Rrëfimi shqiptar për gjakmarrjen i “shkrirë” në shirit filmik nga regjisori amerikan Joshua Martson ka fituar “Ariun e argjendtë” për skenarin më të mirë në edicionin e 61-të të Festivalit të Filmit në Berlin.

Filmi me skenar të Andamion Murtajt, që ka bërë bashkë kastën e aktorëve shqiptarë Rafet Abazi, Çun Lajçi, Ilire Vinca, Luan Jaha, Veton Osmani, Tristan Halilaj, Sindi Lacaj, po ashtu është shpërblyer me çmimin “Special Mention” nga juria e pavarur ndërkombëtare.

“Falja e gjakut” ka dërguar për herë të parë dy aktorët kosovarë, Ilire Vinca e Çun Lajçi, në tepihun e kuq të festivalit prestigjioz. Ai vë në qendër një familje që jeton në një vend rural të Shqipërisë, që izolohet për shkak të gjakmarrjes.

Në qendër të gjakmarrjes e të injorancës shtatëmbëdhjetëvjeçari Nik bashkë me vëllanë shtatëvjeçar dhe motrën Rudinën (15) nuk janë të lejuar të dalin nga frika se do të vriten.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të “Berlin Film Festival”, të shtunën mbrëma nxori fitues të çmimit kryesor regjisorin iranian Asghar Farhadi, me filmin “Nader and Simin”.

“Nader and Simin” mposht konkurrentë të fortë

Tepihu i kuq i Berlinales – ku të premten në mbrëmje ka parakaluar edhe kasta e aktorëve shqiptarë bashkë me regjisorin Martson – në natën finale do të duhej të ishte ngjyrosur me të gjelbër, që është ngjyra iraniane e lirisë, pasi filmi nga Irani, “Nader and Simin, A Saparation”, me regji të Asghar Farhadit, ka fituar “Ariun e artë” për filmin më të mirë.

Sipas “Hollywood Reporter”, kasta e këtij filmi ka rrëmbyer edhe dy çmimet për aktorët më të mirë, duke mposhtur konkurrentë të profilit të lartë si Ralph Fiennes dhe Vanessa Redgrave, të filmit “Coriolanus” dhe Kevin Spacey e Jeremy Irons të “Margin Call”.

Drama e regjisorit Farhadi shtjellon ndarjen e një familjeje iraniane që është kundër tensioneve politike në Teheran.

Nader and Simin, a Saparation” doli fitues i madh i Festivalit të Filmit në Berlin, por jo edhe i vetmi. “Ariun e argjendtë” e ka marrë filmi “The Turin Horse”, i regjisorit hungarez, Bela Tarr.
Ulrich Kohler ka fituar “Ariun e argjendtë” për regjisorin më të mirë me dramën “Sleeping Sichkness”.

Çmimi “Alfred Bauer Award”, që mban emrin e themeluesit të festivalit, i ka takuar regjisorit Andreas Veiel për filmin biografik “If not Us, Who?”.

Për arritje të mëdha artistike trofeun “Ariu i argjendtë” e ka marrë Wojiciech Staron.
Juria e edicionit të sivjetmë i Berlinales e udhëhequr nga aktorja Isabella Rossellini ka përzgjedhur fituesit nga 16 filma që kanë garuar për çmimet e festivalit.

Shqip në Berlinale

Aktorja Ilire Vinca, e cila për herë të parë përjetoi ethet e parakalimit në tepihun e kuq të Berlinales, përkrah yjeve të kinematografisë botërore, është shprehur e entuziazmuar me suksesin e filmit.

Ishte ndjenjë shumë e mirë të parakaloje në tepihun e Festivalit të Berlinit. Filmi po ashtu mori kritika shumë pozitive dhe jemi shumë të kënaqur”, ka thënë Vinca për “Kohën Ditore”, nëpërmjet telefonit, duke zbuluar se është shpërblyer nga juria e pavarur ndërkombëtare e festivalit.

Pak më parë morëm një çmim nga juria ndërkombëtare e pavarur, por përshtypjet tjera do t’i jap kur të kthehem”, ka thënë pak kohë para se të niste ceremonia solemne.
Kineastët kosovarë të cilët kanë qenë të pranishëm në edicionin e 61-të të Festivalit të Filmit në Berlin kanë shkëputur fragmente nga eksperienca e tyre në evenimentin prestigjioz.

Për regjisorin Fatos Berisha, drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFilmFest”, e veçanta kryesore e edicionit të sivjetmë të “Berlinales” ka qenë prania e filmave shqip. Pos “Falje gjaku” në Berlinale jashtë konkurrencës janë shfaqur “Amnistia” i regjisorit shqiptar Bujar Alimani dhe “Shqiptari” i regjisorit gjerman, Johannes Naber një rrëfim po ashtu për gjakmarrjen.

Na bëri të ndihemi mjaft krenarë dhe shpresojmë që në një të ardhme jo të largët të dërgojmë edhe filma nga Kosova”, ka thënë Berisha.
Ai i ka dhënë notë pozitive filmit “Falja e gjakut”, premierën e të cilit ka pasur rast ta shohë në Berlin.

Është një qasje subtile e regjisorit amerikan për një temë të vrazhdë, por mendoj se e ka trajtuar me shumë respekt temën shqiptare”, ka thënë Berisha, teksa ka komentuar mirëpritjen që i është bërë filmit “Falja e gjakut” nga audienca. “Publiku e priti shumë mirë. Pati një aplauzë shumë të gjatë pas premierës”, ka thënë ai.

Edhe regjisorja Arta Kallaba, e cila ka qenë e pranishme në festival, është kthyer nga Berlini me përshtypje të mira.

Për mua ka qenë hera e parë që kam shkuar në këtë festival dhe motiv ka qenë pikërisht fakti që kemi pasur aktorë nga Kosova për herë të parë dhe u kemi dhënë së paku përkrahje morale”, ka thënë Kallaba.

Ishte kënaqësi t’i shohësh aktorët tanë në një festival të madh botëror, ku marrin pjesë yje nga gjithë bota”, ka thënë ajo, teksa i është kthyer filmit. “Është shumë mirë i realizuar. Loja e aktorëve është e shkëlqyer, sidomos e dy të rinjve në rolet kryesore”, ka thënë ajo.
Vjosa Berisha, drejtoreshë e “PriFilmFest”-it, po ashtu ka përcjellë për së afërmi edicionin e 61-të të festivalit prestigjioz të filmit.

Berisha ka thënë se përveç takimeve dhe kontakteve me kineastë të rëndësishëm, ajo ka pasur rastin të shohë edhe premierën e filmit që i ka dërguar në “Berlinale” aktorët nga Kosova. Ajo ka zbuluar edhe një detaj. “Pritja e kastës së këtij filmi u bë nën tinguj të muzikës popullore shqipe”, ka thënë Berisha.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here