Kanë krijuar këngë të reja. Një festival, ku gjykimin për talentet e reja do ta japin ata, këngëtarët VIP, si Inva Mula, Irma Libohova, Ardit Gjebrea, Frederik Ndoci etj, që e kanë nisur karrierën e tyre, pikërisht kur ishin kaq të vegjël.

Një natë, ku veç të tjerash, të famshmit rrëfejnë të shkuarën e tyre e këndojnë në të njëjtën skenë me fëmijët…

Mbrëmjen e së shtunës nisi në ekranin e televizionit Publik Shqiptar, “Perform – Fest”, një produksion i Zana Çelës, nën regjinë e Petri Bozos e në drejtimin e Iva Merës. Përgatitjet për këtë spektakël televiziv që do të zgjasë nëntë javë, kanë kohë që kanë filluar.

Përgatitjet nisën në muajin shtator, ndërsa projekti ka mbi një vit që është skicuar e ripunuar disa herë, derisa u formatua në strukturën finale”, sqaron producentja Zana Çela, për të cilën “Perform-Fest” është një sfidë e re.

E quajmë sfidë, pasi duam të rrisim dimensionet e muzikës për fëmijë, duke ruajtur gjithçka të mire, që repertori i këngës për fëmijë ka pasur ndër vite. Por duke e pasuruar me krijimtarinë e re, që pasqyron zhvillimin e fëmijëve tanë të viteve të mijëvjeçarit të ri, të cilët janë mrekullisht të informuar për çdo gjë të re në fushën e teknologjive moderne, në fushën e televizionit, artit muzikor e shumë fushave të tjera të kulturës”.

Nata e parë e këtij spektakli nisi me prezencën e dy prej VIP-ave të parë të muzikës shqiptare, Irma Libohovës e Kastriot Tushës. Fëmijëria e tyre u shfaq në ekranin e madh si një histori e pasur me kujtime, fotografi e filmime koncertesh e festivalesh.

Ata kënduan këngë të repertorit të fëmijërisë së tyre, si “Gabimi i Mirelës”, të cilën Irma Libohova e këndoi së bashku me një prej fëmijëve të zgjedhur prej saj, apo dhe “Këngën e mësuesit”. Ndërsa Kastriot Tusha këndoi po bashkë me fëmijët “Vallen popullore” e “Kitara romana”.

Fëmijët kanë konkurruar mes tyre me këngët e reja të kompozuara enkas për këtë garë, siç ishte kënga “Gjithmonë më thonë se bëj gabim” e kënduar nga Sara, apo “Ç’u mërzit maçoku” e kënduar nga Anja Skëndaj, “Mbretëresha e këngës” e kënduar nga Dilan Reka, “Endrra e tij” e kënduar nga Lidia Mazniku etj. Mbrëmja u mbyll me një “Funiculi Funicula”, kënduar nga Kastriot Tusha e fëmijët dhe me këngën “Një botë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here