Filmi “Falja e gjakut”, fituesi i “Ariut të Argjendtë” në Berlin, u rikthye në vendin e origjinës me premierën e parë paraditen e së martës për mediat.

Prodhimi kinematografik i regjisorit amerikan Joshua Martson sjell zakonin e vjetër të gjakmarrjes që ngujon një familje dhe përmbys të ardhmen e tyre. Jetët e Nikut dhe të motrës së tij më të vogël Rudina, trazohen kur një vrasje ndodh pas një zënke për një rrip toke, e cila e fut familjen e tyre në gjak.

Skenaristi i filmit Andamion Murataj, në konferencën për shtyp, tha se janë përpjekur të sjellin një film të vërtetë deri në kockë, një film të drejpërdrejtë, gati dokumentar. Filmi, sipas skenaristit, nuk ka esencë të tij kanunin, raporton BalkanWeb. Ai është një gjë shumë e largët.

“Ajo që na bëri përshtypje është se brënda komunitetit ekzistonin mekanizma për të zgjidhur konfliktet dhe filmi ka pikërisht këtë në esencën e tij”, tha Murataj.

Protagonisti i filmit, aktori i ri, Tristan Halilaj, interpeton Nikun, një adoleshent të cilit brenga për ëndrrat e tij të ndërprera fillon t’i shndërrohet në zemërim e më pas në rebelim, teksa ditë pas dite ai thur një plan për t’i dhënë fund ngujimit të tij.

Halilaj u shpreh se për të vështirësia më e madhe ka qënë kërkimi i detajeve për të krijuar idenë për psikologjinë e personazhin.

“Nuk kisha ndonjë referencë timen personale për ta lidhur me rolin dhe për këtë më kanë ndihmuar shumë takimet me familje të ndryshme që e kanë kaluar atë fenomen ose që jetojnë me të”, tha Tristan Murataj.

Personazhi i tij, veç luftës për lirinë, sjell dhe marrëdhëniet e tij me babain, një konflikt brezash për të cilat skenaristi tha se janë dy zgjedhje epokash.

“Niku dhe i ati në fillim janë një karakter, bëjnë të njëjëta zgjedhje. Gradualisht ndodh ndarja sepse sensi i lirisë është personale”, tha Antamion Murataj.

Babai është personazhi i njeriut të motivuar që sakrifikon për familjen, por ndarja mes tij dhe të birit vjen kur ky i fundit gjykon aktiv e vrasjes së babait. Kur Nikut iu vu në pikëpyetje liria personale ai fillon të zhvishet nga morali social. Filmi, puna për të cilin ka fillur që në maj 2010, është xhiruar në Shkodër dhe në të interpretojnë aktorët nga Kosova si: Ilire Vinca- Çelaj, Qun Lajqi, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj, etj.

Një personazh tjetër në qendër të filmit, është edhe 15 vjeçarja Rudina, e interpetuar nga Sindi Lacej. Ajo është femra e fortë, edhe pse e re, arrin t’i bëj ballë ç’do situate.

“Takimi me shumë vajza të ndryshme me histori të ndryshme formoi Rudinën në mëndjën time. Duke i takuar, ato në një farë mënyrë të frymëzonin dhe të përcillini gjithë çfarë kishin”, tha aktorja e re Lacej.

Aktorët janë vazhdimisht të ndjekur nga kamerat, një zgjedhje kjo për të treguar se i gjithë filmi është një perceptim, një element dokumentaresk ky i filmit.

“I gjithë filmi nuk ka një sy asnjëanës, por dinamikën se si ne i perceptojmë gjërat një zgjedhje e mirëfilltë estetike”, tha skenaristi, Antamion Murataj.

Autenticiteti i filmit nuk ruhet vetëm tek karakteret, por edhe tek gjuha. Një gjuhë dialektore shumë lokale, për të cilën Murataj tha se nuk mund të ishte ndryshe. Egzistonte frika e gjuhës në konkurimet ndërkombëtare, por rezultoi se historia ishte e tillë që e tejkaloi gjuhën.

Fundi i filmit nuk është ai që duket. Më shumë se fitimi i lirisë për Nikun, është suksesi i negociatës së tij. Pas shumë përpjekjesh dhe barrierash Niku arrin të ndërtojë urën e komunikimit. “Filmi nuk është një histori optimiste, por një histori suksesi”, tha skenaristi Murataj.

Filmi, bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare “Lissus Media” dhe asaj amerikane “Dean Street Production” do të shfaqet premierë në kryeqytet në 17 shtator në kinema “Millennium”, më pas ai do të çel Festivalin e Filmit në Prishtinë.

“Falja e gjakut”, pasi ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, ku ka konkuruar në kategorinë A, ka gjetur distrubutorë për t’u shfaqur në thuajse të gjitha vendet anglishtfolëse. Nesër ai do të shkojë drejt Festivalit Ndërkombëtar të Torontos, ku konkuron në seksionin e kinemasë kontemporane botërore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here