“Falja e gjakut”, filmi që do të përfaqësojë Shqipërinë në garën e madhe të çmimeve “Oskar”, ka hapur ditën e shtunë edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – PRIFILMFEST.

Gjatë ditëve të festivalit, i cili do të vazhdojë deri në datën 1 tetor, do të shfaqen 39 filma në 7 kategori, të metrazhit të gjatë dhe të mesëm. Janë filma që vijnë nga Danimarka, Shqipëria, Polonia, Franca, Maqedonia, Rumania dhe madje edhe Bosnja.

Interesant është fakti që në këtë edicion marrin pjesë edhe dy filma serbë dhe dy kineastë, pavarësisht tensioneve politike mes dy vendeve. Ata do të jenë pjesë e programit “Blood and Honey”, ku rrëfen kinemanë e re të Ballkanit dhe do të paraqesë gjithashtu premierën e filmit “Mothers” nga regjisori maqedonas Milcho Manchevski, fitues i “Luanit të Artë” në Venecia në vitin 1994. Në edicionin e parë, slogani i festivalit ishte fraza nga filmi i famshëm “Kazablanka”: “Fillimi i një miqësie të bukur”, në vitin e dytë “Miqësia vazhdon…”, ndërsa këtë vit “Miqësi. Përgjithmonë”.

Veç garës dhe premierave, nuk do të mungojnë edhe të ftuarit. Ndër ta është aktori Gedeon Burkhard, interpretues në filmin “Inglourious Basterds” të regjisorit Quentin Tarantino, i cili vjen me filmin e tij të ri “Bridges”, në konkurrim në kategorinë e metrazhit të mesëm, dhe regjisori Joshua Marston, i cili hapi Festivalin e Prishtinës. Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqet Retrospektiva Franceze, me prezantimin e filmave të Claude Chabrol, “La Cerimonie”, “L’Enfer”, “Betty”, “Une Affaire de Femmes” dhe “Inspecteur Lavardin”.

Ndër ngjarjet e rëndësishme të festivalit është dhe Forumi dyditor i koproduksionit, më 25 dhe 26 shtator PriFilmForum, i cili tashmë në vitin e dytë të tij synon të bëhet një vend i rëndësishëm takimi për producentët dhe regjisorët e vendeve fqinje, përfshirë Serbinë, nga ku do të vijë një numër producentësh të pavarur të vizitojnë Kosovën. Natën e fundit të festivalit, do të shpallen dhe fituesit e 6 Hyjneshave të Arta në kategoritë e filmit për “Aktorin më të mirë”, “Aktorja më e mirë”, “Regjisori më i mirë”, “Filmi më i mirë”, “Çmimi i posaçëm i jurisë”, dhe “Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm”. Simboli i festivalit është “Hyjnesha në fron”, një statujë terrakota e periudhës së neolitit, gjetur në Kosovë në vitin 1960 dhe zgjedhur si simbol i Prishtinës./panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here