Rrëfimi për një punk grup në Maqedoni ka fituar edicionin e nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. “Punk’s Not Dad”, me regji të Vladimir Blagjevksit ka marrë çmimin “Filmi më i mirë në TIFF”.

Filmi gjithashtu mori çmimin si më i miri gjykuar nga mediet. “Punk’s not dead” në shtator të këtij viti mori çmimin special të jurisë në edicionin e tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë “PriFilmFest”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Festivalit në Tiranë janë dhënë edhe çmime të tjera. Por asnjëri nga katër filmat, sa ishin nga Kosova, nuk është shpërblyer.

Regjisorja më e mirë është shpallur Beryl Koltz me filmin “Hot Hot Hot”, ndërsa aktori në rolin kryesor në këtë film Rob Stanley mori çmimin e aktorit më të mirë. Çmimi për aktoren më të mirë i ka takuar Monica Birledeanu për rolin e saj në filmin “Maternity Blues”. Filmi më i mirë i shkurtër u zgjodh filmi nga Iraku  “The sound of rain” me regji të Jalal Saedpanah.

“Tale of the wind” një animacion prodhim portugez me regji të Claudia Jordao ka marrë çmimin për filmin më të mirë animacion, ndërsa filmi më i mirë eksperimental është shpallur “Paper memories” nën regjinë e spanjollit Theo Putzu.

Këtë vit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë gjatë pesë ditëve janë shfaqur rreth 100 filma, nga 60 shtete. Filmat këtë vit janë cilësuar për laramani të tyre, pasi që kanë qenë të kategorive; si animacion, dokumentarë, eksperimentalë, filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here