VIP Shqiptar

Stresi: Lufta ime me Noizyn vazhdon

“Nuk e di sa do të zgjasë lufta ime me Noizyn”…Kjo është fjalia që të intrigon më shumë gjatë gjithë rrëfimit të Arkimed Lushajt, përmes të cilit lihet e hapur rruga për një përplasje tjetër mes tyre…

Çfarë na tregon tjetër ai në këtë intervistë për “Bluetooth”? Po Noizy, çfarë thotë në lidhje me këtë situatë? Le ta zbulojmë së bashku…

Është përfolur shumë kjo historia e urrejtjes që ju keni mes njëri-tjetrit, por asnjëherë nuk e kemi marrë vesh arsyen e vërtetë për nisjen e kësaj lufte… Si ju, si Noizy i shmangeni përgjigjes, duke u fshehur pas fjalisë se është diçka personale…
Historia e shumë përfolur dhe historia kaq e gjatë ka nisur në rrethana të pashmangshme dhe në një kohë shumë kritike. D.m.th, përgjigja ime është se nuk e di sa do të zgjasë…

Kur do të marrë fund lufta mes jush?
Luftës sonë i kemi dhënë 2 herë fund dhe s’ka funksionuar… Unë s’dua luftë, thjesht bëj art, dhe sado që të më vënë para përgjegjësisë e kanë të kotë të prishin imazhin tim duke supozuar se jam unë ai që i ngjiz sherret.
Nuk mendoni se është zgjatur pak si shumë kjo fushata juaj e hakmarrjes?

Të them të drejtën nuk jam hakmarrës, por është tragjike të jesh fansi im edhe të përfundosh në koma…Prapë mbetemi ne të këqij dhe kjo është absurde, më thoni ju a kanë faj fansat që ingranohen…
Nëse nuk bëni paqe ju të dy, fansat tuaj do vazhdojnë të vriten. Ky është synimi i muzikës suaj?

Synimi im është të realizoj ëndrrën time në muzikë dhe fansat e mi janë krenar për mua pasi kam një publik shumë të zjarrtë, kudo që shkoj më përkrahin dhe nuk është Stresi ai që frymëzon. Sa për paqë është një shprehje (‘rest in peace’, kush humb) unë kam rrugën time…
Në statuset tuaja në facebook, kemi ndeshur jo rrallë herë edhe shprehje ofenduese kundrejt rivalëve tuaj në muzikë… Është kjo një formë për të marrë hak?
S’mund të ndaloj 5 mijë fansat në facebook që të shprehin mendimin e tyre, jemi në demokraci, kemi të drejtën e të menduarit dhe të të shprehurit lirshëm. Për mua ‘fcb’ është një lojë ku kaloj kohën time natën vonë, asgjë më tepër.

Ç’është për ju muzika hip-hop?
Është ajo që unë bëj, ku bazohem me realitetin, ku frymëzohem dhe vizioni im ngelet gjithmonë për hip-hop.
E kam kuptuar unë gabim, apo tekstet tuaja i referohen individëve të veçantë, ose edhe fenomeneve…Çfarë ka shërbyer më së shumti si subjekt në këngët tuaja?

Unë kam ardhur nga underground-i, një rreper rruge që ka parë shumë shkelje në muzikën hip-hop dhe kjo gjë më fut në idetë të flas, t’iu drejtohem atyre që luajnë bllof në hip-hop dhe ku ka mosrealitet.
Po ato fjalët e pista që përdoren jo rrallë herë në tekstet tuaja, kujt i adresohen… A duhet të dëgjojnë fansat këtë lloj fjalori?

Gjithashtu më janë drejtuar edhe mua në muzikë fjalë të pista, por jo siç ua interpretoj unë, që do të thotë, godas aty ku të prek, aty ku të bëj të pendohesh pse i hodhe kunja Stresit. (qesh)
Janë përhapur fjalë se familjarët e Denisit nuk ju presin ngrohtë, siç ju jeni shprehur. Sa e vërtetë është kjo dhe cila është realisht marrëdhënia juaj me familjarët e tij?

Unë familjen e Denisit s’e kam njohur më përpara, por pasi ndodhi kjo ngjarje, jam njohur dhe s’kam marrëdhënie siç janë përhapur fjalët. Sot njerëzit flasin e flasin e flasin, por unë i shumëzoj me 0…!
Po me Denisin si jeni njohur?
Denisi ishte zinxhir i rrethit tonë shoqëror.

Cilat janë planet më të afërta në muzikë?
Stresi ka ecur shumë shpejt upssss, dhe planet e mia janë shumë të freskëta, pasi jam në një kontratë ku po bëj turne kudo nëpër Shqipëri, Maqedoni e Mal të zi. Kam klipet për të nxjerrë ku po i kushtohem shumë, me pak fjalë është veç fillimi im, kam shumë më shumë për të dhënë për rrepin shqiptar.

Sa fitoni me muzikën tuaj?
Këtë pyetje ia bëj vetes gjithnjë sepse kam 1 vit në treg, albumi im ka dalë u bënë 3 muaj dhe wow….shitje shumë, klikime shumë dhe i ftuar shumë nëpër klubet e natës, po ia kaloj lezetshëm…
Në aspektin privat, ka një femër në jetën tuaj?
Normal që ka dhe është një super femër, ndihem mirë.
Do të na e zbuloni emrin e saj?
Doni një info të ftohtë tani, apo një info shumë të nxehtë më vonë?!
Ok, po presim atë të nxehtën… Ndërkaq kolegët tuaj na kanë treguar se ju jeni në një lidhje me Enxhi Kamenicën, sa e vërtetë është kjo?
Aq sa flitet…

Noizy: “E kam mbyllur këtë kapitull”
Më i tërhequr në këtë mes duket të jetë rreperi tjetër shumë i preferuar nga publiku, Noizy, i cili i kontaktuar nga ne pak ditë më parë, pranon se çështja “Stresi” është për të një kapitull i mbyllur.

U kërkoj fansave të mi të dëgjojnë muzikën time”, – thotë Noizy, duke nënkuptuar përmes kësaj fjalie se nuk dëshiron më ‘luftë’ përmes dy grupeve kundërshtare. Thirrje të cilën si ai, si Stresi e kanë bërë edhe më parë.

“Aktualisht po i përkushtohem muzikës sime, gjërat janë duke më shkuar shumë mirë, po bëj këngë të mira, fansat po më përkrahin. Më shumë se kaq nuk kam çfarë dua!” – thotë ndër të tjera Noizy, i cili me këngën pjesëmarrëse tek festivali “Kënga Magjike” zë vendin e parë për nga klikimet në ‘Youtube’…

Rasti i Denisit
Mbrëmjen e 28 prillit 2009, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, regjistrohet një sherr i përgjakshëm mes të rinjsh. I riu Denis Dollapi u sulmua me thika dhe u qëllua disa herë në trup. Prej atëherë Denisi ndodhet në gjendje koma, nuk reagon dhe jeta e tij duket se është e rrezikuar.

Prokuroria ka vërtetuar se sherri mes të rinjve, ka nisur për shkak se ishin fansa të dy grupeve kundërshtare muzikore, “OTR” me drejtues Rigels Rajkun dhe “TBA” me drejtues Arkimed Lushajn. Dollapi u sulmua nga bashkëmoshatarë të tij, vetëm pse ishte fans i grupit që drejtohet nga Arkimed Lushaj, ndryshe njihet me emrin e artit Stresi.

Ndërsa, agresorët fansa të Rigels Rajkut, i njohur ndryshe si Noizy. Për sherrin që ndodhi shumë pranë gjimnazit “Sami Frashëri”, në të cilin u përfshinë një grup të rinjsh mbeti i plagosur dhe Durim V, 15 vjeç. Prokuroria e ka çështjen nën hetim dhe së shpejti pritet ta dorëzojë në gjykatë./Bluetooth/

Komentoni këtë artikull

FAQE TE ZGJEDHURA

MARKETING

Copyright 2009 Thashetheme.