Vetëm disa ditë pas premierës në Amerikë, filmi i regjisorit Christopher Nolan, “Inception”, me aktorin Leonardo DiCaprio, është radhitur në filmat pretendentë për të rrëmbyer çmimin “Oscar”.

Edhe pse Akademia që ndan çmimin “Oscar” nuk kishte ndarë ndonjë çmim për filmin e tij, “The Dark Night”, ata tani mendojnë se filmi i ri i regjisorit do të shpërblehet.

Ndërkohë që vitin e kaluar shumë regjisorë dhe autorë filmash kishin protestuar se përse nuk i është dhënë asnjë çmim filmit të Nolanit. Mirëpo, akademia kishte dalë me arsyetimin se “thjesht kriteret tona janë këto dhe ne nuk mund të dalim jashtë vetes”.

Ndërsa filmi më i ri i regjisorit Nolan është duke korrur sukses kur vetëm për tri ditë të shfaqjes në ekranin e madh ka arritur të sigurojë mbi 60 milionë euro të hyra. Mirëpo në një analizë të shumë ekspertëve filmikë në ueb sajtin metacritic.com e njohur si parashikuese të ndarjes së çmimeve “Oscar”, del se filmi “Inception”, nuk është vetëm një film i radhës që po thyen rekorde. Njëri nga kritikët më të njohur në Amerikë, Kenneth Turan, ka thënë se filmi është njëri ndër projektet më të realizuara gjatë këtij viti.

Deri te ndarja e çmimit “Oscar” ka edhe gjashtë muaj kohë.Ai thjesht është një film i mrekullueshëm, profesional me përzierje brilante të filmit tradicional dhe atë modern”, ka thënë Turan, i cili duke debatuar në sajt, ka thënë se vota e tij sivjet do t’i shkoj këtij filmi.

Ndërsa kompania e cila e ka prodhuar filmin “Warnes Bross”, ka thënë se është duke kërkuar një hapje të tregut të kinemasë edhe në shumë qytete të tjera në Amerikë, në mënyrë që të shpërndajë publikun, i cili u është vërsulur kinemave ku po shfaqet filmi.

Gjithashtu edhe në “US Today”, është debatuar në lidhje me filmin ku kritiku Tom Majers, i cili njihet për kritikat e tij të ashpra në lidhje me prodhimtarinë amerikane të filmit ka thënë se “filmi i regjisorit Nolan’s është një realizim shumë i mirë teknik dhe më një tregim të mrekullueshëm brenda”.

Një kritikë afro dyfaqeshe i është dhënë filmit “Inception”, në të përditshmen “Los Angeles Times”, ku filmi është cilësuar si “një tregim i cili duket aq i vërtetë, por që e di që nuk është i tillë”. Sipas këtij artikulli regjisori Nolan’s ka arritur që të japë maksimumin nga vetja e tij duke dalë përtej një filmi të zakonshëm.

Për Leah Rozen, kritik filmi i cili ka shkruar një kolumne në sajtin “the warp.com”, filmi është thjesht i mahnitshëm.Ai të provokon dhe të angazhon në maksimum mendjen dhe sytë. Por ai nuk të prekë në zemër sikur shumë filma të cilët për mua janë të kotë”, ka thënë Rozen. Mirëpo, sipas tij, ky mund të jetë një bllok për anëtarët e Akademisë, sepse, sipas tij, ata viteve të fundit po votojnë për zemrat dhe jo për kokat.

Të votosh një film pse të prek zemrën është budallallëk. Këtë po e bën kohëve të fundit Akademia. Më në fund kanë rastin që të votojnë për kokën dhe imagjinatën e regjisorin Nolan”, ka potencuar kritiku Rozen.

Ndërkohë që kritikë e filmit nga e gjithë bota nuk po ndalen së komentuari filmin me aktorët Leonardo DiCaprio, Ellen Page dhe Ken Watanabe, vetë regjisori thotë se nuk është shumë optimist nëse filmi i tij do të shkojë aq larg.
“Për mua është sukses nëse filmi merr kritika sikur këto që po i lexoj dhe dëgjoj ditëve të fundit.

Por kritikën më të mirë jemi duke e marrë nga vetë publiku, i cili po e shikon në masë të madhe filmin. Të them të drejtën nuk më bëhet vonë për mendimin e Akademisë”, është shprehur Nolan.

Ndërkohë që loja e kritikave po ecën në favor të filmit të Nolanit, për vetë aktorin në rolin kryesor të këtij filmi Leonardo DiCaprio, gjendja është më e vështirë. Ai gjithashtu është kandidat shumë serioz në filmin “Shutter Island”, ku ka marrë kritika të mira nga filmbërësit dhe regjisorët.

Ai në një intervistë për të përditshmen e Los Angelos-it është shprehur se ndihet “sikur një person në prag të mbrëmjes së maturës dhe me dy vajza që i pëlqejnë, por që nuk e di se cilën ta ftojë, sepse të dyja i do”.

Megjithëkëtë, edhe për kritikun David Edelstein, të dy filmat ku aktori DiCaprio ka luajtur e meritojnë një profil. Ai është e gjitha që i duhet Akademisë që të dhurojë çmime. Për filmat le të bëjnë çfarë të dojë”, ka thënë Edelstein.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here