Filmi “Nuk jemi në parajsë”, me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt, është ftuar që të marrë pjesë në tri festivale radhazi.

Udhëtimi i dokumentarit do të nisë nga Teherani i Iranit për të vazhduar pastaj edhe në ekranin e madh të kryeqytetit shqiptar, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Stacioni i tretë është Roueni i Francës.

Në këtë të fundit filmi e ka edhe origjinën. Filmi do të udhëtojë në Iran si prodhim francez. Xhirimet, me mjeshtrin francez të fotografisë, Remi Mazet, ajo i kishte përfunduar në shkurt të këtij viti.

Njerëzit, të cilëve në Francë u dëgjohet zëri fare pak, janë rrëfyer në dokumentarin e Lendita Zeqirajt. Gjenerata e tretë apo e katërt e qytetarëve arabë që jetojnë në shtetin trekolor, e të cilët ende nuk janë integruar plotësisht në kulturën franceze, kanë intriguar piktoren kosovare. Zeqiraj ka thënë se me këtë dokumentar ajo ka dashur t’u japë fjalën atyre që nuk e kanë zakonisht, ani pse Franca, siç thotë ajo, mbahet si një shtet demokratik. Në dokumentar ajo nuk është marrë me shqiptarët që jetojnë në Francë.

“Krejt e dinë që aty ka racizëm, ka shkelje të të drejtave të njeriut, por unë kam dashur që ato të shihen”, ka thënë Zeqiraj.

Pjesëmarrja në festivale për të është e rëndësishme.

“Aty është vendi ku shkëmbehen përvojat me regjisorët dhe njerëzit e tjerë të filmit, aty mund të hapen edhe dyert e ndonjë bashkëpunimi të ardhshëm në film”, ka thënë Zeqiraj.

Filmi i gjatë 40 minuta do të garojë në konkurrencën ndërkombëtare, në Festivalin e Filmit Dokumentar në Teheran, në dhjetor të këtij viti. Për filmin e gjashtë me radhë në karrierën e saj, Zeqiraj ka thënë se mirë do të ishte sikur të shpërblehej nga festivali.

“Në momentin që filmi merr pjesë në garë natyrisht që pres, por para së gjithash, më me rëndësi është pjesëmarrja në festivale të filmit”, ka thënë ajo.

Pas triptikut të festivaleve, Zeqiraj nuk e ka përjashtuar mundësinë që filmi të shfaqet edhe para publikut kosovar.

“Natyrisht, në ndonjë festival apo edhe si premierë”, ka thënë Zeqiraj. Ajo menjëherë i është përveshur punës për të bërë një tjetër film.

“Tani jam në bashkëpunim edhe me një produksion tjetër francez për filmin e ardhshëm që po planifikoj ta bëj”, ka thënë ajo, pa dashur të jepte më shumë detaje.

Më parë ajo ka bërë një dokumentar në Kosovë, që për temë ka pasur po ashtu çështjen e identitetit. Ai kishe pasqyruar komunitetin egjiptian në Kosovë, në dokumentarin “Albanian Egyptian”. Vazhdimi i temës “në kërkim të identitetit” atë e ka dërguar drejt Francës. Meqenëse ka jetuar në Francë për një dekadë, ajo thotë se nuk e ka pasur të vështirë të gjejë karakteret që rrëfejnë historitë e tyre.

Filmi i parë artistik i Zeqirajt, “Exit”, është shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Cannes, si dhe në shumë festivale të tjera të filmit në botë, teksa ka marrë shtatë çmime të rëndësishme. Filmi është shpërblyer në New York, Los Angelos, Francë, Zvicër, Shqipëri dhe Egjipt. Përveç “Albanian Egyptian”, dhe dokumentarit që aktualisht është duke punuar, Zeqiraj ka bërë edhe dokumentarin “Crying for recognition”. Ajo ka thënë se së shpejti dokumentarët e saj do të shfaqen në Kinemanë ABC të Prishtinës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here