I është rikthyer Tiranës më energjike se kurrë, duke marrë mbi supe një rol që s’e ka provuar kurrë më parë. Prej javësh e shohim në ekran si gjykatëse në jurinë e “X Factor Albania”, por në intervistën e sotme, eksperienca në këtë ‘show’ është vetëm një nga stacionet e shumta ku kemi ndaluar. Soni Malaj, ylli i skenave shqiptare, vjen në këtë rrëfim të sinqertë për “Bluetooth”, duke ndarë me ne emocionet që e kanë shoqëruar në këtë rikthim, sakrificën e madhe dhe vendin e veçantë ku e çoi Mirko përpara se të kthehej këtu, si dhe bashkimin me grupin “Spirit Voice”, që ajo e dëshironte prej kaq kohësh… Takimet me koleget në Tiranë dhe momentet e bukura që kalon me Annën e vogël, janë disa nga ndalesat e tjera që kemi bërë në këtë udhëtim të gjatë me Sonin, të cilin ju ftojmë ta shijoni edhe ju…

Soni, je rikthyer në Tiranë si anëtare e jurisë së “X Factor”. Si e gjete vendin tënd pas këtyre 2 viteve mungesë?
Që kur zbrita në aeroport përjetova një emocion shumë të madh dhe kuptova që më kishte munguar vërtet shumë Tirana, sepse sido që të jetë, u bënë pothuajse 2 vjet që unë nuk isha e pranishme këtu dhe më kishin munguar familjarët, shoqëria… Kur fillova të punoja pastaj, pashë që më kishte munguar edhe puna. Nuk e kisha vënë re këtë fakt. Tirana m’u duk shumë e bukur dhe familjarët po më thonin: ‘eh, ç’bën malli’, sepse më dukej gjithçka fantastike. Është shumë e çuditshme, se si në dy vjet ishin bërë aq shumë ndërtime dhe ndryshime në Tiranë. Një ndryshim tjetër që unë vura re ishte që njerëzit m’u dukën më të qetësuar. Kjo ishte ajo që më bëri paksa përshtypje.
Ndërkohë, tani që u ktheve dhe kuptove që të kishin munguar kaq shumë gjëra nga Shqipëria, çfarë ke vendosur, do kthehesh prapë në Spanjë, apo do qëndrosh këtu përfundimisht?
Unë me familjen, me Mirkon dhe me vajzën – Annën, do bëjmë ecejake Itali-Spanjë-Shqipëri, për shkak edhe të punëve të Mirkos atje, por edhe për arsye familjare.
Përpara se të ndalojmë tek puna në “X Factor”, na trego pak për bisedën që bëre me Mirkon kur more propozimin për të qenë në juri. Çfarë të tha ai?
Mirko ka qenë ai që më solli në Tiranë. Ne kemi një respekt shumë të madh, si për Verën ashtu edhe për Alketën, pasi ne të dy jemi njohur në “Dancing With the Stars”, dhe Vera me Alketën kanë qenë kumbarat e dashurisë sonë. Në familjen tonë, ato kanë një vend shumë të veçantë dhe ne i duam shumë. Mirko, sa herë takohet me Verën, gjatë gjithë kohës e thërret: o yll, o zemër, o shpirt. E do shumë, vërtet e do shumë. Kur folëm në telefon me Verën, unë isha shumë skeptike, për shkak se vajza ishte shumë e vogël. Thjesht po mendoja për Annën, për familjen tonë, një familje e sapoformuar. Unë, për më tepër, sapo kisha lindur dhe isha shumë e dyzuar. I thashë Verës në telefon: Unë të dua shumë, kam shumë respekt për punën tënde, po nuk e di, jam e pavendosur. Vetëm për këtë isha në mëdyshje, për asgjë tjetër, por Mirko më tha: “Zemër, do ta bëj unë sakrificën, ndoshta do të lë unë karrierën time vetëm që ta vazhdosh ti, sepse është momenti që publiku të të shohë në skenë. Nuk bën të largohesh për një kohë kaq të gjatë, sepse tashmë e bëre pauzën tënde, ke marrë energjinë pozitive, për më tepër që Alketës dhe Verës asnjëherë nuk i thuhet ‘jo’, sepse ne i duam shumë”. Pas kësaj bisede me të, e mora Verën dhe i komunikova që do jem. Asaj sigurisht iu bë qejfi shumë. Ndërkaq, përpara se unë të vija këtu Mirko më tha: “Megjithatë, përpara se të shkosh, ti duhet të vish pak me mua”. I thashë: “Ku do shkojmë”, më tha: “Hajde, hajde me mua”. Shkojmë në qendër fitnesi, dhe përpara meje del një vajzë dhe një djalë, shumë të formuar. “Këta të dy do jenë trajnerët e tu personalë të fitnesit”, më tha Mirko dhe unë fillova menjëherë nga justifikimet, jo s’kam kohë, jo kam vajzën. Kisha hyrë në rrjedhën e jetës familjare, s’më interesonte asgjë. “Absolutisht jo”, më tha ai. “Ti duhet të vish shumë në formë, sepse ti ke lënë një imazh dhe duhet të rikthehesh po aq në formë sa ç’ishe kur ike”. Fillova të punoja intensivisht me trajneren time personale, e cila është në Spanjë edhe kampione e fiziokulturizmit, duke bërë paralelisht palestër, ku më ndryshoi rutinën dhe regjimin e të ngrënit.
Ndërkohë, na trego pak si është puna në jurinë e “X Factor”-it?
Unë në radhë të parë do doja të falënderoja shumë zonjat Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu, për ftesën që më kanë bërë dhe që më kanë besuar një rol kaq të rëndësishëm në spektaklin e tyre. Ishte vërtet një kënaqësi shumë e madhe kur unë e mora këtë ftesë. Ndihem jashtëzakonisht shumë mirë në familjen e madhe “Klan”, sepse përveç punës që më sjell shumë kënaqësi, ambienti përreth më ofron energji pozitive dhe shumë dashuri. Nisur nga këto kushte, do doja vërtet që edhe vitin tjetër të isha në jurinë e “X Factor”, sepse kam shumë komoditet, kam mbështetjen maksimale të stafit, kurimin maksimal nga zonjat Grabocka dhe Vejsiu. Mua më duhet të mendoj vetëm për anën e gjykimit, për të tjerat kujdesen ato. Ato më thonë çfarë është më e mira për mua dhe këtë e vlerësoj jashtë mase.
Je njohur me talentet e reja të muzikës shqiptare. Si të janë dukur?
Unë do doja të bëja vetëm një sqarim për sa i përket formatit të “X Factor”, sepse duke qenë dy evente muzikore të së njëjtës natyrë…
Janë të dy ‘talent show’?
Pikërisht pra. “X Factor” në fakt nuk është një talent show. Edhe në botë “X Factor” është eventi muzikor më i madh që ndodh, sepse zgjidhen talentet që janë deri diku amatorë në muzikë, për t’u mësuar, për t’u bërë profesionistë, për t’u bërë artistë të vërtetë. Në “X Factor” siç e keni parë, vijnë me mijëra vetë pjesëmarrës në audicione. Kuptohet, ka të mirë, ka të këqij, ka shumë të mirë, ndaj dhe kalohet në disa faza, për të marrë ajkën. Ka shumë talente këtë vit dhe unë jam vërtet shumë e lumtur. Unë kam kategorinë e djemve dhe kam shumë shumë besim tek ata djem. Megjithatë nuk do doja të lija anash edhe grupet. Grupet këtë vit janë bombastike, ka sakaq talente, ka zëra shumë të bukur femërore dhe gjithashtu 23-vjeçarët janë vërtet të pjekur artistikisht, synojnë tek stilet dhe e kurojnë veten e tyre. Këndojnë me logjikë dhe punojnë shumë. Të gjithë punojnë shumë.
Ndalojmë pak tek grupet; mendon se do të ketë ndonjë grup që do të jetë pasardhës i “Spirit Voice”?
Pasardhës?! Nuk mund të them pasardhës, sepse në vetë kohën kur ne jemi krijuar, ka qenë moda e pop grupeve dhe muzika jonë ka qenë pop, funky, por mendoj se nga “X Factor” do të dalin grupe mjaft interesante, që përqafojnë rrymat e momentit. Ata kanë zëra mjaft të bukur. Më përpara kanë qenë një ose dy shtylla, që ishin solistët, dhe të tjerët plotësonin zërat e dytë dhe të tretë. Sigurisht që ka edhe nga ata që ndihmojnë me zërat e dytë dhe të tretë, por të gjithë këta që janë në grup, shumë mirë mund të ishin edhe solistë, sepse kanë zëra vërtet të bukur. Madje kemi qenë mjaft në dilemë, sepse nuk dinim kë të bënim solist dhe kë të fusnim në grup. Sido që të jetë, duhet që edhe ata të jenë në fushën e muzikës. Ata janë në Lice dhe janë vërtet zëra shumë të mirë.
Rikthimi i grupit “Spirit Voice”, çfarë ishte për Sonin?
Rikthimi i grupit ishte një dashuri, diçka mjaft emocionale, ishte një gjë shumë e bukur, që edhe vetë nuk di si ta shpjegoj. Ka qenë një dëshirë e kahershme e imja. E kam theksuar shpesh në mediat e shkruara, në mediat vizive, që shpresoja shumë në një rikthim të “Spirit Voice”. Më në fund u krijuan mundësitë, sepse ka qenë thjesht një çështje dokumentacioni si fillim, pastaj kuptohet që ne ishim në atë fazë të jetës ku krijuam familjet tona, e kështu duhet të ishim në rrjedha të njëjta për t’u bashkuar, siç ndodhi tani. Nuk donim që të ishte ‘obobo’ sikur çfarë po bënim, rikthimi ynë. Donim të dilnim ashtu thjesht, sikurse e kemi nisur, dhe menduam që një prezantim shumë i mirë do të ishte në “100 vjet muzikë”, sepse sido që të jetë edhe ne kemi lënë një gjurmë në muzikën shqiptare, në artin shqiptar dhe ne ndër vite si “Spirit Voice”, kemi bërë riorkestrimet e këngëve popullore qytetare. Neve na pëlqen shumë muzika tradicionale, na pëlqen shumë tabani ynë kombëtar, sepse ka një melos të mrekullueshëm. Ne donim patjetër që të sillnim edhe një kolazh popullor, sepse në të gjitha koncertet tona, në turet që kemi bërë, përpos këngëve tona, gjithmonë kemi kënduar edhe këngë popullore, kështu që na erdhi mirë që ishim në atë natë ku të gjithë artistët dilnin me këngë qytetare lirike.
Dikur keni qenë shoqe të ngushta. Sot, vazhdoni ta ruani këtë miqësi?
Absolutisht po. Ne komunikojmë vazhdimisht, sidomos me Dorinën, sepse Dorina është pak larg dhe e kemi pak me më shumë merak (qesh)…
Bëni video-konferenca të treja?
Natë për natë (qesh). Dorina më mbyt me pyetje. Është shumë e kujdesshme, sidomos për Annën, dhe më jep këshilla gjithmonë.
Më ke treguar që keni marrë edhe një urim nga kryeministri Berisha për bashkimin?
Po, kjo ka qenë diçka shumë e bukur. Menjëherë pas përfundimit të asaj nate, zoti Berisha, si një artdashës që është, na mori në telefon, duke na uruar pikësëpari dhe duke na pyetur pastaj për familjet respektive. Ne jemi ndjerë vërtet të privilegjuara atë natë. Gjithsesi unë do doja të bëja një falenderim, se harroj pastaj, për Birizi Musarain, orkestruesin e kolazhit të këngëve të “Spirit Voice” dhe Saimir Çilin, orkestruesin e kolazhit të këngëve popullore.
Ndërkohë, a do të ketë një projekt tjetër të “Spirit Voice”?
Besoj se po, por duhen marrë parasysh edhe aktivitetet që secila nga ne ka. Siç e thashë, ndikon largësia, rakordimi i punëve të secilës prej nesh. Dëshira është shumë e madhe. Shpresojmë që të realizohet.
Ndërkohë Soni, ndonjë projekt të afërt në muzikë?
Patjetër që do të ketë këngë të reja.
E mendon pjesëmarrjen në ndonjë festival?
Ndoshta vitin tjetër. Këtë vit jam vërtet shumë e përfshirë në “X Factor” dhe dua që këtë gjë ta bëj mirë. Po përkushtohem vërtet shumë, sepse në të njëjtën kohë jam edhe trajnere zëri, ‘Vocal coach’, me djemtë dhe punoj përditë, përditë, përditë. Dua që ata të forcohen shumë si këngëtarë, qoftë nga ana vokale, qoftë nga ana e performancës. Është hera e parë që unë jam në këtë rol dhe normalisht që është ajo pikëpyetja se sa do ta përqafojë publiku rolin tim si gjyqtare. Ndonjëherë kam marrë kritika që jam shumë e butë. Por unë jam kujdesur që të mos lëndoj asnjë nga ata që marrin pjesë. Sepse edhe në botë, ana psikologjike e konkurrentit është shumë e rëndësishme, ata nuk duhen demoralizuar.
Ndërkohë, me rikthimin në Tiranë, je takuar me miqtë e vjetër, me kolegët e tu në muzikë?
Vetë puna e ngjeshur më ka bërë që jo të gjithë t’i takoj, por jam duke i takuar pak nga pak.
Ke takuar ndonjë nga koleget që janë bërë nëna, për të shkëmbyer eksperiencat?
Po. (qesh) E di kush është e forta? Ne takohemi gjithmonë në punë dhe ndërkohë që të tjerët presin që ne të bëjmë punë, ne fillojmë nga pyetjet për njëra-tjetrën, sa kohë i ke dhënë gji, jo po dhëmbët, jo biberoni. Futemi në atë botën e mamave dhe nuk presim fare që të kthejë njëra përgjigje. Jam takuar me Aurela Gaçen, me Jonida Maliqin, me Julkën patjetër dhe kemi kaluar dy orë të mira duke folur për fëmijët tanë. Me Ledina Çelon kam komunikuar nëpër rrjeteve sociale. Me Ingrit Gjonin kam folur ndërkaq në telefon.
Mirko, ka ardhur në Tiranë?
Po, si s’paska ardhur!
Si u ndje kur zbriti në tokën që e lidhi me ty?
Shiko, Mirkos gjërat rreth e rrotull i bëjnë më pak përshtypje kur shikon fytyrën time dhe të vajzës. Në momentin që ai më sheh mua në aeroport, çkonjektohet nga çdo gjë tjetër përreth. Ndonjëherë harron që, sido që të jetë, njihet edhe ai.
A e ka të vështirë largësinë?
E ka shumë të vështirë, sepse Mirko është shumë familjar dhe familjen e ka të shenjtë. Nuk lejon asnjë njeri që ta prekë familjen e tij. As gazetat. Është shumë pak bashkëpunues nga kjo anë. Madje do ta quaja fanatik. Normalisht që për të është një periudhë shumë e vështirë.
Ai, çfarë po bën atje?
Ai po merret me audicione për disa role filmike, por më së shumti po i përkushtohet biznesit. Ka disa projekte të tijat.
Ndërkohë, Anna është rritur. Së shpejti bën 1 vjeç, apo jo?
Po, në 6 janar Anna bën 1 vjeç. Është një fëmijë që e do muzikën jashtë mase. Po të dëgjojë një tingull, për atë shuhet çdo gjë dhe ajo është e përqendruar vetëm aty. I pëlqen shumë të kërcejë. Gjithë ditën rrotullon duart, lëviz këmbët.
A ka filluar të belbëzojë, thotë ndonjë fjalë?
Po, po. Nuk e di, ‘duku duku’ diç thotë, s’e marr vesh se çfarë kërkon. Ka filluar të ecë pak nga pak. Çdo gjë po shkon në normalitet. Sigurisht, po kalon atë periudhën e vështirë të dhëmbëve, të cilën çdo nënë e vuan brenda vetes, dhe Mirko së bashku me ne, nga larg. Megjithatë Mirko gjithmonë më thotë ‘qetësohu, do kalojë’.
Po mami Marina?
Gjyshërit, qoftë babai i Mirkos në Itali, por edhe prindërit e mi këtu, janë shumë të dhënë pas Annës. E kanë llastuar në maksimum dhe po gëzojnë çdo moment, po jetojnë çdo çast të lumtur me të.
Është shqiptarizuar ndopak Anna?
Po, është shqiptarizuar shumë (qesh). Ne e kemi çuar në çerdhe Annën, ngaqë nuk donim ta llastonin gjyshërit në shtëpi, por mesa shoh në çerdhe po e llastojnë edhe më shumë (qesh).
Del për xhiro me Annën?
Po, dalim nga liqeni shumë shpesh.  Eraldo Rexho Bluetooth

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here