Një fustan i bardhë, përplot glamur, i cili ishte “fajtor” për zënie të shpeshta në thua të modeles në pistë,  ka qenë produkti i parë që është servuar në prezantimin e koleksionit vjeshtë-dimër 2010-2011 të kreatorit Valdrin Sahiti.

“Gjigant”, është emri që ai i ka vënë ai spektaklit që ka sjellë nëpërmjet veshjeve. Mbi pesëdhjetë kreacione të dizajnuara gjatë pesë muajve të fundit, janë pasqyruar në sfilatën e tij që u mbajt të martën mbrëma në “Comfort Center”.

Parakalimi i disa modeleve të veshura me fustane të bardha, u la vend “eksperimenteve” të llojllojshme që kreatori kishte përzgjedhur të bënte me ngjyrën e zezë, e cila dominoi gjatë gjithë mbrëmjes.

E bardha, e zeza dhe ngjyra hiri, kombinuar me materiale vizëlluese, ishin të vetmet ngjyra që i kishin shërbyer Sahitit për të realizuar koleksionin e ri.

Por puna deri në finalizim të spektaklit të modës, për Sahitin nuk kishte qenë shumë e lehtë. Menjëherë pasi pranoi urimet e atyre që përcollën sfilatën, Sahiti ka folur për punën e tij.

Ka qenë në punë e gjatë dhe e lodhshme, por mendoj se nuk më ka ikur asgjë”, ka thënë Sahiti, teksa është fokusuar më shumë te kreacionet.

Pjesa më e madhe e kreacioneve kanë qenë të zeza dhe kjo ngjyrë e ka karakterizuar sfilitën, pasi unë mendoj se e zeza është mbretërore dhe po ashtu është ngjyrë që preferohet për vitin 2010 -2011”, ka shtuar ai.

Kolegia e Sahitit, disenjatorja Xheraldina Pufja, e cila ka qenë e pranishme në spektaklin “Gjigant”, u ka dhënë notë pozitive kreacioneve, teksa ka kritikuar përzgjedhjen e muzikës.

Më vjen mirë që Valdrini arriti që me një ngjyrë të zezë që është shumë monotone të sjellë një kompozicion të fuqishëm”, ka thënë Pufja. “Por mendoj se muzika nuk e ka përcjellë energjinë që Valdrini e ka sjellë me këtë koleksion dhe kam përshtypjen se modelet kanë pasur probleme me këpucët”, ka shtuar ajo.

E pranishme në spektaklin e modës “Gjigant” ka qenë edhe sociologia Ulpiana Lama, e cila e ka vlerësuar pozitivisht kreacionin e Sahitit.

Më pëlqeu mënyra sesi ishin bërë kombinimet dhe si ai vuri në pah fuqinë e femrës. Materialet ishin bukur të kombinuara edhe pse ai kishte përdorur një minimum ngjyrash”, ka thënë Lama.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here