Filmi i regjisorit Edmond Budina, “Ballkan Pazar”, i cili trajton në mënyrë ironike skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ka ngjallur së fundi reagimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e cila e ka cilësuar atë si shpifje ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë.

“Ballkan Pazar” u dha premierë më 14 prill, përderisa një letër e Kishës Autoqefale e zbuluar së fundi nga mediat shqiptare mban datën 26 maj.

“Ky film është një shpifje e turpshme ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë dhe për pasojë, fyerje e rëndë për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e duke kaluar çdo cak, i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale”, thuhet në letër, shkruan balkanweb.com.

Regjisori i filmit Budina, në reagimin e tij për mediet vendore, i ka krahasuar fjalët e klerikëve me ato të komisarëve komunistë, ndërkohë që shprehet i kënaqur që ndër 145 firmat e klerikëve nuk ka qenë firma e hirësisë së tij, Anastas Janullatos. Kjo sipas Budinës tregon se ai ka ditur të distancohet prej faktit se filmi i tij është një vepër arti dhe jo një traktat politik.

“Ju e gjykoni një vepër arti, një film, ashtu sikundër gjykohej në periudhën e regjimit një vepër, propagandë e mirëfilltë”, citohet të ketë thënë Budina.

Debati që ka hapur filmi “Ballkan Pazar” ka përfshirë disa artistë dhe intelektualë, në mesin e të cilëve edhe shkrimtari Dritëro Agolli. Në një intervistë ai citohet të ketë thënë se letra e Kishës Autoqefale është një ndërhyrje e pastër e fesë në punët e kulturës dhe të artit.

“Këto ndërhyrje i bëjnë dëm artit dhe zhvillimit të tij, por nga ana tjetër rrisin ndjenjën e zemërimit te artistët për të bërë vepra më të forta”, ka thënë Agolli.

Shkrimtari i njohur ka thënë se me kërkesat për ndalimin e kësaj apo asaj vepre arti, njerëzit e fesë janë bërë si Komiteti Qendror i Partisë së Punës që kontrollonte e ndalonte çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë.

Në letrën e Kishës Autoqefale cilësohet si e turpshme mbështetja e këtij filmi nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Në lidhje me këtë, drejtori i saj, Artan Minarolli, është shprehur se duhet të respektohet arti kinematografik, i cili nuk është akt informues, por ka edhe krijimtari artistike.

“Filmi u shfaq për disa javë rresht në rrjetin e kinemave ‘Imperial’ dhe nuk kemi marrë asnjë reagim nga ana e spektatorëve. Për kinemanë është i rëndësishëm spektatori, ndërsa interpretimet qoftë fetare, burokratike apo shtetërore janë të ndryshme”, ka thënë Minarolli.

Komedia “Ballkan Pazar” përcjell idenë e shitblerjeve jo vetëm të eshtrave, por edhe të ndërgjegjeve dhe shpirtrave njerëzorë, një histori absurde që interpretohet nga aktorët: Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Laert Vasili. Regjisori Budina interpreton rolin e një prifti ortodoks.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here