Parakalimi nëpër tepihun e kuq i kineastëve vendorë dhe ndërkombëtarë kanë qenë shenjat e parë të një nate gala. Teatri Kombëtar i Kosovës të mërkurën mbrëma është bërë “nikoqir” i atyre që kanë përcjellë për së afërmi hapjen e edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës, “PriFilmFest”.

Në muret e foajeut të TKK-së janë vendosur fotografitë e anëtarëve të ekipit të filmit “Gomarët e kufirit”, me regji të Jeton Ahtemajt. Secili prej tyre ka vënë nënshkrimin në to. Ky “intro” i ka lënë vend hapjes zyrtare të festivalit. Nikoqirët e “PriFilmFest”, aktorët Gresa Pallaska dhe Kushtrim Hoxha, kanë qenë ata që janë ngjitur të parët në skenë.

Drejtoresha e festivalit ndërkombëtar të Prishtinës, “PriFilmFest”, Vjosa Berisha, ka përshëndetur e para të pranishmit. Duke iu drejtuar kineastëve e mysafirëve të mbledhur në sallën e TKK-së, Berisha është shprehur e kënaqur që festivali, i cili nisi rrugëtimin vitin e kaluar me moton “Fillimi i një miqësie të bukur”, ka arritur të zgjerohet edhe më shumë në edicionin e dytë.

Jam shumë e lumtur që e shoh sallën plot. Ne e vazhduam rrugën, e vazhduam miqësinë që e kemi fillua vitin e kaluar dhe këtë vit po presim edhe më shumë miq, edhe më shumë filma”, ka thënë Berisha.
Moto e edicionit të sivjetmë të “PriFilmFest” është “Miqësia vazhdon”.

Në ceremoninë e hapjes së “PrFilmFest”, Berisha ka deklaruar se misioni i organizatorëve është përmbushur.
E filluam këtë festival me shumë ambicie dhe na thanë që ishte bukur. Këtë vit ne vazhduam me më shumë mund dhe vazhduam të bëjmë diçka që të jetë edhe më interesante”, ka thënë ajo.

Nga fytyrat tuaja të qeshura që i pashë në tepihun e kuq e pashë që ky festival po vazhdon bukur”, ka shtuar ajo.Asaj që i takoi të hapë zyrtarisht “PriFilmFest” ishte producentja hollywoodiane, Eva Orner, e cila e shoqëruar me duartrokitje të mëdha u ngjit në skenë.

Jam shumë e nderuar që jam këtu sonte, në shtetin më të ri evropian dhe jam shumë e nderuar që jam në këtë regjion të botës dhe dua të iu kërkoj të buzëqeshni dhe të bëj një foto tuajën për albumin tim”, u ka thënë Orner, mysafire dhe kryetare nderi e jurisë së festivalit.

Ceremonia e solemne nuk ka zgjatur më shumë se 30 minuta. Ajo i ka lënë vend premierës botërore të filmit kosovar “Gomarët e kufirit”, me regji të Jeton Ahmetajt, një film i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. “Gomarët…” është i vetmi film kosovar në konkurrencë zyrtare të “PriFilmFestit” dhe kthen kohën pesë decenie prapa duke trajtuar kufirin që dikur ndante shqiptarët.

Festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”, do të vazhdojë rrugëtimin deri më 29 të këtij muaji, kur edhe do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve. Takime me kineastë me nam, party, dhe shumë më shumë, janë në mënynë e edicionit të sijvetmë. Po ashtu një program special “In Memoriam – Bekim Fehmiu” dhe retrospektiva e filmit të italian janë në program.

Juria e festivalit, e cila do të bëjë përzgjedhjen e fituesve nga 11 filma të metrazhit të gjatë që janë në konkurrencë zyrtare, udhëhiqet nga producentja Eva Orner, përderisa në përbërje ka edhe kineastin gjerman, Andreas Maxstrohl, regjisorin Gjergj Xhuvani, regjisorin Agim Sopi dhe kineastin Italian Fausto Paravidino.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here