Një triler për krizën financiare me aktorët Kevin Spacey dhe Demi Moore dhe filmi francez në 3D do të luftojnë për çmimet kryesore të festivalit të filmit të muajit të ardhshëm të Berlinit, parashikojnë kritikët e filmit.

Edicioni i gjashtëdhjetenjëtë i festivalit, që do të zgjasë nga 10 deri më 20 shkurt, do të shfaqë 22 filma në programin e tij kryesor, përfshirë 16 që do të “hahen” për “Ariun e Artë dhe të Argjendtë”, që janë edhe çmimet kryesore të kësaj ngjarjeje të madhe kinematografike, është thënë në një komunikatë të organizatorëve.

Kësisoj është bërë i ditur se “Margin Call”, një film debutues i J. C. Chandor, ku luajnë Specey, Moore, Jeremy Irons dhe Paul Bettany ka gjasë të rrëmbejë çmimin kryesor. Filmi është i bazuar në hallakamat e shkaktuara në një bankë të shkatërruar nga kriza botërore financiare.

Michel Ocelot i Francës do të zbulojë “Tales of the Night”, një përrallë në formatin 3D e bazuar në silueten e tij të animuar të nxjerrë në një televizion të veçantë si mishërim i tri fotografive që do të shpalosen në festival e që do të shfaqen në dimensionin e tretë.

Por në ekranin e madh të Berlinales nuk do të mungojnë as rrëfimet e shqiptarëve. Regjisori amerikan, Joshua Marston, drama e të cilit, “Maria Full of Grace”, kishte dy çmimet kryesore të Berlinales së vitit 2004, do të jetë i pranishëm në këtë ngjarje me “The Forgiveness of Blood” (“Falja e gjakut”) që tregon rrëfimin e një familjeje të ngujuar për shkak të belasë.

Rolet kryesore në këtë film janë aktorët kosovarë. Në “Falja…” luajnë Çun Lajçi, Selman Lokaj, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Luan Jaha, si dhe aktori shqiptar nga Maqedonia Refet Abaz, të cilët pritet të shkelin qilimin e kuq të këtij festivali.

Një tjetër film shqiptar është “Amnistia” i Bujar Alimanit që është produksioni i parë i Shqipërisë që hyn në garën e Berlinales.

Regjisori iranian, Asghar Farhadi – i cili në vitin 2009 fitoi çmimin e regjisorit më të mirë me dramën e tij “About Ely” – do të kthehet me “Nader dhe Simin, një ndarje” për një çift që ribashkohet në një ndejë befasuese.

Fahradi është ballafaquar me ndalesën për të realizuar filma nga ana e autoriteteve iraniane për shkak se gjatë kohës së xhirimit të filmit kishte bërë komente në mbështetje të regjisorit të burgosur iranian, Jafar Panahi. Ndalimi pastaj ishte shfuqizuar.

Kemi ftuar Jafar Panahin të jetë anëtar i jurisë ndërkombëtare të vitit 2011. Por pastaj në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte dënuar me gjashtë vjet burgim dhe iu ndalua xhirimi i filmave për 20 vjetët e ardhshëm”, ka thënë drejtori i festivalit, Dieter Kosslick.

Ne do të përdorim çdo mundësi për të protestuar kundër këtij verdikti”, ka thënë ai nëpërmjet një komunikate.
Berlinalja do të shfaqë një numër të filmave të regjisorit të burgosur iranian, përfshirë “Offside”, që tregon për disa vajza që vishen si djem me qëllim që të fshihen prapa veshjes mashkullore për të luajtur futboll me meshkuj.

Ngjarja – ndër kryesoret në kinematografinë evropiane – sivjet do të hapet me klasikun vestern, “True Grit”, të vëllezërve fitues të “Oscarit”, Joel dhe Ethan Coen.Aktorja amerikano-italiane, Isabella Rossellini, do të kryesojë jurinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here