Ekipi i filmit “Gomarët e kufirit”, në krye me regjisorin Jeton Ahmetaj dhe drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Zeqir Hamiti, kanë zënë nga një ulëse në tribunën e Kinemasë ABC-së, vetëm pak minuta pasi është dhënë premiera për gazetarë e këtij filmi.

Në 105 minuta, filmi ka për personazh një mësues idealist i cili përjeton dhunën e sistemit të ish-Jugosllavisë, teksa i shfaqet ëndrra që të kalojë në Shqipëri, iluzioni i të cili prishet me të kaluar kufirin në një mënyrë krejt të pazakontë. Një burim uji, i përbashkët për të dy fshatrat e të dyja shteteve bëhet mjet i kontrollit të qytetarëve nga regjimet e të dyja shteteve.

Elementi i tradhtisë kombëtare, ai i martesës janë gërshetuar në rrëfimin që ka shkruar dramaturgu Jeton Neziraj. Ai, bashkë edhe me kameramanin Shukri Kaçaniku, si dhe me kastën e aktorëve (Veton Osmani, Enver Petrovci, Bislim Muçaj, Hysen Binaku e Hazir Haziri) i janë bashkuar konferencës për shtyp. Ata kanë thënë se kanë pritur që do të marrin komplimente nga gazetarët, por kanë hasur në pyetje që i kanë vënë jo pak në siklet. Zhanri i padefinuar, ka qenë vetëm njëra ndër vërejtjet, ndërsa kritika jo fort pozitive “Gomarët …” ka marrë edhe nga kritikë filmi.

Skenaristi e dramaturgu Arian Krasniqi, i cili thotë ta ketë lexuar skenarin para se të niste xhirimi i këtij filmi, ka bindjen se produkti final ka defekte në leximin regjisorial të skenarit.

Për regjisorin Jeton Budima, megjithëse tema e filmit është interesante, realizimi i tij është modest, si në interpretim, ashtu edhe në realizim e montazh.
“Është më shumë projekt i realizuar brenda narracionit, ku përjashtohet dimensioni estetik”, ka thënë Budima, teksa ka shtuar se ky film u dedikohet shikuesve, por nuk është projekt i rëndësishëm për festivale.

Në bazë të asaj që kam parë, ky film nuk ka kurrfarë gjasash për festivale të rëndësishme. Si pikë e parë në film dominon komedia, zhanër i cili përjashton thellësinë, interpretimi i aktorëve (hiq Enver Petrovcin dhe Bislim Muçajn) është klishe, stereotipe dhe shumë artificiale”, ka thënë Budima.

Nuk ka pasur njëtrajtshmëri në qasjen regjisoriale, në raport me zhanrin e filmit. Filmi ka probleme në zhanër. Herë vjen si komedi herë si dramë”, ka thënë Krasniqi, që filmit i ka gjetur edhe behane në skenografi, e cila sipas tij nuk është bindëse.

Nëse ne nuk kemi qenë të lindur në atë kohë në të cilën zhvillohet ngjarja, na është bërë e qartë nga gjeneratat se çfarë ndarje fizike e hekurt ka qenë në mes të dy shteteve, ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ndërsa atë që kemi parë si konstruksion skenografik të kufirit, është totalisht e pabesueshme”, ka thënë Krasniqi i cili jo rrallë bën kritikë filmi.

Në njoftimin zyrtar të Kinemasë së vetme të kryeqytetit thuhet se filmi i takon zhanrit komedi. Regjisori Ahmetaj ka thënë se ky është një lëshim, por as ai nuk ka mundur ta përcaktojë zhanrin e filmit të tij.
“Në një film mund të ketë zhanër të definuar si dramë, komedi, tragjedi, por ka edhe filma që kombinojnë shumë zhanre.

Për ne është dramë komedi, e për ata që i njohin këto rrethana janë edhe tragjike”, ka thënë Ahmetaj. E për Jeton Nezirajn, i cili e ka shkruar skenarin e këtij filmi çështja e definimit të zhanrit të një filmi është i parëndësishëm.

Kur kam nisur ta shkruaja këtë skenar natyrisht se kam pasur një materie, mirëpo publiku kur vjen të shikojë një film, ai nuk thotë se po shkoj të shoh një dramë, një komedi apo një tragjedi, sepse ajo është e parëndësishme. Ajo varet se si e sheh publiku, dikush mund ta shohë si dramë, dikush si komedi”, ka thënë Neziraj.

I të njëjtit mendim është edhe aktori Enver Petrovci. Për të definimi i zhanrit është formalitet.
“Së pari kam besuar në skenar. Unë nuk besoj në asnjë zhanër, por besoj vetëm në atë që është zhanri i jetës. Me rëndësi është që ky film i pëlqen apo nuk i pëlqen, e prek apo nuk e prek publikun e rëndomtë”, ka thënë Petrovci. Ai nuk ka dyshimin që ky film, që do të jepet në kinemanë e vetme të kryeqytetit në tre terminë, do të arrijë të tubojë mjaft shikues.

Nëse edhe ky film nuk shikohet, atëherë unë për herë të parë prej pasluftës mund të them se krijuesi nuk ka faj, për çka kam menduar deri tash, por fajtor është publiku që nuk dëshiron të shohë film”, ka thënë Petrovci.Sido që të jetë, për regjisorin Jeton Ahmetaj, ky film është mirë i realizuar dhe si i tillë u hap rrugë edhe shumë të tjerëve të rinj.

Filmi “Gomarët ….” që bazohet në ngjarje të vërtetë, është bashkëfinancar më 2008 nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si projekti i pari i këtij institucioni për film të metrazhit të gjatë. Premiera e tij, sipas kontratës me QKK-në, ishte përcaktuar më 31 maj, por ishte shtyrë, sherri i mungesës së mjeteve.
I pari i QKK-së, Zeqir Hamiti, ka thënë se me Ahmetajn dhe ekipin e tij filmik ka pasur një bashkëpunim të mirë, teksa ka shprehur kënaqësinë që filmi është realizuar brenda afateve kohore.

Filmi ka pasur një premierë të mbyllur në shtator në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilmFest” ku mori çmimin e publikut ani pse është shfaqur vetëm një herë./koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here