Ylli i muzikës pop këndon kolonën zanore që shoqëron filmin më të ri të James Bond, duke e ngjitur në majën e klasifikimeve të shitjeve në Angli.

Prej 50 vitesh, çdo vajzë angleze ka një ëndërr: të jetë një “Bond girl”. Dhe sa herë që afrohet momenti i realizimit të një filmi të ri mbi agjentin sekret në shërbim të Madhërisë së Saj, shtrëngohet edhe gjuetia për të “zgjedhurën”. Por kësaj here nuk flitet vetëm për një bukuroshe që do të jetë në krah të 007-ës, në filmin e ri “Skyfall”, i cili del në kinema më 31 tetor, por për zërin që këndon kolonën zanore të filmit. Ajo është Adele. Në vend të Shirley Bassey (i paharrueshëm interpretimi i saj te Goldfinger) dhe Paul McCartney, është radha e artistes angleze, që brenda një kohe shumë të shkurtër, që prej shfaqjes së saj në vitin 2008, ka shitur më shumë se 28 milionë disqe.  “Ishte hera e parë që kam punuar me ‘porosi’, thotë këngëtarja, e cila është bërë mama prej 10 ditësh. U nisa nga skenari, tamam sikur do të më duhej të merrja pjesë si aktore në film. Menjëherë e ndjeva presionin e një impenjimi kaq të rëndësishëm. Bond dhe muzika që e shoqëron janë pjesë e kulturës tashmë, jo vetëm kinematografike, por ndërkombëtare dhe, të jesh pjesë, do të thotë të hysh në histori”.  Kënga “Skyfall” është perfekt si temë e një filmi me spiunazh. “Edhe ne kemi përdorur një orkestër të madhe prej 77 muzikantësh dhe kemi regjistruar këngën në Abbey Road Studios”, ka treguar këngëtarja për mediat e huaja. Kjo është kënga e parë që Adele publikon pas suksesit të albumit “21”, i hedhur në treg në fillim të vitit 2011, që ka shitur 24 milionë kopje dhe fitues i 6 çmimeve “Grammy Award”. Me gjasë ky do të jetë fillimi i projektit të radhës së artistes, e cila ka shumë mundësi të jetë ndikuar thellësisht nga kjo eksperiencë. “‘Skyfall’ është kënga për të cilën ndihem më krenare dhe jo vetëm për rezultatin artistik, por edhe sepse më rezervoi një vend në galerinë e vajzave Bond (Bond girl)”, thotë ajo. Një vend ky që ka marrë miratimin e vetë 007-ës, i cili vazhdon të jetë aktori Daniel Craig: “Kur kemi zhvilluar takimet tona të para me produksionin, na u duk sikur mënyra se si ajo përdorte zërin ishte krijuar tamam për historinë që ne do të ngjisnim në ekran kësaj here”. Dhe është hera e parë që kolona zanore e një filmi me James Bond renditet në vendin e parë të klasifikimeve të shitjeve angleze. Do të duheshin 50 vite, por më së shumti do të duhej Adele. Tashmë këngëtarja është duke jetuar një moment të artë, edhe falë lindjes së fëmijës së saj të parë, fryt i lidhjes me të dashurin e saj, Simon Konecki. Kjo atmosferë si në re e këngëtares është turbulluar nga ca mesazhe fyese në rrjetin social “Twitter”, ku ironizohej mbi format e saj trupore, por jo vetëm kaq, ndonjë syresh arrinte deri në kërcënim me vdekje. Kjo është arsyeja pse këngëtarja ka vendosur të mos marrë pjesë në premierën botërore të filmit, që do të zhvillohet në Londër. Burimi:Panorama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here