Kanuni” është shfaqja e regjisores Agnes Nokshiqi, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në festivalin “Off Europa”.

Festivali, i cili në secilin edicion u kushtohet kombeve ose shteteve të caktuara, sivjet nis rrugëtimin më 17 shtator dhe mbahet në Lajpcig dhe Dresden të Gjermanisë. Në edicionin e njëzetë, ky festival Kosovën dhe Shqipërinë do t’i shndërrojë në objekt studimi intensiv.

Gjatë festivalit, në dy qytetet gjermane do të jepen shfaqjet e këtyre dy vendeve. Krahas shfaqjeve nga Kosova dhe Shqipëria, programi do të përcillet edhe me shfaqje filmash, koncerte, ligjërata dhe debate.

Agnes Nokshiqi, regjisore e “Kanunit”, është shprehur e kënaqur që shfaqja do të jepet në këtë festival.

“Definitivisht është shumë e rëndësishme që shfaqja do të prezantohet para publikut gjerman”, ka thënë Nokshiqi. “Kanuni” është dhënë premierë në vitin 2005 në teatrin “Oda”.

“Ky është rikthim i shfaqjes, sepse nuk është dhënë që nga viti 2006. Është shfaqje me pak tekst, më shumë e përqendruar në lëvizje”, ka thënë Nokshiqi, derisa ka shtuar se tema e shfaqjes prek disa segmente të Kanunit, duke përfshirë besën, trashëgiminë, vdekjen etj.

Në shfaqjen “Kanuni” luajnë aktorët: Fitore Broçi, Fidan Mamusha, Leonora Mehmetaj, Vedat Haxhiislami dhe Shkëlzen Veseli.

Festivali “Off Europa” është themeluar në vitin 1992 në Lajpcig dhe iu kushtohet kryesisht kombeve ose shteteve të caktuara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here