Aktorja e njohur botërore Vanessa Redgrave ka festuar 50-vjetorin e karrierës së saj nën shoqërinë e yjeve, duke u nderuar me “Oscar” të nderit nga “Academy of Motion Pictures Arts and Sciences“.

Aktorja ka qenë e shoqëruar nga Meryl Streep, Ralph Fiennes, Joely Richardson, James Earl Jones dhe Dame Elieen Atkins, në organizimin e mbajtur në kinemanë në Londër. Redgrave, e cila ka luajtur në më shumë se 70 filma, është shprehur të jetë e lumtur për këtë.

“Thjesht, ndihem e emocionuar për këtë nderim të mrekullueshëm“, ka thënë Redgrave. Shtatëdhjetekatërvjeçarja, pjesë e familjes së madhe të njohur ndryshe “Dinastia Redgrave“, është bërë jashtëzakonisht e njohur që në vitin 1961, kur ka luajtur Rosalinden në filmin “As You Like It“, realizuar nga “Royal Shakespeare Company“. Ajo kishte fituar çmimin “Oscar” për rolin dytësor në filmin ku ajo personifikon një aktiviste antinaziste në vitet 1977, në filmin e titulluar “Julia“.

Nderimi që i është bërë Redgraves natën e kaluar ka qenë  e para ngjarje që Akademia e Filmit mban në Evropë për të nderuar dikë. Të tjerë që janë nderuar kësisoj nga Akademia janë Sophia Loren dhe Olivia de Havilland. Ceremonitë e këtyre nderimeve zakonisht ishin mbajtur pas asaj zyrtares, që mbahet çdo vit në Los Angeles.

Ngjarja e së dielës mbrëma ka sjellë edhe skenaristin dhe regjisorin  David Hare.

“Kudo që të shkosh në botë, njerëzit e njohin dhe e admirojnë Vanessa Redgrave“, ka thënë Hare.

Ai e ka vlerësuar lart karrierën e aktores.

“Nuk ka shumë aktorë që në këto 50 vite, në mënyrë të vazhdueshme të jenë kaq të futur në historinë e kinematografisë dhe të mbesin kaq të veçantë“, ka thënë ai.

Ndërsa për James Earl Jones, Redgrave mbetet një ikonë e kinematografisë.

“E dua këtë femër. Gruaja më kupton për këtë“, ka thënë Jones. Aktori është duke luajtur në “Driving Miss Daisy“ së bashku me Vanessa Randergave.

Vajza e saj, Joely Richardson, ka thënë se Redgrave u jep performancave të saj “një eksperiencë të përmbledhur me emocione”. Ralph Fiennes e ka quajtur Redgrave “njërën nga aktoret më të mëdha të kohës”.

Aktorja ka qenë e nominuar për gjashtë çmime “Oscar”. Por, nderimi i fundit nuk përfshin edhe trofe të çmimit “Oscar”.

Ndryshe,  aktorja me nam, rrugëtimin e saj në kinematografi e ka dokumentuar në librin “Autobiografia”. Botimet KOHA së fundi librin autobiografik të Redgraves e ka sjellë në shqip. I përkthyer nga Flaka Surroi, libri “Autobiografia” në mbi treqind faqe pasqyron fragmentet vendimtare e më domethënëse të jetës së aktores që sfidoi ashpërsinë e jetës dhe përfitoi zemrat e njerëzve në gjithë botën, me angazhimin e saj si ambasadore e vullnetit të mirë. Redgrave ka vizituar Kosovën në vitin 2009, si mysafire nderi dhe kryetare jurie në edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here