“The Hunger Games” rrëmbeu katër çmime “MTV Movie Awards”, por filmi “Twilight” u emërua filmi më i mirë për të katërtin vit me radhë.
Filmi post-apokalips “The Hunger Games” mori trofetë për performancën më të mirë në kategorinë e meshkujve që i ka takuar Josh Hutcherson, për performancën më të mirë në kategorinë e femrave që i është dhënë Jennifer Lawrence, për skenën më të mirë luftarake dhe transformimin më të mirë nga Elizabeth Banks.
Filmi i vitit, i cili është votuar ‘online’ nga fansat, i ka takuar romancës me vampirë “The Twilight Saga: Breaking Down – Part 1”, duke e mposhtur në garë “The Hunger Games” dhe “Harry Potter and the Deathly Hallows: Part 2”.
Komedia “Bridesmaids” u shpërblye me dy çmime, duke përfshirë atë për performancën më të mirë komike që i takoi Melissa McCarthy dhe çmimin për performancën më interesante, derisa “Harry Potter” fitoi çmimin për kastën dhe heroin më të mirë. Nikoqiri Russell Brand, i njohur për zellin e tij për humor, gjatë spektaklit që u transmetua ‘live’, bëri disa shaka për martesën e tij të shkurtër me këngëtaren Katy Perry.
Shakatë e tij po ashtu u referoheshin pop yjeve si Justin Bieber, Charlie Sheen, John Travolta, Kanye West dhe aktorit Michael Fassbender. Ylli i filmit “The Descendants”, Shailene Woodley, mori çmim për performancën më të përparuar, Aktorja e “Spiderman”, Emma Stone po ashtu u kthye në shtëpi me trofe, derisa Johnny Depp u nderua me çmimin për karrierën e tij që shtrihet në tri dekada.
“Duket sikur çmim që të largon jashtë biznesit, kur ke bërë shumë punë … Duket qartë që diçka nuk po shkon si duhet me mua”, është tallur Depp gjatë fjalimit të tij. Trofeu për puthjen më të mirë të shkëmbyer në film edhe këtë vit iu nda Kristen Stewart dhe Robert Pattinson të “Twilight”.
