“Duam Krastën!”. Kjo ishte thirrja gati unanime e pjesës dërrmuese të komentuesve nëpër forume e blogje interneti, ndërsa në ditët e fundit të vitit po zhvillohej Festivali i Këngës në RTSH.

U fol shumë se do të ishte ai prezantuesi i edicionit jubile, çka gëzoi jo pa të drejtë shumë njerëz, por ja që nuk ndodhi… E si një thirrje gati dëshpëruese vinte: Duam Krastën!

Pas largimit nga “Top Channel” ka pasuar një heshtje e kujdesshme nga ana e Krastës, i cili nuk ka dashur të komentojë shumë mbi vendimin e tij. Ndërkohë, në ekranet televizive, mungesa e tij ishte e dukshme. Por nuk do të jetë edhe për shumë. Pas një pushimi dymujor, ai bën një rikthim të dyfishtë.

Adi Krasta kthehet njëherazi me një shfaqje personale në Pallatin e Kongreseve më 18 janar dhe me ciklin “A Show” në ekranin e “Vizion Plus”, çdo javë. Cikli përbëhet nga 14 pjesë televizive dhe do të zhvillohet në një nga studiot më të mëdha të “Vizion Plus”. Sa i përket shfaqjes së 18 janarit, ajo i drejtohet një audience dashamirëse të prezentatorit dhe ka në qendër të saj aksiomën biblike “E para është fjala”.

Duket disi kapricioze nga ana e Krastës të realizojë një shfaqje, kryesisht të folur, në një sallë përgjithësisht “armiqësore” si ajo e Pallatit të Kongreseve, por kush më shumë se ai mund të rrezikojë në një komunikim thelbësor me shikuesit?! Në shumicën e herëve Krasta e ka dominuar me shumë sukses publikun e Pallatit të Kongreseve si në rastin e intervistës me këngëtarin italian Don Backy, në një nga festivalet e fundvitit të drejtuar nga ai.

Shfaqja në Pallatin e Kongreseve, por edhe cikli televiziv i pagëzuar nën titullin “A Show”, ka në thelb të tij bisedën dhe të ftuarit që kanë dëshirën të qëndrojnë në të folurën e hapur dhe me përmbajtje. Por sigurisht që nuk do të mungojnë edhe elementet e spektaklit. Fakti që një nga prezentatorët, por edhe gazetarët më të vlerësuar del përpara publikut për të dhënë mesazhe të rëndësishme, bën që kjo ngjarje e parë për këtë vit të tërheqë jo pak vëmendje, në një kohë që vetë kthimi i Krastës përbën një element pozitiv në tablonë televizive në Shqipëri.

Produksioni i shfaqjes “Theatre International” e ka përcaktuar konceptin e shfaqjes si “minimal-shik” dhe ndërtimin skenografik si një “teatër të vogël, brenda teatrit të madh”. Shfaqja e 18 janarit do t’i paraprijë ciklit televiziv dhe në një farë mënyre është një mundësi për të shijuar pak nga ajo çka do të vijojë për 14 puntata. Përveçse një dëshirë për të ndarë ca gjëra mes miqsh, është edhe një kënaqësi krijuese.
“A Show” nuk është një ide që Krastës i lindi menjëherë pas largimit nga “Top Channel”. Ajo është menduar prej tij qysh para dy apo tri vitesh, por mësohet se realizimi i tij në “TCh” nuk ka qenë i mundur për arsye të justifikueshme.

Tani që Krasta kthehet përfundimisht në “Vizion Plus”, ku ka një përvojë të mëparshme, duke qenë se ka realizuar dhe edicionet më të përfolura të talentshow-t më të suksesshëm deri më sot, “Ethet e së premtes mbrëma” dhe një cikël të titulluar “Kodi Binjak”, marrëdhëniet me drejtorinë e TCH janë të normalizuara. Këtë e tregoi edhe prania e tij në festimet e dhjetë vjetorit të TCH, përmes katër cikleve të tij të mëdha, “New Day”, “Ethet 5”, “E Diell” dhe “100 Milionë”. Programe, që në shumicën e herëve ndiqeshin thjesht dhe vetëm sepse ishte ai që i drejtonte.

Panorama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here