Rock bendi “Garazhat e bardha” kanë vazhduar lansimin e këngëve në bashkëpunim me hip – hop artistë.

Pas “Cha kisha ngjyros” me Mc Kreshen, këtë herë ata kanë lansuar “Hello-Hello-Hello” me një tjetër reper. Ky është reperi i ri Nitti-Bronx që këtë herë është mysafiri në këngën e re të “Garazhave…”.

Producenti dhe këngëtari i bendit, Bashkim Myftari, ka thënë se kjo është e rastësishme.

“Nuk është pse duam që gjithmonë të bëjmë bashkëpunime me hip- hop artistë, mirëpo për këngën e dytë, Nitti erdhi në studio dhe filluam disa freestyle dhe doli shumë mirë. Menduam pse mos ta bëjmë”, ka thënë Myftari.

“Hello-Hello-Hello” pritet të promovohet live në “Rock Fest” në Mitrovicë që do të mbahet më 9 korrik.

Kënga, e cila, sipas Myftarit, është realizuar para më shumë se një muaji, do të vizualizohet.

“Në Mitrovicë do t’i bëjmë disa xhirime, mirëpo se kur e si nuk dihet për spotin”, ka thënë Myftari.

E përveç videospotit, “Garazhat e bardha” do të sjellin albumin e tyre të dytë brenda këtij viti.

“Po shpresojmë që deri në fund të këtij viti të publikohet albumi i ri që pritet të ketë diku dhjetë këngë”, ka thënë Myftari. Teksa emri i albumit të ri ende nuk është vendosur, bendi ka një album që është titulluar “Krejt si n’Mjaltë”.

Pas daljes në treg të albumit të dytë, bendi, sipas Myftarit, do të nisë një turne nëpër Kosovë dhe Shqipëri.

“Mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Myftari.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here