Nesër pasdite Bjordi dhe Adela do rikthehen në ekran si këngëtarë.

Sipas informacioneve tona kënga është shumë e bukur, por me një tekst paksa provokativ. Le t’i pyesim vetë ata se çfarë ndjejnë pak orë para debutimit.

Nesër do këndoni për herë të parë këngën tuaj tek “E diela shqiptare”. Si ndiheni?

Bjordi: Nga njëra anë mezi po pres. Nga ana tjetër kam edhe pak frikë se është hera e parë që këndoj në skenë.
Adela: Kam shumë, shumë emocione.

Cila ishte rruga që ndoqët për të realizuar këtë këngë, duke qenë se e kishit për herë të parë?

Bjordi: Gjëja e parë që bëmë, ishte të kontaktonim me kompozitorin Pirro Cako, me të cilin kishim krijuar miqësi tashmë. Ai u tregua menjëherë i gatshëm për të punuar me ne, edhe pse nuk ishim profesionistë. Dhe përveç kësaj ishte dhe shumë dashamirës.
Adela: Me Pirron kemi punuar me orë të zgjatura, jo vetëm për të krijuar një këngë, por edhe për t’u ushtruar fort derisa arritëm të këndonim lirshëm. Kështu që Pirros i detyrohemi shumë jo vetëm se krijoi një këngë shumë të bukur, por bëri të mundur që ne të bëheshim të denjë për ta kënduar atë. Në fund udhëtuam drejt Shkupit për të bërë orkestrimin e këngës me Darko Dimitrov.

Bjordi dhe Adela këngëtarë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Bjordi: Kam dashur gjithmonë të këndoj, por kam menduar se nuk i kisha aftësitë e duhura për ta bërë. Pirro më ndihmoi ta zbuloja këtë aftësi, që në fakt e kisha. Tani unë do përpiqem ta zhvilloj më shumë. E di që nuk më besoni, por këtë do ta kuptoni vetëm nesër kur të më dëgjoni duke kënduar.
Adela: Qysh kur isha e vogël kisha një aftësi të çuditshme për t’i mbajtur mend këngët. Kjo aftësi m’u zhvillua më shumë me rritjen, sepse unë dëgjoja pafund muzikë. Nuk humbisja asnjëherë rastin për të kënduar nëpër aktivitetet e shkollës dhe këndoja gjithë ditën nëpër shtëpi. Shpesh i thoja motrës sime që kur të rritesha do bëhesha këngëtare. Ajo më thoshte ”Po, po, ti ça nuk do bëhesh ti, do na nxjerrësh në dritë!” Kur para ca ditësh i tregova këngën, ajo e pëlqeu shumë. Edhe unë direkt i thashë: -Hë mi, po tani? U bëra apo s’u bëra…?

Kush këndon më mirë, Bjordi apo Adela?

Bjordi: Adela.
Adela: Unë. Bëj shaka!!! Deri tani të gjithë po thonë që Bjordi ka zë më të ëmbël.

Mund të na tregoni diçka mbi këngën? Kujt i dedikohet, për çfarë flet?

Bjordi: Është një këngë për ne të dy, dhe…
Adela: Dhe për të gjitha çiftet e botës. Për më shumë, prisni deri nesër.

Sipas informacioneve tona kënga nuk flet për atë dashurinë përrallore ku ai dhe ajo jetuan të lumtur përgjithmonë, pasi në jetë mund të ketë edhe ndarje.
Në fakt ju e keni menduar ndonjëherë që edhe mund të ndaheni (më falni për cinizmin)?

Ne nuk e mendojmë, sepse nuk na pëlqen ky mendim. Por as nuk e përjashtojme faktin që mund të ndodhi. Jeta është e gjatë dhe asnjëherë nuk i dihet.

Si mendoni se do ta presë publiku këtë dalje të re dhe krejt ndryshe?

Bjordi: Këtë nuk mund ta dimë. Shpresojmë mirë, se kënga është e bukur.
Adela: Shpresojmë shumë që të pritet mirë.

E shihni veten në finale?

Bjordi: Në ëndërr, po… Përtej shakave, janë shumë këngëtarë të mirë që e meritojnë finalen dhe për këtë arsye i mbajmë këmbët në tokë.
Adela: Vetëm se do ishte një kënaqësi dhe arritje shumë e madhe…

Megjithatë, ju keni të sigurtë mbështetjen e publikut, i cili ju ka pëlqyer që në “Big Brother” ndërkohë që shkrimet për ju janë më të klikuarat në faqen zyrtare të gazetës “Panorama”. A mendoni se ky publik do ju votojë edhe si këngëtarë?

Publiku na ka mbështetur dhe vlerësuar gjithmonë për karakteret tona. Tani erdhi momenti që mund të na mbeshtesin edhe për talentin tonë, nëse vërtet e kemi.

Si do visheni nesër?

Bjordi: Meqë është pasdite, nuk do kemi veshje formale. Unë do jem veshur ”Bonavita”.
Adela: Dhe unë, pasi bëra një xhiro nëpër City Park, zgjodha të vishem me ”Miss Sixty”. Një veshje e thjeshtë, po e bukur.

A mendoni se do ta vazhdoni rrugën e muzikës?

Bjordi: Varet gjithmonë nga reagimi i publikut.
Adela: Nëse kënga pritet mirë, pse jo.

Përveç këtyre që sapo thamë, kemi ndonjë të re tjetër nga ju të dy?

Bjordi: Kemi marë një qenush të vogël.
Adela: Që e ka emrin Sushi…

Po në një emision televiziv kur do ju shohim?

Për momentin nuk ju themi asgjë të sigurtë, por shpresojmë shumë shpejt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here