Adelina Emini: Nuk i dua imponimetAdelina Emini është pjesë e plejadës së re të muzikës zbavitëse në Kosovë. Ajo ka stil të veçantë si të këndimit, po ashtu edhe të pamjes. Për të muzika është vetëm hobi, sepse me profesion është ekonomiste.

A është e dashuruar Adelina?, A i pëlqen jeta e natës?, Kush përkujdeset për pamjen e saj?

Për këto dhe të tjera do të mund të mësoni në këtë intervistë ekskluzive për të përditshmën “Bota Sot”.

Bota sot: Çka është muzika për juve ?

Adelina Emini: Muzika për mua është hobi ngase me profesion jam ekonomiste.

Bota sot: Përse keni zgjedhur të merreni me muzikë?

Adelina Emini: Muzikën e kam pasion dhe e kam zgjedhur me vet dëshirën pa ma imponuar askush, sepse nuk i dua imponimet. Ndërsa zërin e kam dhuratë nga Zoti.

Bota sot: Me çka po merreni këto ditë?

Adelina Emini: Këto ditë po merrem me studime, jam duke u përgatitur edhe për disa provime të fundit të magjistraturës.

Bota sot: Po ta rikthenit kohën, a do ishit prapë këngëtare?

Adelina Emini: Sigurisht së përsëri do të bëhesha këngëtare. Është dëshirë e imja dhe dhuratë e Zotit.

Bota sot: Sa është muzika tek ne komerciale, dhe çka mendoni për tallavanë?

Adelina Emini: Mos më futni në vështirësi ju lutem. Unë jam në fillim të karrierës dhe diçka që do të them do të them, ndoshta do të mund ta rëndojë ndonjë kolegë apo kolege timen.

Bota sot: Sa keni bashkëpunim me këngëtarë tjerë?

Adelina Emini: Pothuaj me të gjithë kam raporte të mira.

Bota sot: Videoklipet që po realizohen së fundi, a mendoni se janë artistike, apo janë më shumë tërheqëse për sy, duke e ditur që në shumicën e spoteve paraqiten vajza të bukura?

Adelina Emini: Ka shumë spote që janë artistike, por fatkeqësisht ka edhe të tilla që nuk janë fare artistike. Një videoklip i mirë nuk d.t.th. të jetë tërheqës vetëm për sy dhe të ketë vajza të bukura që defilojnë gjatë videoklipit me kostume të ndryshme, madje edhe ekstravagante. Por unë mendoj që të jetë domethënës, së pari duhet të jetë sa më kualitativ në të gjitha aspektet, niveli artistik i këngës etj.

Bota sot: A ju ka ndodhur ndonjë problem kur keni dalur në skenë?

Adelina Emini: Mendoj që çdo paraqitje e ka atë emocionin e vet, mirëpo unë nuk kam pasur ndonjë problem deri më tash në paraqitjet e mia skenike. Nuk kam nxënë në thua, e as nuk më është zbërthyer ndonjë kopsë e veshjeve të mia.

Bota sot: Pse shumica e këngëtarëve në paraqitjet e tyre këndojnë ‘playback’, sipas jush ku qëndroni problemi për këtë?

Adelina Emini: Është e vërtetë se është bërë praktikë që të këndohet ‘playback’. Sipas mendimit tim kjo ndodhë për faktin se te ne ende nuk janë krijuar të gjitha kushtet që të këndohet ‘live’. Më duhet të theksoj së unë kam pasur rastin të këndoj ‘live’ në shou emisionin “Ethet e së premtes 2” në Tiranë, dhe në disa prej koncerteve të organizuara nga RTK-ja.

Bota sot: A jeni e dashuruar?

Adelina Emini: Jo nuk jam.

Bota sot: A mendoni që shkollimi luan rol parësor në muzikë, apo mjafton vetëm të kesh talent?

Adelina Emini: Ehh…unë mendoj që ka shumë rëndësi shkollimi parësor në muzikë, por nuk përjashtohet mundësia që edhe nëse nuk e ke shkollën përkatëse, nëse ke talent, mund të kesh edhe një karrierë të suksesshme.

Bota sot: Cili ka qenë momenti më i veçantë gjatë karrierës suaj si këngëtare dhe cili më i vështiri?

Adelina Emini: Momenti më i veçantë ka qenë tek “Ethet e së premtes 2”, kur këndoja live këngën “Don’t let Kosova cry”. Ky ka qenë një moment shumë emocionues por njëkohësisht edhe i veçantë për mua sepse gjatë këndimit më janë mbushur sytë me lot. Mbase ky ka qenë momenti më i veçantë deri më tash.

Bota sot: Përveç muzikës, keni ndonjë angazhim tjetër?

Adelina Emini: Po përveç muzikës unë jam në master në Fakultetin Ekonomik, dega Marketing, dhe njëkohësisht edhe punoj .

Bota sot: Me kë bashkëpunoni në krijimin e këngëve, kush i shkruan tekstet, kush e bën muzikën?

Adelina Emini: Kam bashkëpunuar me kompozitorë të ndryshëm, mirëpo këngët e fundit i kam punuar me kompozitorin Florent Boshnjaku me të cilin jam shumë e kënaqur. Ndërsa për tekstet e këngëve janë përkujdesur edhe Arsim Bunjaku, Aida Baraku.etj.

“Bota Sot”: Si është një ditë e juaja e zakonshme?

Adelina Emini: Zgjohem herët në mëngjes dhe bëhem gati për punë. Pas tetë orë punë kthehem në shtëpi, pushoj pak dhe pastaj pjesën tjetër të kohës e kaloj duke u përgatitur për provime. Kur kam kohë të lirë edhe dal dhe argëtohem më shoqërinë time etj… Gjumi mi mbyll sytë jo aq vonë sepse të nesërmen më duhet të zgjohem herët në mëngjes.

Bota sot: Qëndroni shumë në lokale, preferoni jetën e natës?

Adelina Emini: Jo, nuk qëndroj shumë në lokale. Jetën e natës nuk e preferoj edhe aq shumë sepse po jam shumë e angazhuar në punë, me studime. Megjithatë gjej kohë që të dal me shoqërinë time dhe nganjëherë edhe vonohem për në shtëpi….

Bota sot: Kur keni kohë të lirë, merreni me sport, apo ndonjë aktivitet tjetër?

Adelina Emini: Me sport nuk merrem, por kur kam kohë të lirë preferoj leximin ose udhëtimin.

Bota sot: Kush përkujdeset për pamjen tuaj?

Adelina Emini:Për pamjen time zakonisht përkujdesem vetë, por këshillohem gjithashtu edhe me nënën dhe me motrat e mia.
marr nga Bota sot

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here