Nuk ka film, ose më mirë telefilm që të ketë pasur ndikim mbi një brez të tërë sa i famshmi “Beverly Hills”. I famshmi serial rriti, zbaviti dhe formoi me shijet e tij dhe të personazheve të tij të rinjtë e fillimviteve ’90 kudo në vendet që është shfaqur, madje dhe në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një serial televiziv që arriti të futej në mendjet dhe zemrën e miliona të rinjve që në atë kohë ishin mes 10 dhe 20 vjeç. Ndërsa në Shqipëri shihej vetëm përmes kanaleve italiane dhe në Itali ky serial filloi të shfaqej pikërisht 20 vjet më parë, më 2 tetor të vitit 1991.

Ishte filmi i famshëm “Beverly Hills” që 20 vjet të shkuara me personazhet Brandon, Dylan dhe Kelly, emrat e tyre ekzotikë, u shndërruan menjëherë në modelë, prototipa të tipologjisë njerëzore, rimishërim të mënyrave të të jetuarit, veshurit dhe dashuruarit.

E njëherazi me këtë serial nisi edhe rruga e gjatë e serialeve të tjera të suksesshme që na kanë shoqëruar të gjithë gjatë këtij 20-vjeçari, seriale policeske, zbavitëse, tragjike e komike. Ishte pikërisht “Beverly Hills” seriali që tregoi se një film i gjatë me shumë puntata është i suksesshëm. Sigurisht që bëhet fjalë për serialet posaçërisht për adoleshentë dhe para tij asnjë nga serialet e deriatëhershme nuk kishte pasur në qendër të vëmendjes botën e adoleshentëve.

Në ekranet e TV nuk ishte folur kurrë kaq hapur dhe pa paragjykime për jetën intime e seksuale, për problemet që kanë adoleshentët me veten, me drogën, me marrëdhëniet mes tyre e prindërve dhe për mënyrën se si ata e jetojnë moshën e tyre dhe se si e përfytyrojnë të ardhmen. Pikërisht të gjitha këto elemente, si të ishin tullat e një ndërtese, përbënë edhe 296 puntatat e filmit që e kanë shndërruar dhe në dramën më të madhe për adoleshentë që është transmetuar ndonjëherë në ekranet e TV. Për herë të parë ishin adoleshentët në qendër të një drame të tillë, por gjithsesi ata nuk ishin aspak publiku i vetëm, sepse ky ishte një telefilm që është ndjekur nga të gjitha moshat për kompleksitetin e problematikën që trajtonte dhe për faktin se një pjesë e problematikës kishte të bënte edhe me të rriturit vetë, madje me të gjitha moshat. Për sa u përket adoleshentëve ata kanë marrë gjithmonë anën e ndonjë personazhi, qoftë i mirë, apo i keq, të cilin e imitonin në të gjitha drejtimet, kryesisht në veshje, por edhe në mënyrat e të sjellit.

Madje ka pasur edhe zënka të vërteta mes mbështetësve të personazheve të ndryshme dhe mbi të gjitha dashuri të mëdha mes fansave dhe aktorëve si meshkuj, ashtu edhe femra. Kush nuk i kujton posterat, të cilët kemi varur në shtëpi me fytyrat e personazheve të këtij telefilmi. Kush nuk i kujton netët pa gjumë që kemi kaluar me mendjen dhe zemrën te bukuroshët e “Beverly Hills”. A i mbajnë mend vallë meshkujt e asaj kohe zënkat që kishin me njëri-tjetrin për bionden, apo për brunen?

Ajo çka ka ndodhur me këta aktorë, 20 vjet më pas, është e kundërta e asaj që ka ndodhur me ta para 20 vitesh. Kështu, ndërsa 20 vjet më parë ky serial i bëri të famshëm dhe të dëshirueshëm nga të gjithë, përveçse edhe të pasur, ai u shënoi karrierat duke u lënë pas “stigmatën” e të qenët Dilan, Kelly e të tjerë. Shumë pak prej tyre patën role të tjera kinematografike, ndërsa të tjerët janë marrë me gjëra të ndryshme. Kështu, edhe për ta “Beverly Hills”, si dhe për shumë adoleshentë të asaj kohe, mbeti një moment i jashtëzakonshëm që u shënoi jetët dhe karrierat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here