Regjisorët Ekrem Kryeziu e Luan Kryeziu e kanë shkelur edhe afatin e dytë që kanë kërkuar për premierë të filmave të cilët  qe tre vjet janë financuar nga shteti.

Të dy regjisorët, përveç afataeve të parashikuara me kontratë (që u kanë skaduar vitin e kaluar), nuk kanë respektuar as kohën që Qendra Kinematografike e Kosovës u ka dhënë pas kërkesës që të shtyhen premierat. Dita e fundit e dhjetorit të vitit të kaluar ka qenë ultimatumi që u ka dhënë QKK-ja.

Por ata vazhdojnë të japin tjetër afat për shfaqjen e filmave të tyre. “Kodi i jetës” i Ekrem Kryeziut dhe “Heroi” i Luan Kryeziut, sipas paralajëmrimeve të vetë regjisorëve, do të marrin “bekimin” e audiencës brenda këtij viti. Derisa ekipi i “Kodi i jetës” siguron që filmi do të shfaqet në ekranin e madh të kinemasë më së largu deri në muajin mars, Luan Kryeziu nuk e ka idenë se kur do të jepet premeira e “Heroit”.

E gjitha për çka mund të garantojë regjisori është se filmi do të shfaqet brenda vitit 2012. “Kodi i jetës”, i cili në vitin 2009 është financuar me 240 mijë euro, në mars të vitit të kaluar kishte bërë kërkesë në QKK për të shtyrë afatin e realizimit. Ngjashëm edhe “Heroi” në shtator të vitit të kaluar kishte pasur afatin e fundit për premierë. QKK-ja kishte pranuar kërkesat e tyre, por regjisorët nuk i janë përmbajtur as premtimit të dytë dhe kanë kërkuar që afati të shtyhet deri në muajin mars.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ia ka hedhur fajin pararendësve të tij duke thënë që një problem i tillë është përsëritur me vite.

“Jemi munduar që projektet të cilat janë përkrahur prej momentit që jemi ne në QKK të mos lejojmë të zvarriten e për të tjerat s’kemi pasur çka të bënim, sepse ka qenë një situatë e kryer”, ka thënë Zharku.

Ai ka pranuar se “Kodi i jetës” e “Heroi” përveç afateve të përcaktuara me kontratë i kanë shkelur edhe afatet shtesë që u ka dhënë QKK-ja, por nuk ka folur për masa konkrete.

“I kemi thirrur disa herë në takime dhe ata na janë arsyetuar në mënyra të ndryshme duke na lutur që të shtyhen datat. Por tani e kanë tejkaluar limitin dhe shpejt do t’i ftojmë në takim”, ka thënë Zharku. “Ata kanë bërë kërkesë që premierat të shtyhen për në mars dhe ne javën e ardhshme do të takohemi për të shqyrtuar këtë gjendje”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, regjisori Ekrem Kryeziu ka dhënë edhe një tjetër afat për premierën e filmit të tij.

“Po presim ende të caktojmë datën, por jemi përcaktuar që premiera të jetë pas festës së Pavarësisë ose më së largu në fillim të muajit mars”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu, i cili pati paralajmëruar se “Kodi i jetës” do të ketë premierën në festivalin prestigjioz “Berlinale”, thotë se këtë punë e ka lënë në duar të QKK-së. Por ai është shprehur i gatshëm të “ballafaqohet” me audiencën.

“Nuk kemi përgjigje zyrtare. Po presim, pasi filmin e ka dërguar QKK-ja”, ka thënë Kryeziu. Për audiencën vendore ka tjetër shpresë.

Ndryshe, kolegu i tij Luan Kryeziu nuk e ka idenë se në cilin muaj do të shfaqë premierën e “Heroit”.

“Nuk kemi caktuar asnjë datë, por premiera do të jepet këtë vit. Jemi duke punuar në miksimin e tonit dhe me kompozitorin Billy Cobham, i cili është duke realizuar muzikën e filmit”, ka thënë Kryeziu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here