Ata njihen si Bjordi dhe Adela. Përcaktime të tilla shpesh dalin nga historitë e çifteve shumë të dashuruar e të adhuruar prej një publiku të gjerë.

Pas “Big brother” historia e tyre është bërë më e fortë. Bashkëpunues të afërt, jo vetëm në ndjenjë por dhe në karrierë. Pas “Dancing with the stars” si prezantues simpatikë, ata vijnë dhe si këngëtarë në “Këngën magjike”. Ëndrrat dhe projektet e tyre sapo kanë filluar. Rrëfime ekskluzive nga çifti më mediatik

Adela “Ndonjëherë insistoj kot”

Shpejt dhe lehtë fitoi zemrat e një audience të gjerë, e sidomos të pjesës më të ndjeshme, asaj femërore. Vajza kokëforte, me një natyrë rrebele, arriti të thyejë mentalitetin e vendit të saj. Arriti të shkrijë fanatizmin që dukej se ndiqte ëndrrat e saj. Të ishte vetvetja e të guxonte që një ditë të bëhej pjesë e spektaklit.

Në fakt, dëshira e Adelës ka qenë t’i bashkëngjisë vetes pjesën që i mungonte, spektaklin dhe botën e prekshme që ajo ndjen se e zotëron. Ka talent, është e zgjuar, di të artikulojë mendime e argumente të një vajze tashmë të pjekur e të realizuar.

E në fakt ndihet e tillë, e realizuar. Sepse rrugëtimi post “Big brother” e angazhoi atë në sfida interesante.“Dancing with the stars” i dha mundësinë të prezantonte e të intervistonte të ftuarit specialë. Adela, vajza ambicioze, disi e paragjykuar për “guximin” e tepërt ka bindur në mënyrë elegante se di të bëjë edhe prezantuesen e pagabueshme.

E më pas e rishohim të përqafojë një tjetër ëndërr, “Këngën magjike” duke kënduar pranë Bjordit, të fejuarit të saj. “Nuk betohem dot” ishte kënga e tyre e parë, një sukses që tregon se ëndrrat dhe ambiciet e tyre sapo kanë filluar.

Si do e shohim ndryshe Adelën? Ndoshta si një politikane? Ku i dihet… Natyra e saj këmbëngulëse premton se ka për të na treguar shumë.

Kam shumë gjëra për t’ju pyetur. Nga ta filloj?

Edhe unë kam shumë gjëra për të thënë, por nuk e di as vetë. Si thua ti, nga ta filloj?

Unë them ta fillojmë nga “vjerra” zonja Antoneta meqë për ne vjerra është një insitucion…

Sapo u ndava para pak çastesh se ajo na solli me makinë. Tani që është kthyer në Shqipëri takohemi puthuajse çdo ditë dhe gjëja më e bukur që bën për mua dhe që nuk më mungon asnjëherë është gadishmëria e saj për të gatuar pjata të veçanta dhe shumë të shijshme, për të cilat ajo është një artiste e vërtetë. Në këtë pjesë më ka zëvendësuar mamin tim që tani e kam larg.

Pse ku ndodhet mamaja?

Mami bashkë më babin dhe me vëllain, prej më shumë se një viti, jetojnë në Itali. Prej kohësh ata e kishin në plan të zhvendoseshin jashtë, sidomos për vëllain e vogël që të kishte një mundësi shkollimi më të mirë. Jetojnë afër Leço-s, qytetit ku jetonte Bjordi. Në fillim u vendosën në Bresci, por me ndihmën e mamasë së Bjordit gjetën një ambient afër saj. Kështu ishin pranë me njëri tjetrin dhe takoheshin shpesh.

Ju shkoni shpesh?

Kemi shkuar disa herë gjatë pushimeve. Hera e fundit ishte gushtin e kaluar dhe nuk u tregova që isha nisur për në Itali. Mbërrita ditën e ditëlindjes së babit dhe ia bëra surprizë. Mami filloi të qante dhe nuk zbriste dot as shkallët të më takonte. Kaluam atje pothuaj tërë muajin dhe në të vërtetë jemi kënaqur shumë.

Tani me se po merresh?

Kam pak javë që jam regjistruar në universitet në Fakultetin e Shkencave Politike, për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Dëshiron të bëhesh diplomate apo politikane?

Do të më pëlqente ideja që të bëja sa më shumë për njerëzit dhe vendin tim. Nuk më intereson shumë ana materiale. Mendoj se politika do të më tërhiqte më shumë. (Se ti ma di tipin, nuk jam dhe shumë diplomate). Por dega është shumë interesante dhe më kuriozon edhe për kulturë të përgjithshme.

Si po shkon bashkëjetesa me Bjordin?

Shumë mirë. Tani nuk jemi më dy por jemi tre, kemi marrë edhe një qenush. Ia kemi vënë emrin Sushi. Na bën pak rrëmujë se është i vogël, por jemi impenjuar seriozisht ta edukojmë. Unë nuk isha mësuar me kafshët asnjëherë, madje i kam pasur dhe frikë. Nuk e mendoja që do të më kënaqte kaq shumë.

Pse vendosët për qenin? Mos kishte filluar monotonia në shtëpi?

(Qesh). Jo, por Bjordi e ka patur gjithnjë dëshirë të kishte një kafshë. Derisa na e bënë dhuratë një mikeshë e jona.

Kaloni shumë kohë në shtëpi?

Kohët e fundit jo. Por kur jemi të lirë gjithnjë mbrëmjeve preferojmë të rrimë në shtëpi. Na pëlqen të jemi në shtëpi dhe dalim shumë rrallë mbrëmjeve. Kënaqësia më e madhe është kur na vijnë miq në shtëpi, gjë që ndodh shumë shpesh. Luajmë “Nintendo”, “Poker” dhe pijmë nga një gotë verë. Kënaqemi më të vërtet shumë dhe shpesh nuk çohen deri pas mesnate, derisa detyrohem t’i “përzë”.

Çfarë shije ju la “Kënga magjike”?

Shijet jo gjithnjë janë shumë të ëmbla. Por dolëm të kënaqur, sepse impakti me publikun na surprizoi dhe u lumturuam pa masë.

Ju mendoni se Piro Çako kishte bërë një këngë jo të denjë për natën finale?

Puna e Piros ishte ideale jo vetëm në krijim e kompozim, por sidomos në ndihmën që ka dhënë për ne të dy. Çdo ditë duke ndenjur për orë të gjata mbi piano për të provuar zërat tanë, derisa shkuam në studion e regjistrimit.

Po pse nuk ishit në natën finale sipas jush?

Aty votonin këngëtarët dhe duke qenë se për herë të parë “shkelëm” në fushën e këngës, e pavarësisht se kënga ishte e bukur dhe përgatitja jonë ishte e denjë, ata nuk na kanë parë ashtu si këngëtarët e tjerë.

Do bëni këngë tjetër?

Po. Për momentin nuk kemi filluar konkretisht të punojmë në lidhje me këtë, por besoj se shumë shpejt do realizojmë diçka. Dëshira është që të vazhdojë bashkëpunimi me Piro Çakon, sepse është një profesionist dhe jemi ndjerë shumë mirë duke punuar me të.

Përsëri bashkë do jeni?

Kemi menduar që ta provojmë veten edhe si solist. Kështu mund të provojmë talentin tonë veç e veç.

Kush këndon më mirë sipas teje?

Unë. Mendoj se kam një zë më të plotë, por Bjordi ka më shumë stil, të paktën si na thonë të tjerët. Unë kam notat më të larta, pra jam teknikisht më mirë, kurse Bjordi ka më shumë muzikalitet dhe interpreton më bukur.

Që kur keni dalë nga “Big brother” ju keni jetuar bashkë gjithë kohës. Ke patur ndonjë moment që ke menduar se është “mjaft”?

Asnjëherë. Unë jam natyrë shumë impulsive dhe nëse do të kishte një moment të tillë do të kisha marrë vendimin e duhur. Kur jeton me një njeri çdo moment të ditës, e sidomos kjo për një kohë të gjatë, mund që edhe për një çast të mërzitesh. Është normale. Por unë di të them që jam një person vërtet me fat që kam pranë një njeri si Bjordi?

Gjatë kësaj kohe ke zbuluar tek ai vlera të tjera që nuk i kishe parë më përpara?

Më shumë sesa kam zbuluar kam konstatuar ato që ëndërroja t’i kishte. Ka një sens intuite të rrallë, e duket sikur të lexon atë që ke në mendje dhe e realizon. Dhe ajo që do theksoja më shumë është se duke pasur parasysh natyrën time, jo dhe aq të lehtë, vazhdon të jetë i përkushtuar si atëherë në fillim.Të them të drejtën kësaj i jam ndruajtur, por nuk ju siguroj dot se sa do zgjasi, (qesh).

Po defekte?

Bjordi nuk ka defekte në karakter. Është pak natyrë përtace, por ajo që më shqetëson tek ai është qetësia që e karakterizon. Kjo në përgjithësi është pozitive, por kur ka momente të vështira ai i lë zgjedhjet për në momentin e fundit, kur ndodhet para faktit. Deri atëherë është krejt i qetë. Unë jam tip që i përjetoj gjërat më me ankth. Më mbetet mendja aty dhe nuk përqendrohem dot në gjëra të tjera, p.sh të lexoj një libër apo bëj diçka tjetër.

Po defekti yt që do doje të ndryshoje te vetja?

Ti marrë me radhë? Kokëfortësia. Ngul këmbë ndonjëherë dhe insistoj, sa më pas bëhem pishman sa çuditem dhe vetë. Pastaj kam edhe një tjetër. Impulsiviteti i madh që i them gjërat ashtu si i mendoj e shumicën e rasteve ia fus kot. Dikush mund të thotë që jam antipatike, por që kësaj nuk kam se çfarë t’i bëj.

Cili është thashethemi i fundit që ke bërë?

Këtë të mirë e kam që nuk bëj kurrë thashetheme. Më ndodh që të rastis ulur në tavolina me miq kur flitet për persona të caktuar dhe nuk marrë pjesë në biseda. Nuk e fsheh që më pëlqen të dëgjoj ndonjëherë por nuk ndërhyj. Madje, as njerëzit që merren me thashetheme nuk më pëlqejnë dhe nuk dua t’i kem pjesë të rrethit tim shoqëror.

Por ai më i çuditshmi që ke dëgjuar për veten?

Ka ndodhur para disa ditësh. Me telefonoi një shoqe që jeton në Itali dhe me tha: “është e vërtetë që je shtatzënë?”. Tani jam mësuar edhe me këto dhe e marr me të qeshur.

Meqë ra fjala, ke menduar ndonjëherë për fëmijë?

Sigurisht, si shumica e femrave. Nuk jam nga ato femra që mendojnë të bëjnë karrierë dhe e zgjasin shumë, apo heqin dorë nga të pasurit e një fëmijë. Por dua t’i lë vetes edhe pak kohë për të vënë materialisht gjërat në rregull. E pse jo, të bëja një gocë të vogël. Do të më pëlqente pa masë./Revista Shqip/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here