Filmi “Falja e gjakut” i regjisorit amerikan Joshua Marston do të tentojë të futet në garë për çmimin “Oscar”.

Shqipëria do të synojë që me këtë film të futet për herë të parë në garën për filmin më të mirë të huaj. Komisioni përzgjedhës i Qendrës Kombëtare Kinematografike e ka përzgjedhur të enjten filmin që fitoi “Ariun e Argjendtë” në Berlin, për skenarin më të mirë.

Pesë aktorë nga Kosova – Çun Lajçi, Ilire Vinca, Selman Lokaj, Luan Jaha dhe Veton Osmani – portretizojnë rolet në filmin, skenarin për të cilin e kanë shkruar Andamion Murataj dhe Joshua Marston.

Filmi vë në qendër një familje që jeton në një vend rural të Shqipërisë, që izolohet për shkak të gjakmarrjes. Në qendër të gjakmarrjes e të injorancës shtatëmbëdhjetëvjeçari Nik bashkë me vëllanë shtatëvjeçar dhe motrën Rudinën (15) nuk janë të lejuar të dalin nga frika se do të vriten. Derisa nuk ka vrasje në këtë film, ai merret me pasojat që bartin dy të rinj të familjeve të cilat “janë në gjak”.

Filmi aktualisht është duke u shfaqur në kinematë e kryeqytetit shqiptar. E do të jetë pikërisht ky film ai që do të hapë edicionin e tretë të festivalit “PriFilmFest”, i cili nis të shtunën e 24 shtatorit.

Mediat shqiptare, njoftojnë se QKK-ja ka përzgjedhur pikërisht “Falja..” për të tentuar të futet në garën për “Oscar”, me motivacionet: filmi është tërësisht në gjuhën shqipe, është xhiruar tërësisht në Shqipëri dhe aktorët janë të gjithë shqiptarë.

Filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare për trajtimin me origjinalitet dhe freskinë artistike, të një problemi që mbetet i mprehtë për shoqërinë tonë”, thuhet në komunikatën e Qendrës Kombëtare Kinematografike, të publikuar në mediat shqiptare. Përveç Berlinit, filmi është shfaqur edhe në shumë festivale të tjera me renome ndërkombëtare.

Në garë kanë qenë edhe tre filma të tjerë, të prodhuar brenda këtij viti, “Ballkan Pazar” i regjisorit Edmond Budina, “Maya” i Pluton Vasit dhe “Amnistia” i Bujar Alimanit.

Që prej vitit 1996 katër filma shqiptarë kanë aplikuar për t’u futur në garë për “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences”, por asnjëri nuk ka arritur as të futej në garë për “Oscar”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here