Mesi i tetorit ka gjetur në Tiranë plot 44 bukuroshe të ardhura nga skajet më të largëta të botës, për t’u njohur me Shqipërinë, historinë dhe turizmin e saj dhe për t’u përgatitur për natën finale të edicionit të 38 të “Miss Globe 2011”.

Është shënuar kështu starti i konkursit ndërkombëtar të bukurisë, i treti për nga rëndësia në botë dhe producenti Petri Bozo është në përgatitjet e fundit për natën finale.

Mbrëmjen e 1 nëntorit ky event shënon vitin e tetë që zhvillohet në Shqipëri. Turi i këtij viti për vajzat ka qenë i shtrirë në një hartë që përfshinte Jugun dhe Veriun së bashku.

Miss-et kanë vizituar Apoloninë, zonat turistike të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe në ditët në vijim do të vazhdojnë në Kavajë e Pogradec. Ditët e tyre kanë qenë të ndara mes argëtimit, setit të fotografive, xhirimit të klipeve që transmetohen në TVSH, – ekrani që ka ekskluzivitetin e transmetimit për këtë vit – peshkimit në Adriatik, udhëtimit me kuaj në shpellën e Pëllumbave në Bërzhitë, njohjen me historinë e Shqipërisë dhe organizimin e minikonkurseve, pjesë e këtij kompeticioni të rëndësishëm. Gara mes tyre ka nisur së pari të martën mbrëma, kur është zhvilluar edhe minikonkursi i parë, “Miss Bikini”.

Në sytë e jurisë së përbëri nga drejtori nacional i Kinës, Yudong Zhou, drejtorit nacional të Maqedonisë, Miki Cwrnokrak, Piter Bros, koreografes Olta Ahmetaj, producentit Petri Bozo dhe modeles Skandinada Lalaj, vajzat konkurrente kanë parakaluar në disa sfilata me veshje popullore, fustane mbrëmje dhe bikini. Gara ka qenë e fortë, por edhe emocionet gjithashtu. Për më tepër që në finale kanë dalë dy bukuroshe me pikë të barabarta: “Miss Polonia”, Marta Kownierowicz dhe “Miss Guajana”, Aletha Rose Shepherd.

Në votimin e fundit ka triumfuar bukuroshja e Guajanës, e cila ende pa filluar spektakli i madh ka siguruar një kurorë bukurie. Deri natën finale të 1 nëntorit ato do të konkurrojnë edhe për minikompeticionet e tjera, pjesë e konkursit si “Miss Queen International”, “Miss Talent Show” etj. Në këtë edicion të 38 Shqipëria do të përfaqësohet nga “Miss Shqipëria”e këtij viti, Kejdi Jashari, ndërsa Kosova nga bukuroshja Adelina Gashi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here