doni fëmijët. Sa fëmijë të keni dhe të çfarë gjinie?
Jorina, Ryva, Drin Kryeziu, Bekim Cahani, Rea Minci.
A. Ismaili: Patjetër që i dua fëmijët, mund të quhet adhurim. E vetmja ëndërr e parealizuar në këtë jetë më ka mbetur ajo hyjnorja, të bëhem nënë. Edhe ndonjë ditë, hahaha. Që dua shumë fëmijë e kam treguar shumë herë, larg qoftë të më shkojë mendja ndonjëherë se çfarë gjinie do të jenë. I lutem fatit vetëm të jenë të shëndoshë dhe të jetojnë si ua do zemra atyre.

A mendoni se e keni arritur famën e mjaftueshme, a iu pengon fama dhe a mendoni se jeni e realizuar, apo ende jeni në kërkim të realizimit?
Bleona Fona.
A. Ismaili: Unë kam kapërcyer limitet e famës që mund ta bart. Megjithatë, 26 vite të jesh qendra e vëmendjes herë më pak e herë më shumë, është tepër. Është një jetë e tërë dhe shpesh kthehet kundër meje. A jam realizuar, kam lënë njerëz më kompetentë se unë ta tregojnë dhe nga shpirti i falënderoj ato 56 personalitete shqiptare dhe botërore që kanë dhënë mendimet e tyre për mua. Të quhem Diva në Shqipëri, Diva në Ballkan dhe Diva Ballkanike në mediume evropiane, është më shumë se famë. Karriera për mua ka përfunduar në Ditën e Pavarësisë kur çdo gjë u pa dhe u dëgjua për mua, në ditën më të shenjtë të vendit tim. Kjo që bëj tash është për të mos zhgënjyer ata qindra mijëra fansa që besnikërisht janë me mua në të mirë e në të keq. Unë jam njeriu më fatlum në botë që me dekada kam njerëz që pëlqejnë punën time, që ndjehemi si familje mes vete. Por edhe përgjegjësia ime për ta më obligon të vazhdoj, derisa të më dhënë leje që të jetoj për vetën. Ditën që kam krijuar veprën “Skenderbeu” , jam realizuar muzikalisht. Fakti që ishte 6 vite e censuruar, kurse sot cilësohet si kryevepra ime, më përforcon këtë bindje.

A mund të thuhet se e keni arritur lumturinë, apo më mirë të themi, e keni prekur kulmin e saj dhe a ekziston lumturia, sipas jush?
Hazir Hasi, Drenas.
A. Ismaili: Po, me krejt shpirtin tim them që kam kohë të gjatë që ndjehem si njeriu më i lumtur në planet. Nuk di a është kulmi apo themeli, por të bie dhe zgjohem e buzëqeshur çdo ditë, unë e quaj lumturi. Patjetër që ekziston lumturia, vetëm duhet kërkuar atje ku shpirti e ndjen. Mund të flasim për projekte, plane, biznese, klipe, suksese, etj., por ato të gjitha vijnë dhe një ditë shkojnë. Suksesi i ekzistencës sime është kjo lumturi.

Ju lumtë për atë që jeni e ndershme, e fortë dhe në momente të rënda, e papërkulur. Ecni përpara, ju vlerësoj shumë, ju admiroj dhe përherë jeni në mendjen dhe shpirtin tim.
Të fala, fat të mirë dhe shëndet nga Ardita Mikullovci.
A. Ismaili: Pafundësisht falënderime e dashur Ardita. Gjithmonë jam munduar të qëndroj mbi situatat dhe t’i shikoj nga lart, si duken. Kjo më ka ndihmuar të kuptoj që e keqja është si lotët e lavires-vjen shpejt, me zhurmë e bujë, por ikën shpejt. Gjërat e mira shihen pak, por mbesin përgjithmonë. Duhet vullnet dhe fuqi për ta fshehur butësinë dhe për të nxjerrë në pah armurën e hekurt. Kam pasur dhe fat të madh që familja ime dhe njerëzit e afërt, e posaçërisht fansat besnikë kanë qenë një përkrahje e madhe dhe mirëkuptojnë punën time, e cila duket por nuk është e lehtë. Njeriun gjithë jetën e vënë në pikëpyetje. Nganjëherë edhepse i dinë përgjigjet, këtë e bëjnë për provokim i cili në ditët e sotme mund të sjellë shumë para dhe të mira materiale. Duhet ditur kur të përgjigjesh dhe kur nuk ka nevojë. Nganjëherë përgjigja yte për të dëshmuar diçka, që është e dëshmuar shumë moti, mund të lumturojë një shpirt të fëlliqur. Njeriu i mençur e di që ka njerëz që nuk meritojnë as ofendimin. Mos i dhuro kohën tënde dikujt që nuk e meriton. Koha jote është vetëm e jotja dhe gjithmonë do të duhet vetëm ty. Të uroj çdo të mirë.

Cilat janë, sipas jush, pesë librat që duhet t’i lexoj domosdoshmërisht një femër gjatë jetës së saj?
Ditvera Kajtazi.
A. Ismaili: Femër apo mashkull,unë them që askush nuk duhet të vdesë pa lexuar: 1. Gjuha e Perëndive nga Aristidh Kola, 2. Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve (vështrim historik, folklorik, politik dhe gjuhësor) nga Aristidh Kola, 3. Dashuria në kohërat e kolerës nga Gabriel Garcîa Màrquez, 4. Kuptimi i jetës nga Alfred Adler dhe, 5. E penguara nga Ismail Kadare.

Cilin vend të botës ende nuk e keni vizituar dhe që ju ka mbetur peng?
Ju përshëndes dhe ju dua, Gazmend Heta.
A Ismaili: Ka shumë vende që nuk kam vizituar, peng më mbetet Tibeti. Do ta vizitoj patjetër, hahaha.
Falënderime të përzemërta.

Më intereson të di se çka hani më me dëshirë dhe cilën kuzhinë e pëlqeni më së shumti?
Zanmira Mehmeti, Fitore Krasniqi, Blinora Gashi, Safete Muriqi.
A. Ismaili: Asnjëherë në jetë nuk kam ngrënë diçka më mirë se steak, në Benjamin Steak House në New York, që është pronë e shqiptarëve dhe mund të ndesheni me De Niron ose Naomi Campbell që kanë futur kokat në pjatë. Por më besoni, nuk do iu lënë përshtypje ata më shumë se ai mish i skuqur aq mjeshtërisht. Kuzhina franceze nuk ka konkurrencë.

Adelina, je tepër e bukur. Të lutem, më tregoni, se çka porosisni kur gjendeni në kafene?
Fllad Dobra.
A. Ismaili: Falënderime të përzemërta për komplimentin. Çaj ose kafe, shpesh dhe ëmbëlsira me pemë.

Jeni shumë trimëreshë dhe silleni me një ego të fortë. A reagoni në çast, me instinkt apo e përdorni logjikën e shëndoshë?
Përshëndetje të përzemërta nga Gojtari, Washington.
A. Ismaili: Ju faleminderit për komplimentin. Egoja ime është një sistem vetëmbrojtjeje që më është krijuar artificialisht nga sulmet e vazhdueshme që kam pasur gjatë jetës, si pasojë e sukseseve në punë. Nuk njoh njerëz të suksesshëm me ego të dobët. Por nuk jam as frikacake. Gjyshja ime malësore, vajzë e Balshave të Shkodrës na mësonte se “Trimi vdes një herë, frikacaku çdo ditë”. Në asnjë mënyrë nuk lejoj të udhëhiqem nga instiktet, edhepse krijohet ajo përshtypje sepse reagoj shpejt dhe në mënyrë sa më efikase. Nisem nga logjika “Shpejt, pastër, sa më pak dëme”, hahaha. Bazohem në logjikën e shëndoshë gjithmonë, kurrë në jetën time s`kam ndërmarrë asnjë hap pa menduar dhe pa u konsultuar me dikë që konsideroj më të arsyeshëm. Absolutisht gjithmonë logjikoj se kush meriton reagim nga unë, megjithatë nuk shpërblej çdokënd me nënçmim të dhuruar nga unë.

Deri në çfarë mase jeni besëtyte dhe si e përjetoni nëse një mace e zezë ua kapërcen rrugën?
Doriza Roshi, Tiranë.
A. Ismaili: Nuk jam besëtyte dhe nuk besoj në ato gjëra. Një mace që natyra i ka dhënë ngjyrën e zezë dhe po ecën në punët e veta, nuk besoj që përcakton fatin tim.

Është fakt se shumë persona kanë njëfarë xhelozie ndaj jush. A i besoni magjisë së zezë? A mbami ndonjë hajmali (amulet) që iu mbron nga të këqijat?
Megzon Mehmeti, Tetovë.
A. Ismaili: Nuk besoj në magjinë e zezë, edhepse shkencëtarisht është vërtetuar që ekziston dhe mbi këtë ka shumë dokumentarë. Në trojet ballkanike thuhet që është e përhapur shumë. Por, nuk besoj dhe nuk mbaj ndonjë gjë të veçantë. Dikur mbaja një sy të kaltër simbol i fesë islame që më kishte dhuruar një kushërirë imja në Turqi, më shumë e mbaja për respekt dhe si kujtim. Por, tash kur këtë disa po e quajnë “simbol i illuminatit” e kam larguar, sepse nuk po e di më çka është çka, hahaha. Kur kam pyetur gjyshen se si largohet magjia e zezë, më ka thënë “Me një stupc të bardhë në kurriz të atij që flet abrakadabra kah ti”.

A besoni në energji pozitive dhe negative? A keni përjetuar një eksperiencë paranormale? A besoni në jetën pas vdekjes?
Envi Duni, Tiranë.
A. Ismaili: Absolutisht besoj në energji pozitive dhe atë negative dhe, kam fatin apo fatkeqësinë ta ndjej menjëherë tek njerëzit. Kjo gjë më ka humbur shumë të mira në profesion, por nuk mund të punoj me njerëz negativ për asgjë në botë. Ndjehem në siklet dhe nuk funksionoj normalisht. Nuk preferoj të flas publikisht a kam përjetuar apo jo eksperiencë paranormale. Mundohem t’i përmbahem gjërave logjike, në këto kohëra alogjike dhe nga eksperiencat e atyre që kanë pasur vdekje klinike, kam dëgjuar që jeta pas vdekjes ekziston. Mendoj që ekziston.

Sa kohë i kushtoni pamjes, kujdesit për trupin tuaj?
Përshëndetje për këngëtaren më të mirë, Lyra.
A. Ismaili: Afër 10 minuta në mëngjes, diku 20 minuta dush, 5 herë në javë not, 2 herë në javë ushtrime me valltarë, pastaj palestër dhe kick-box, 1 herë në javë masazh, ato të zakonshmet femërore pedikure dhe manikyr herë vet e herë në sallone bukurie. Përgjithësisht, për një këngëtare, shumë pak, hahahahaha. Preferoj të gërshetoj kënaqësinë me sport.

Kur do t’ju shohim sërish me gërsheta dhe a planifikoni të mbani një mega koncert në Tiranë? Nëse po, kur?
Gleni, Tiranë.
A. Ismaili: Nuk di çfarë të them për gërshetat, ka një dekadë që i kam pasur dhe nuk mendoj që do kopjoja veten. Nuk janë të modës momentalisht dhe shkatërrojnë flokun shumë. Koncerti në Tiranë do të jetë projekt që do të diskutohet pas shumë punëve që kam në shtetet evropiane pas daljes së albumit dhe me dashamirësinë më të madhe, kërkoj falje që nuk mund të jap përgjigje për datë konkrete. Por, jam krenare me fansat e mi në Shqipëri. Unë saktësisht e di që u kam hyrë atyre, bazuar në kritikat që marr pse nuk jam më shpesh atje. Por do doja të sqaroja, që një gënjeshtër e një kolegeje nga Shqipëria të cilën dikur e çmoja dhe e cila më tha që në Shqipëri më prisnin rreziqe nëse do vija, më ka lënë 9 vite pa ardhur dhe kam refuzuar çdo ftesë që më bëhej. Por, nuk kisha nga ta dija që isha e gënjyer. Tani e di që nuk është e vërtetë dhe shpresoj në të ardhmen e afërt të jem atje. Të falënderoj Gleni dhe jam krenare që kam fans si ty.

A shikoni filma dhe nëse po, cilin film do të na e preferonit?
Nijazi Shala.
A. Ismaili: Edhepse i dua filmat jashtë mase, koha e limituar më ka privuar nga kjo kënaqësi. Por, çdo natë vjedh ca kohë për të shikuar së paku një film. Preferoj “Troy” pastaj “Aleksandri i Madh”, ”Përplasja e Titanëve I dhe II”, për një arsye. Në të katër këta filma, herë pas herë në skenat kyçe shfaqet shqiponja duke fluturuar mbi troje dhe asnjë kritik filmi botëror ende nuk ka arritur të kuptojë pse është shqiponja në katër filmat më të mëdhenj të shekullit. Patjetër dhe versionin gjerman “Scanderbeg”.

A jeni në gjendje që të na tregoni, sa palë këpucë, sandale dhe kapele keni?
Përshëndetje dhe urimet më të mira, U. Tali.
A. Ismaili: Kam afër 400 palë këpucë dhe sandale edhepse nuk i kam numëruar tash e sa kohë, kryesisht janë për skenë. Nuk kam shume kapele, diku 6 ose 7 që i përdor.

Meqë jam një adhurues i flaktë i juaji, do të kisha shumë dëshirë që ta merrja një CD tuaj me nënshkrim? Atë do ta ruaja me fanatizëm si një margaritar të çmueshëm dhe të rrallë?
Ju falënderoj përzemërsisht, Orges Brahimi.
A. Ismaili: Ky është gjesti më vogël që do mund të bëja për ju dhe pafundësisht faleminderit për respektin. Nderi është imi. Uroj që Telegrafi të na mundësojë një gjë të tillë.

Keni shëtitur shumë, a do të na veçonit ndonjë ndodhi, mahi nga këto udhëtime?
Syart Halitaj, Dyren (Gjermani).
A. Ismaili: Ka aq shumë saqë vështirë të mbahën në mend. Ok, do ta tregoj një. Kur vizitova muzeun e Luvrit në Paris për herë të parë, ishin vetëm skulpturat e Greqisë Antike ato që ishin pa veshje, lakuriq. Unë e di që Greqia Antike që në fakt ishin ilirët, dhe jo grekët e sotëm që nuk dihet as nga kanë ardhur, kishte bërë revolucion artistik në atë kohë me trupin e femrës dhe mashkullit lakuriq. Por, hiqesha se nuk di asgjë. Atëherë pashë katër meshkuj, skulptura që quhet “Katër Albanët” dhe ishin totalisht pa veshje. Mora një shoqe në telefon dhe po i tregoja që pash katër meshkuj shqiptar në Luvër, ajo më pyeti: ”A të njohën?” i thash, “Jo, por ishin lakuriq dhe kishin ulur kokat poshtë” Ajo: “Oh Zot, a janë normal?!” Unë: “Aspak…Janë skulptura”, prapë ajo “Thuaju atyre budallenjve aty t’u veshin ndonjë rrobë, dhe mos i trego askujt!”.

A mund të na shpalosni ditën tuaj, çka bëni, cili është hobi juaj?
Isuf Bajrami, Yllka Bilushi.
A. Ismaili: Zgjohem diku nga ora 10 ose 11 paradite, pi kafenë dhe ha mëngjes, afër 60 minuta notoj në pishinë, shkoj në kompani ku çdo ditë kemi mbledhjen e ditës të caktojmë punët, vazhdoj në studio ku punoj 5-6 orë, ha drekën dhe vazhdoj prapë në kompani ku ose udhëtojmë diku, ose nëse nuk ka udhëtim rishqyrtojmë çka është punuar gjatë ditës, raporti ditor me agjenten time, producentët, juristët, dizajnerin, koreografin, valltarët, agjentin medial, pastaj kontakti me zëdhënësën, bashkëpunëtorët në shtetet tjera, gazetarët, etj., vazhdoj në studio apo ushtrime me valltarë, pastaj darka, prapë ushtrime ose studio deri nga ora 1 ose 2 e mëngjesit, shikoj ndonjë film, lexoj dhe gjumë. Nëse kthehem më herët, kinema, teatër apo ndonjë ekspozitë e re. Hobi im, në ditë të lira që ndodhin një here në dy-tre muaj, shkruaj ose pikturoj.

Telegrafi: A keni kohë të lirë, për kohë të lirë?
A. Ismaili: E gjej, koha është e imja. Kam lirinë ta shpenzoj kohën e lirë për punën që dashuroj.

Telegrafi: Si duket, koha nuk ka kohë, për të na dëgjuar…
A. Ismaili: Koha ka shpenzuar vetën duke na mbrojtur nga vetja…

A ndjeni njëfarë barre që ende nuk keni një diplomë të shkollimit të lartë? A mendoni në këtë drejtim?
Donjeta Balija.
A. Ismaili: Kam shkollim të lartë. Kam të mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura-drejtimi Pedagogjik, seksioni piano. Jam duke mbaruar dhe vitin e dytë në Fakultetin Juridik. Ndjej një barrë dhe shpesh mendoj pse nuk kemi më shumë njerëz, posaçërisht femra të shkolluara që do na bënin krenar me veten para botës dhe do mësonin në shkollë që “xhelozia është e vetmja barrë që e mbajmë pa asnjë arsye” thënë e shkruar nga Nietzche.

Cila këngë ju rrëmben, cilën e dëgjoni më me afsh dhe a ka ndonjë këngë që ua nxjerr lotët?
Idila, Podgoricë.
A. Ismaili: Më rrëmben dhe e dëgjoj me afsh “Nothing Else Matters” nga Metallica. Hmm, nuk mbaj në mend kur më ka nxjerrë lotët një këngë.

E dashura Adelinë, kënd do të dëshiroje ta njihje dhe të cilin ende nuk keni patur rastin ta takoni.
Përshëndetje, Alushi.
A. Ismaili: Përshëndetje i nderuar. Është Hans Zimmer, kompozitor i muzikës klasike, një ndër më të shquarit të shekullit tonë.

Cila është thënia më e bukur që e keni dëgjuar?
Shefqet Murtezi, Rudin Domi.
A. Ismaili: “Jeta është komedi në sytë e Perendive, qesh dhe kënaqu si Perëndi”.

Keni afinitet për ndonjë sport dhe cilin sport e pëlqeni?
Endrit Selimi, Hajrush Krasniqi, Kron Bajraliu, Besa Lymezi, Gzim Maloku.
A. Ismaili: Më pëlqen dhe e luaj jo keq basketbollin, më pëlqen dhe futbolli shumë, por nuk e luaj. Ec e këndo me këmbë të nxira pastaj, hahahaha.

Më intereson se, a e keni pyetur ndonjëherë veten, se “çka do të bëja po të mos isha këngëtare (dmth kjo që jam)”?
Hektor Sula, Peshkopi.
A. Ismaili: S`kam pyetur sepse e di, hahahaha. Zoti më ka dhuruar një dhunti për muzikën dhe nuk besoj që fati im do ishte shumë më ndryshe. Patjetër që do isha diçka në lëmin e muzikës. Nëse do përgjigje më të thjeshtë, që shuan kuriozitetin e thjeshtë, atëherë sigurisht aktore. Nëse jo aktore, atëherë juriste.

Sikur të kishit mundësi, çka do korrigjonit nga jeta dhe çka do ta fshinit, tërësisht?
Sokol Imeraj, Olm (Luksemburg)
A. Ismaili: Asgjë. Jeta ime është një eksperiencë e cila më ka dhënë çdo të mirë që e gëzoj sot. Ndoshta, po të kisha patur mundësinë, do ktheja kohën dhe do vija gjatë luftës së Kosovës në ndonjë shtet perëndimor, për një jetë më të mirë siç kanë bërë shumë. Por, dashuria ime dhe e familjes për Kosovën ishte mbi normale dhe nuk e bënim dot. Ndoshta prapë nuk do ta bëja, hahaha. Më pëlqen jeta kështu siç e kam, sepse kështu ia di vlerën çdo sekonde time.

A mendoni për fundin e karrierës dhe çka do të bënit pas saj?
Besir Memedi (Gostivar),
A. Ismaili: Karriera për mua ka përfunduar me14 shkurt 2007, kur pas 22 viteve të gjata populli më dha notën e vet atë natë të shenjtë për Kosovën. Që nga ajo ditë, e bëj për fansa të cilët edhe në shtëpi me vinin me lule, dhurata, lot në sy që të mos ndaloja këndimin. Ata janë rritur me mua, e unë me ta. Çdo gjë që bëj, e bëj që ata të ndjehen krenar dhe të lumtur. Nuk është lehtë të bartësh përgjegjësi për kënaqësinë e 242 mijë shpirtrave vetëm në një rrjet social që i kam. Përndryshe, nuk besoj në fund, ekzistojnë vetëm fillimet. Edhe nëse nuk është zëri im, këngën time gjithmonë do ta këndojë dikush. Dhe unë do të jem aty që t’i gëzohem. Pas shumë kohësh kam kuptuar që nuk mund ta braktis muzikën, edhe nëse e ndryshoj nga këndimi në komponim apo formë tjetër muzikore. Mezi pres të filloj me diçka të re, qoftë komponim ose punë me talent të rinj, qoftë forme tjetër muzikore. Këndimin s`do ta ndal kurrë. Tina Turner është 74 vjeçare dhe këndon së paku njëherë në vit. Nuk njoh jetë pa këngë. Do e bëj rrallë, por për qejf. Unë kurrë nuk e kam parë vetën si një nënë që këndon intensivisht. Për mua nuk ka asgjë më hyjnore sesa të jem një nënë, me një familje të shëndoshë dhe një profesion larg titujve të gazetave ose televizioneve, që më kënaq shpirtin.

Telegrafi: Nëse do ta pyeste Adelina, Adelinën, cila do të ishte autopyetja?
A. Ismaili: Qenka e vështirë t’i bësh pyetje vetës hahaha. Po mendohesha gjatë dhe do bëj pyetjen që më bëri një gazetare për një medium gjerman.
Shkojmë: Pyetja:”Si është të vish pas shumë viteve në Kosovë,dhe të jesh krah yjeve të shquar botëror?”
Përgjigja ime:”Jam rritur në kohë ku dritë më bënin granatat që të shkruaja tekste, përderisa mbaja dorën e djathtë me të majtën, që të mos dridhej. Më shumë kam dëgjuar ulërimat e profesorëve të rrahur nga milicia sërbe, sesa muzikë në shkollën time bodrum shtëpie në Prishtinë. Prindërit nuk më kanë mësuar cilit pasanik t’i futem në shtrat për një fustan, ose cilit producent për një emision, por nga cila dalje të ik kur futet ushtria serbe në koncert. Kur komponoja, kufjen e mbaja vetëm në njërin vesh, me tjetrin dëgjoja nga cila anë po vijnë tanket e ushtrisë. Femrat më të bukura në botë, për mua janë ato që nuk vranë veten dhe fëmijët e tyre kur i përzunë nga shoqëria kosovare, sepse patën fatkeqësinë të jenë të dhunuara nga egërsirat që na vranë rininë. Jam zhvilluar në një vend e një kohë ku tmerrit i thonë “Zotëri”, e zotërisë të vërtetë i thonë “Burrë i ligë”.
Prandaj mos më ngatërroni me asnjë yll botëror të cilave u bën dritë i tërë Los Angelesi që të shkruajnë një rresht. U këndon i tërë Harvardi që të nxjerrin një tingull nga goja. Unë kam shumë më shumë sesa ato, kam një jetë dhembje që e ktheva në sukses e lumturi. Kam dhënë më shumë se të gjitha ato bashkë, kam dhënë jetën që banonte ngjitur me vdekjen brenda një melodie të vajzës Adelinë e cila gjithmonë mundohet të buzëqesh për ju”

Telegrafi: Çka jeni duke lexuar, aktualisht?
A. Ismaili: “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare.

Telegrafi: Ju keni një diapazon të gjerë të dijës, madje nga të gjitha fushat. A mendoni se këngëtarja duhet të ketë edhe një bagazh intelektual, nëse dëshiron të jetë e pranuar në qarqet intelektuale?
A. Ismaili: Patjetër! Absolutisht, po. Këngëtari, artisti, është ambasador i kulturës së popullit të vet dhe në momentin që i hyn kësaj rrugë të madhe, por shumë të ndjeshme të artit, nuk përfaqëson vetëm vetveten. Ka dallim atraksioni dhe artisti. Edhe cirku është atraksion, por zgjat shkurt. Po të ishte e kundërta, skenat botërore do ishin të mbushura me injorantë që dinë të këndojnë. Në lagjen time kanë qenë së paku 4 jevgj që fshinin këpucët në rrugë dhe këndonin më bukur se gjysma e estradës ballkanike. Kjo nuk i bënte këngëtarë. Është obligim i artistit të reflektojë mençuri, ata që admirojnë duhet të mësojnë nga ai artist. Një vepër qoftë këngë apo videoklip, mund të ketë gjëra që nuk kuptohen me të parën, por është obligim i artistit të shpjegojë çfarë mesazhi bart. Dhe obligim i mediumit të mos deformojë shpjegimin e artistit. Nuk guxon të quhet artist dikush që nuk ka njohuri të përgjithshme. Përndryshe s`do ekzistonin shkollat. Krahasoni gjeneratat tona me gjeneratat e viteve 70, ose 60. Është për t’u qarë, ata këngëtarë kur flisnin çdo fjali ishte një mësim. Nuk është artist dikush që nuk pranohet dhe mirëkuptohet nga njerëz me intelekt. Qarqet intelektuale tek ne, në shumë raste vetëm quhen ashtu. Ose kemi injorantë që kanë blerë diploma dhe quajnë vetën intelektual kurse ne i gënjejmë që janë vërtet intelektual, sepse mund të na kryejnë ndonjë punë diku, ose kemi intelektual të njëmendtë që mendjemadhësia dhe shpirtngushtësia e tyre i bën që të dëshirosh të qëndrosh me kilometra larg tyre. Natyrisht që kemi intelektual të vërtetë dhe, të tillë i bën elokuenca e tyre dhe dëshira që dijeninë ta ndajnë me tjerët, pa ndjerë xhelozi. Por, janë të paktë, janë specie në zhdukje, janë diamantet e fundit që po shkëlqejnë në terrin e madh të intelektualizmit kosovar. Po i zhdukim ne, kemi një prirje t’i ngrisim budallenjtë. Sepse me budallain e ngritur manipulojmë si duam vet. E njëjta vlen në skenën e këngës.

Telegrafi: Dija është fuqi, është forcë, është bukuri. Pajtoheni me këtë vlerësim? A iu ka ndodhur që vlera t’iu bëhet pengesë?
A. Ismaili: Dija është gjithçka. Nganjëherë,në vend e kohë të papërshtatshme, është edhe armiku më i madh. Ështe fuqi e cila të jep forcë të arrish synimet tua. Një mashkull apo femër e ditur kurrë nuk mund të na duket e shëmtuar. Vlera mund të jetë pengesë e madhe kur tjerët nuk e dinë çfarë është. Me shekuj të tërë, Aishja, gruaja e Pejgamberit Muhamed u cilësua ‘kurvë’, sepse doli nga shtëpia dhe shkoi në fushëbetejë mes meshkujve të t’i ndihmonte burrit të saj. Askush nuk shkroi për ndihmën e saj që i kishte shpëtuar jetën Muhamedit, por për daljen e saj mes meshkujve. Maria Magdalena, një ndër njerëzit më të besueshëm të Krishtit, ishte sinonim prostitute edhe në Bibël, sepse kishte ‘faj’ që ai i besonte asaj më shumë se gjithë apostujve, sepse njihte mençurinë e saj. E pa fund shembuj në historinë e njerëzimit që një dite i quajnë lavire, pastaj i shpallin të shenjta. Hyra në temën e religjionit, që është më e ndjeshmja momentalisht, me pikë të qëllimit. Që të kthjellemi dhe të mos lejojmë t’i shpallim idiotet si hyjni, e të na vdesin njerëzit me vlera pa i dëgjuar askush. Mos i dëgjoni për ta, dëgjoni për veten tuaj, ndoshta dhe mësojmë diçka. Dhe mos harxhoni energji duke sharë, kritikuar e mallkuar. Punoni. Daja im më mësonte: “Më mirë puno pa para, sesa të rrish, sepse mbushesh negativitet”. Kam provuar dhe kam punuar pa asnjë pagesë vite të tëra. Nuk më ka dalë keq. Puna ime u pa, u dëgjua, u vlerësua dhe marr rrogë deri në fund të jetës si artiste evropiane.

Telegrafi: Deri kur budallenjtë do ta ‘luftojnë’ mençurinë?
A. Ismaili: Deri sa të lejojmë ne. Në fakt, derisa të vendosim të jemi trima. Mençuria kërkon mbrojtje. Të mos frikohemi më dhe t’i njohim të drejtat tona, që na ka dhënë Zoti, natyra, por edhe ligji. Sepse mllefi që grumbullohet tek frikacaku, gjithmonë eksplodon diku tjetër. Shikoni sa shumë njerëz, mediume, shajnë e mallkojnë artistët, shkrimtarët, intelektualët, thurin e imagjinojnë situata morbide për ta. Vetëm për një gjë: Artistin nuk e keni votuar, nuk i paguani taksa, nuk ju lë pa rrymë e bukë e ujë, nuk ju lë pa toka e shtëpia dhe nuk ju fut në burg. Por as nuk ju ka borxh asgjë, ju ka dhënë talentin e vet dhe ju e shfrytëzoni me pak para për kënaqësinë e juaj. Kjo kënaqësi nganjëherë janë dhe shfryerjet e psikozave individuale ose kolektive. Por, saktësisht pse ka marrur shumë pak, artisti kosovar nuk çan kokën për fjalë dhe sulme. Por, shikoni sa pak guxojmë t’i ngacmojmë ata që u kemi dhënë votën, shpresën, rrymën, ujin, tokat, gjakun tonë. Ata na mbyllin gojën përjetë nëse u kërkojmë atë që na takon nga Zoti e njeriu, sepse kanë fuqinë. Por, s`di pse po harrojmë që ajo fuqi nuk është e tyre, por e jona. Nuk po bëj thirrje për revolucion, sepse si Adelinë vërtet i kam të gjitha në jetë, më shumë se që kam ëndërruar si një vajzë që është rritur në një lagje të vockël të Prishtinës. Por, po bëj thirrje si një njeri që kam parë me sytë e mi kah i vrasim moralisht, psikikisht, shpirtërisht Kolosët e vendit tonë dhe i kemi qarë 2 ditë e kemi plaçkitur ca para të mallkuara me dekada nga madhështia e tyre. Të mendojmë që një ditë mund të jetë fëmija ynë njëri nga ata Kolosë. Të bëjmë për tjetrin atë që dëshirojmë tjetri të bëj për neve.
E juaja Adelinë.I.
Adelina Ismaili
Team Work

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here