Këngëtarja kosovare, Dafina Zeqiri, do të marrë goxha para pa kënduar në ndonjë koncert, pa lansuar ndonjë këngë apo klip. Kompanisë “Dailymotion” emetimi i paautorizuar i dy videoklipeve të saj i ka kushtuar 45 mijë euro.

Gjykata e Landit në Hamburg të Gjermanisë ka vendosur në favor të saj, duke e dëmshpërblyer atë.

Paratë këngëtarja do t’i marrë nga kompania “Dailymotion” një platformë digjitale, të cilën këngëtarja e kishte paditur për shkelje të të drejtave autoriale. Bëhet fjalë për klipet “My swag – the making of” dhe “My swag”, të cilat ishin publikuar nga kompania pa lejen e këngëtares.

Vendimin të cilën e ka gazeta thuhet se “vlera e padisë që duhet të paguajë kompania është 45 mijë euro”. Gjithashtu, sipas këtij vendimi, “Dailymotion” i ndalohet edhe qasja publike në Gjermani dhe heqja e pjesëve muzikore nga sajti. Sipas këtij aktvendimi gjyqësor, vendimi merret duke marrë për bazë Ligjin evropian për të drejtën e autoriale.

“Parashtruesi i kërkesës ka deklaruar në mënyrë të besueshme që nga prodhuesi i filmave, i janë deleguar të drejtat ekskluzive të përdorimit sipas së drejtës së autorit, kështu që asaj midis të tjerash i takon e drejta që t’i bëjë këta filma të qasshëm në internet”, thuhet në vendimin e Gjykatës Gjermane.

Ish – menaxheri i këngëtares, Drin Zatriqi, i cili ka iniciuar këtë padi, ka thënë për gazetën se ka vendosur që ta padisë kompaninë në gjykatën gjermane për dy arsye.

“Sajti i ‘Dailymotion’ është edhe në gjuhën gjermane dhe ligji vlen në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe në Kosovë nuk mund ta bësh këtë padi pasi nuk ka ligj”, ka thënë Zatriqi. Por Kuvendi i Kosovës më 2006 ka miratuar Ligjin për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të përafërta, por i cili nuk zbatohet. Për këtë tashmë Ministria e Kulturës ka amendamentuar këtë Ligj, i cili pritet të miratohet vitin e ardhshëm.

Për ish – menaxherin e Dafina Zeqirit kompania “Dailymotion” ka qenë në dijeni që është duke shkelur ligjin.

“Ne i kemi kërkuar kësaj kompanie disa herë që të heqë videot, sepse nuk ka pasur asnjë leje nga unë si menaxher për t’i publikuar. Edhe më tutje ajo kompani ka pasur fitime, sepse këto video janë shikuar në masë të madhe. Kësisoj në jemi dëmtuar shumë nga publikimi i atyre klipeve”, ka thënë Zatriqi.

Sipas tij, ky vendim i Gjykatës së Landit në Hamburg është i mirëseardhur, sepse jep një shenjë te këngëtarët e tjerë të cilët mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre.

“Është hera e para që ngrihet padi dhe fitohet kundër ‘DailyMotion’, duke mbrojtur një vepër shqiptare”, ka thënë Zatriqi, i cili tashmë është menaxher i kompanisë diskografike “Baba Stars”. E teksa vetë këngëtarja Dafina Zeqiri ka pasur të mbyllur telefonin, gjatë pasdites të së dielës, Zatriqi ka thënë se paratë do të ndahen mes tij dhe këngëtares. Por nuk ka dhënë ndonjë përqindje.

“Kemi pasur një marrëveshje kur kemi qenë në bashkëpunim”, ka thënë Zatriqi. Ai ka shtuar se do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe herë të tjera.

“Për çdo klip që do ta dalë e që do të përdoret pa lejen time, ku unë menaxhoj, do të ketë fatin e njëjtë”, ka thënë Zatriqi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here