Filmi “Gomarët e kufirit” i regjisorit Jeton Ahmeti do të marrë pjesë në edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Qipro, në mes datave 30 shtator dhe 16 tetor.

Filmi i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike do ta përfaqësojë Kosovën si shtet. Qiproja nuk e ka njohur ende shtetësinë e Kosovës, përderisa në ueb-faqen zyrtare të festivalit Kosova figuron si shtet në mesin e 11 vendeve pjesëmarrëse. “Gomarët…” garon për çmimin kryesor të këtij festivali, “Golden Aphrodite”.
Regjisori Ahmetaj ka thënë se qëllimi i secilit filmbërës është që puna e tij të shihet në sa më shumë festivale, në secilin vend të botës. Për pjesëmarrjen në shtetin e Bashkimit Evropian, Ahmetaj shkon edhe më larg.

“Në janar të vitit 2008 jemi paraqitur në Suedi dhe atëbotë ky shtet nuk e kishte pranuar Kosovën. E njëjta gjë është me Qipron. Ky është një paralajmërim se edhe ky shtet do të na njohë shpejt”, ka shfaqur shpresën Ahmetaj. Ani pse ky shtet ka deklaruar se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, madje nëse këtë e bën Serbia.

Deri tani është e sigurt që aktori Enver Petrovci – i cili luan njërin nga rolet kryesore në këtë film – do të udhëtojë për në Nikozi.

“E kam ftesën zyrtare, por të shohim. Petrovci ka pasaportë biometrike shqiptare dhe ai do të udhëtojë për në Qipro”, ka thënë Ahmeti. “Nëse shkon gjithçka në rregull, do të marrim pjesë një ekip prej 5-6 vetave, që përveç Petrovcit do të përbëhet edhe nga Veton Osmani, Hazir Haziri dhe Shkumbin Istrefi”, ka shtuar ai.

Filmi që konkretizon rrëfimin e vitit 1968, në një zonë kufitare mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ku një burim uji është vendtakim i njerëzve andej e këtej kufirit nën hijen e tytave të dy ushtrive armike, qe bashkëfinancuar nga QKK-ja në vitin 2008. Është filmi i katërt i metrazhit të gjatë i realizuar pas luftës së fundit në Kosovë.

Ai kishte hapur edicionin e dytë të festivalit të filmit “PriFilmFest”, ku edhe ishte shpërblyer me çmimin e audiencës. Ky film ka fituar edhe disa shpërblime në Kosovë, Shqipëri dhe në Paris. Për “Gomarët…” kjo është pjesëmarrja e gjashtë në një festival ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here