Vjen me historinë e një vajze tjetër, sikur të ishte historia e saj. E gatshme për t’u dhënë forcë gjithë femrave të lënduara nga të dashurit apo burrat e tyre, Rosela Gjylbegu ka zgjedhur që në garën e festivalit “Kënga Magjike” të vijë si narratorja e kësaj çështjeje sociale.

Një stop kundër dhunës ndaj femrës me këngën “Sikur të isha ti”, sepse ekziston “një qëllim të jetosh, dhe ai quhet dashuri”.

Duke u rrëfyer përtej vargjeve plot dhembje të këngës, Rosela tregon për rikthimin në garë sërish me muzikën e Darko Dimitrov, pasi u shpall fituese dy vite më parë, dhe tekstin e shkruar nga Big Basta, i frymëzuar në këtë rast nga një histori e tij personale.
“Sikur të isha ti”. Të ndodh shpesh ta përdorësh këtë frazë në jetën tënde?

Po, dhe ka ndodhur ta përdor… ndaj edhe autori i këngës Gerald Xhari (Big Basta) mendoi të më vendoste në këtë rol, si narratoren e kësaj historie, që do donte të bënte diçka për këtë vajzë, e cila është e braktisur, e lënduar dhe e paragjykuar nga shoqëria. Besoj që të gjithë ne jemi gjendur në të tilla pozita…
Nëse do të bëhej klip kjo këngë, si do të mund të realizohej historia e asaj vajze të braktisur?
Nëse do e bëja klip, pa diskutim që do përshkruhej në një minifilm e gjithë përmbajtja e këngës, pasi nuk është një këngë e zakonshme, por një rrëfim i vërtetë dhe mënyra e strukturës, këngës, është krejt ndryshe nga çfarë kam kënduar deri më sot dhe, si e tillë, trajtimi në klip kërkon impenjim për të bërë diçka jo të zakontë.

Nëse do ishe një tjetër, çfarë do doje të dije për Roselën?
S’e di… ndoshta pikërisht për jetën private, për mënyrën se si ajo (Rosela) i përjeton ndjesitë, si është jeta e saj…

Po ti je ndier ndonjëherë aq shumë e trishtuar sa personazhi në këngë dhe pse?
Jam ndier disa herë e lënduar… e zhgënjyer… Ndodh edhe kështu.

Prej pesë vitesh bashkëpunon me Darkon, çfarë të pëlqen te muzika e tij?
Darko është shumë profesionist dhe di të gjejë gjuhën e komunikimit me të gjithë. U përshtatet shumë shijeve të mia muzikore, dhe që me suksesin e këngës së parë, jemi bërë shumë miq dhe mbetemi në kontakt të vazhdueshëm. Pastaj ai nuk e përsërit veten dhe kjo është shumë për t’u vlerësuar.

Për sa u përket këngëtarëve, ndihet një lloj konkurrence dhe xhelozie mes tyre?
Jo, unë personalisht s’e ndiej këtë dhe po ashtu mendoj se konkurrenca duhet, pasi rrit egon e gjithsecilit për të realizuar këngë sa më të bukura. Në këtë rast, unë e shoh si shumë pozitive.

Tashmë që kanë kaluar vite që je në skenë, kujt mendon se ia di më shumë vlerën, parasë, karrierës, apo dashurisë?
Më shumë se askujt, ia di vlerën familjes dhe shoqërisë. Janë të vetmit që janë aty për mua gjthmonë. Paraja, karriera apo dashuria shkojnë e vijnë, kanë uljet e ngritjet e veta, por prindërit e miqtë janë gjthmonë aty për mua.

Meqë jemi te dashuria, a je duke e përjetuar këtë ndjenjë?
Ndoshta…

Shumë persona kur i pyet për dashurinë, thonë se s’kanë provuar asnjëherë të bien në dashuri. Ndërsa bën përshtypje një varg i këngës, ku thuhet «Sepse ke një qëllim të jetosh, dhe quhet dashuri». Mendon dhe ti kështu?
(qesh) Unë s’mund të them se s’e kam provuar…
Ndërkohë, shumë dashuri ka në vargjet e 100 këngëve të botës në spektakël. Cila është kënga që pëlqen gjithmonë ta këndosh?
“The show must go on”, ose “Who want to live forever” të Queen.
Për sa i përket vazhdimit të karrierës muzikore, cilat janë planet e tua?
Në fakt, unë kam ndër mend të bëj disa bashkëpunime me disa këngëtarë nga Kosova, por s’do doja t’i zbuloja që tani.

Big Basta: Në këngën e Roselës rrëfej një histori personale, ku një grua u dhunua nga burri i sa
Është i aftë që një histori nga jeta ta kthejë në fabul, dhe një fabul në vargje që të trishtojnë. E vërteta nuk e fsheh dot vetveten, dhe ndaj Big Basta ka arritur të shkruajë këtë tekst me ngarkesë të fortë emocionale, që i ka prekur të gjithë, nën titullin “Sikur të isha ti”, kënduar nga Rosela Gjylbegu. Është frymëzuar nga muzika e fortë e Darko Dimitrov, për të nxjerrë nga shpirti shijen e hidhur të një historie personale. Të paktën ashtu e konsideron ai historinë e femrës së lënduar, që në fakt ka qenë një person shumë i afërt në jetën e tij. “Për arsyen se dhe unë si pjesëtar i këtij komuniteti shqiptar, që ka dëgjuar e parë për dhunën e burrave ndaj femrave ndër vite, bashkë me Roselën menduam që në pjesën bridge të këngës të aludojmë për një femër që e gjen rrugën e saj të shpëtimit”, tha Big Basta. Por këtë histori personale, që edhe mund ta vazhdoja ta mbaja për vete, vendosa ta shkruaj, sepse mendoj që 70 për qind e familjeve shqiptare e kanë përjetuar fenomenin e grave të dhunuara nga burrat e tyre, dhe shumë persona gjejnë veten në të. E, nëse flasim për spunton time, fatkeqësisht ka qenë një person shumë i afërt, që ka përjetuar këtë histori, dhe që tashmë nuk jeton më”, tregon Bigu. Më tej, ai shton se “Unë e kam përjetuar vetë këtë ndodhi, e kam mbajtur në kujtesë si një histori të dhimshme dhe po prisja momentin që ta hidhja në vargje. Ndoshta ai moment nuk do të kishte ardhur asnjëherë, nëse nuk do të kisha dëgjuar muzikën e bukur të Darko Dimitrov, që më frymëzoi për ta kthyer atë histori të vërtetë në fabul kënge. Në një farë mënyre, ne artistikisht u bëjmë thirrje atyre meshkujve që dhunojnë femrat e tyre të ndryshojnë, pasi dhuna nuk tregon as burrëri, as zgjuarsi, as pushtet”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here