“Hekurishtja”, me regji të Burim Halitit, ka “rrëmbyer” dy trofe në festivalin ndërkombëtar të filmit “Zoom – Zblizenia” në Jelenia Gora të Polonisë.

Filmi i vetëm i shkurtër shqip në edicionin e 14-të të këtij festivali është shpërblyer me çmimin kryesor për filmin më të mirë dhe me atë të audiencës.

Në festivalin pesëditor që ka nisur rrugëtimin me 15 të këtij muaji, kanë garuar 73 filma të shkurtër artistikë nga vende të ndryshme, si Spanja, Anglia, Gjermania, Sllovakia, Çekia, Franca, Hungaria, Irlanda, Polonia, Kroacia etj. “Zoom – Zblizenia” është një nga evenimentet më me ndikim dhe më të rëndësishme të filmit të pavarur në Poloni.

Lajmin për marrjen e çmimeve të dielën e ka konfirmuar vetë regjisori Haliti nëpërmjet telefonit.

Para gjysmë ore u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mora dy çmime”, ka thënë Haliti. “Filmi u shpërblye me ‘Best Audience’ dhe me çmimin për filmin më të mirë në kategorinë kryesore”, ka shtuar ai.

Haliti po ashtu ka dhënë përshtypjet e tij për festivalin, duke u fokusuar në vlerësimin që i është bërë filmit “Hekurishtja”.

Festivali ka shkuar shumë mirë, ka pasur kineastë të vendeve të ndryshme. Po ashtu filmi është pritur mirë”, ka thënë ai, duke iu referuar debatit që është mbajtur pas shfaqjes së “Hekurishtja”.

Juria e ka pëlqyer filmin, sidomos për temën sociale që ngjason me ato që ka përjetuar më herët Polonia. Filmi është pëlqyer shumë, sikurse aktrimi ashtu edhe regjia dhe fotografia, edhe pse kemi punuar me teknikë jo shumë të mirë”, ka thënë ai.

“Hekurishtja” trajton mbijetesën në Kosovë, është realizuar në vitin 2007 në kuadër të festivalit të filmit “Nine Eleven”, në të cilin është shpërblyer me çmimin kryesor, atë për kamerën më të mirë dhe për aktorin më të mirë.

Në “Tirana International Film Festival” ka marrë çmimin “Best Fiction” (Filmi më i mirë artistik), përderisa në “Festivali i Kombeve”, në qytetin Ebensee të Austrisë, filmi ka marrë çmimin “Ariu i artë” dhe çmimin “Unica” për filmin më të mirë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here