Disa vetura bëjnë një udhëtim të gjatë në tentim për të zënë një person që vrapon pak çrregullt. Një vajzë brenda një rrethi vicioz kthehet në pozitën fillestare.

Kjo i shkakton dhimbje, ani pse në krah i ka ardhur “vrapuesi”. Ngjyrat janë të llojllojshme, por e bardha bëhet përsëri kryefjalë. Përballja bëhet e egër kur engjëjt dhe djajtë i kundërvihen njëri – tjetrit, përderisa njëri nga ta “korruptohet” dhe tjetri bëhet hajni më i madh i të gjitha kohëve. Por fjala e fundit është e “popullit”.

“Long Vehicle”, “Gjithmonë kthehem ku kam filluar”, “Ti më jep vetëm dhimbje”, ”E bardhë”, “Engjëj dhe djaj”, “Më korrupto”, “Hajni më i madh i të gjitha kohërave” dhe ”Populli PO”, janë tetë këngët e solo-albumit të parë të Alban Nimani, ish-vokalist i “Asgjë sikur dielli”. Nimani me “E bardhë” ka sjellë më shumë sesa një album. Në projekt i janë bashkuar edhe Faton Dolaku në sint dhe DJ, Besim Gashi – Babukën në bateri. Aktorët Agnes Nokshiqi e Fidan Mamusha janë angazhuar për performancën.

Krejt kjo është lansuar online të hënën në orën 23:00. E për këtë ka një arsye.

“Gjatë procesit të krijimit të albumit më ndodhi një mrekulli në jetën time, lindja e djalit tim Jonit. Për shkak se 17 nëntori – kur Joni do të festonte ditëlindje ishte larg – vendosa ta lansoja një muaj përpara”, ka thënë Nimani. Djali tij ka ndikuar shumë në këtë album që prej fillimit ka qenë i destinuar të jetë multimedial.

“Isha kurioz të hulumtoja ndërlidhjen e medieve të reja me muzikën, performancën, koreografinë, instilacionet me drita dhe mundësinë që përmes tyre të transmetohej një energji pozitive tek njerëzit”, ka thënë Nimani.

I lansuar në sajtin zyrtar të Nimanit, ku edhe mund të shkarkohet, promovimi ishte menduar të jetë ndryshe. Ideja kishte qenë që koncerti të mbahej në katedralen “Nëna Terezë” dhe më pas të bëhej transmetimi live në internet. Porse në momentet e fundit kishin ndryshuar gjërat dhe xhirimet ishin zhvendosur diku tjetër.

Ani pse projekti ka qenë i mundimshëm, Nimani thotë se me ndihmën e profesionistëve në ekip dhe ideja e qartë se çka dëshironte të nxirrte, ka bërë që produkti final të jetë kënaqësia dhe pastërtia e projektit./koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here