Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar ditën e djeshme dënimin me 11 vite e 6 muaj burg për pesë të pandehurit e akuzuar për marrjen peng të regjisorit Leonard Bombaj, ngjarje kjo e shënuar në muajin korrik të vitit 2010.

Gjatë seancës së djeshme, organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 3 vite burg dhe 600 mijë lekë gjobë për Arkimed Lushën, i njohur ndryshe dhe si “Stresi”.

2 vjet e 6 muaj burg dhe 600 mijë lekë gjobë, Prokuroria ka kërkuar për Erlis Bashajn, ndërsa nga 2 vite burg dhe 600 mijë lekë gjobë është kërkuar për Realdo Kurtin, Sevastja Kallabakun dhe të miturën A.Xh., për të cilën u kërkua pezullimi i dënimit dhe vënia në provë për një periudhë 18-mujore, duke marrë parasysh faktin që e pandehura është e mitur dhe vijon shkollën. Mbi pesë të pandehurit rëndon akuza e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Ndërkaq, pritet që në seancën e radhës të jenë mbrojtësit e 5 të pandehurve ata që do të paraqesin pretendimet e tyre në lidhje me akuzat e ngritura nga Prokuroria, e më pas do t’i takojë Gjykatës së Krimeve të Rënda për të vendosur në lidhje me fajësinë ose jo të të pandehurve. Ndërkohë, i kontaktuar nga “GSH”, Arkimed Lusha (Stresi) nuk ka pranuar të japi asnjë koment në lidhje me kërkesën e Prokurorisë. “Nuk kam asnjë koment për të bërë. Duhet të presim vendimin përfundimtar të Gjykatës”, – deklaroi Stresi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here