sonimalaj1Vendos të flasë për shpirtin, mendjen, trupin dhe harmoninë mes tyre që ia ka dhënë martesa me balerinin italian, Mirko Luccarelli. Soni Malaj në këtë intervistë për gazetën “Panorama” zbulon ca sekrete personale për veten, që nga adhurimi për trupat e tonifikuar të aktorëve të “Baywatch” kur ishte 14 vjeç, dhe deri te pasioni për ta pasur trupin me muskuj tashmë që është bërë nënë e vajzës 1-vjeçare Anna, dhe i ka kaluar të 30-at. Jeta e saj artistike mes Italisë dhe Shqipërisë dhe planet në muzikë pas “X Factor”…

Javën e kaluar postove disa foto në faqen zyrtare në facebook, ndërsa ngrije pesha në palestër. Deri tani mendonim se ishe një vajzë e brishtë…
Në fakt nuk është kështu, pasi pasioni im për sportet e rënda ka nisur që në adoleshëncën time të hershme. Me kalimin e kohës fillova të pasionohesha me kulturizmin, që është trajnimi që merret me peshat dhe muskujt, pra që nuk ka lidhje me aerobinë dhe kardiot.
Kur ke qenë adoleshente, në Shqipëri nuk kishte filluar ende kultura e palestrave. Nga çfarë frymëzoheshe?
Në fakt, unë kam qenë 14 vjeç kur fillova të stërvis trupin tim, dhe frymëzimi më erdhi ndërsa ndiqja telefilmin ““Baywatch” e ndërsa shikoja gjithmonë ata trupat e palestruar të aktorëve. Kështu më lindi pasioni për sportin, palestrën dhe që 14 vjeç merresha me litarë e muskuj barku. Për herë të parë në palestër kam hyrë në moshë 17 vjeç, por prapë nuk është se dija të bëja mirë ushtrime si duhej. Me kalimin e viteve sa më shumë kontakt kisha me palestrën dhe sportet, aq më shumë zbuloja çfarë duhej për trupin, dhe kështu fillova ta njoh më mirë trupin tim.
Tashmë je e kënaqur me trupin tënd?
Tani ndihem shumë mirë.
Pse më parë çfarë nuk të pëlqente në linjat e tua?
Jo aspak, s’jam ndier mirë. Pasi gjithmonë kam qenë ajo femra e mbushur në vithe, dhe nuk më pëlqente kjo gjë. Por falënderojmë Lopez dhe Beyonce, që me trupat e tyre u dhanë mesazhin femrave që  të jesh e mbushur nuk është gjë e keqe dhe m’u desh ta pranoja dhe unë trupin tim (qesh). Por dua të theksoj që në këtë aspekt më ka ndihmuar shumë Mirko, i cili është marrë me sporte, palestër, dhe kulturizëm dhe më ka ndihmuar shumë që të njoh trupin tim.

Mirkos i pëlqen më shumë të jesh e dobët, apo të marrësh pak kile?
Mirko në fillm kur jemi njohur, si italian që është i pëlqente që unë të isha e dobët. Pastaj kur erdhi një moment që u dobësova pa dashje pas lindjes, kishte ndryshuar mendim dhe më thoshte: “Zemër, je shumë e dobët, duhet të bësh pak më shumë palestër pasi nuk është profili yt kaq i dobët”. Megjithatë, palestrën unë nuk e bëj për t’u dobësuar, por për t’u mbushur, edhe pse njerëzve mund t’u duket pak e çuditshme kjo që po them.
Të mbash regjim duhet të jesh strikte me veten, si e programon kohën tënde për t’i qëndruar pranë dhe vajzës?
Unë shfrytëzoj paraditen. Ngrihem herët në 07:00. Anna më bën zgjimin, e bëj gati për çerdhe, shkoj në palestër, pastaj në palestrën tjetër për stërvitjen vokalistike, më pas merrem me materiale muzikore të mia, dhe për të rinjtë e “X Factor” për orë të tëra.  Në darkë sërish me Anën, dhe pasi e vë në gjumë, sërish merrem me materiale muzikore.
Deri tani nuk keni preferuar të publikoni qoftë edhe një foto të vajzës suaj. Kujt i ngjan?
Në fakt, kam filluar të bëhem xheloze, sepse duket që ka vesh muzike, por që i pëlqen më shumë të kërcejë, pra ka marrë shumë nga Mirko (qesh).
Dhe meqë jemi te martesa, kjo jetë e re të ka bërë më të lumtur?
Po. Që kur jam martuar, jam më e lumtur. Martesa mua më ka ndihmuar në këtë aspekt, se jam kaq e qetë shpirtërisht dhe psikologjikisht, saqë komentet rreth e rrotull nuk i marr fare parasysh. Dhe nëse e kanë për të më bërë dëm, u them që e kanë kot se këto më lënë krejt indiferente. E di që kam 16 vjet në art, e pastaj showbiz, i njoh kaq mirë të gjitha gjërat në këtë botë, dhe asgjë që unë nxjerr nga goja nuk është kot. Edhe në qoftë se tregohem pozitive, e bëj për të mos i goditur këta të rinj, pasi kaloj çdo ditë nga 10 orë me ta.
Regjim, punë dhe jetë intensive. Kur ndodh që ta llastosh veten?
Kur më gatuan Mirko spageti (qesh). Ai gatuan shumë mirë gjithçka, por për makarona është specialist. Madje në Spanjë komshinjtë tanë luteshin të merrnin një pjatë spageti nga Mirko. Për Vit të Ri gatuan ai, dhe mund të veçoj pjatat me mish lepuri e aragosta që i gatuan vetë.
Ndihesh me fat atëherë?
Secili nga ne ka huqet e veta, po përgjithësisht e quaj veten me fat.
Mund të na tregosh disa huqe të tij, të cilat ju bëjnë të konfliktoheni?
Ne kemi kontradiktat tona, se Mirko është karakter shumë i fortë. Duke qenë sicilian, është maço, e ka atë karakterin e mashkullit që do të kontrollojë femrën e tij.
Dhe deri ku arrin kontrolli i tij? Sa e kontrolloni njëri-tjetrin?
Ne e kontrollojmë shumë njëri-tjetrin dhe kontrolli i Mirkos ndaj meje shkon deri në detajet më të vogla. Këtu ndodhin kontradiktat, pasi nuk jemi indiferentë ndaj njëri-tjetri. Pastaj secili nga ne ka mendimet e veta dhe, duke qenë detajista, fillon lufta (qesh).
Nga eksperienca jote, cilat janë të mirat e një bashkëshorti të huaj, dhe të këqijat?
Në fillim Mirkos, duke qenë italian, i bënte shumë përshtypje kur njerëzit i thonin: “Soni ka pasur një lidhje më përpara. I bënte përshtypje dhe pyeste: ”Po për çfarë më thonë, konsiderohet diçka e keqe këtu? Ti je 29 vjeç, normal që ke pasur jetën tënde… Pra, e mira është që nuk merret shumë me thashetheme, preferon të njohë personin dhe ndihet OK. Pastaj normalisht kur zihemi, unë i flas shqip, ai nuk më kupton, dhe kërkon t’ia përkthej, por unë nuk kam nerva.
Por tashmë jeni larg-njëri tjetrit, si e menaxhoni largësinë?
Së shpejti unë do iki në Itali për disa ditë, pastaj do vijë ai këtu, dhe me të mbaruar “X Factor” do kthehemi në Itali për t’u rikthyer me koncerte në Shqipëri më vonë. Jemi të dy vajtje-ardhje për t’u vendosur në Romë, pasi për Mirkon fillojnë ofertat artistike.
Kjo jetë në lëvizje ju bezdis, apo ju pëlqen?
Neve na kënaq, se e kuptojmë njëri-tjetrin si artistë që jemi  dhe ecim në të njëjtat rrjedha.
Kur u njohët në “Dancing”, u bëtë dhe problem për produksionin pasi ziheshit shumë. Po tani të përkëdhel Mirko?
Në fakt, ai është tip perfeksionisti si atëherë, ndërsa unë pak më shumë tolerante.
Cila është këshilla që të ka dhënë Mirko?
“O Zot ty të gjithë njerëzit të duken të mirë, dhe çdo gjë të duket e bukur, por nuk është kështu…”

Soni: Dieta ime personale
Soni zbulon dietën personale që ndjek, për të mbajtur trupin në formë pas lindjes. Ajo zbulon ushqimet e kësaj diete proteinike të ndarë në vakte të shpeshta. Ja si ia del ajo me shumë pak orë gjumë, në sajë të konsumimit të deri në 4 kg ujë në ditë.
Mëngjes: Të bardha vezësh të tiganisura, dhe dy feta të vogla bukë të thekur integrale.
Ora 11:30
Një frut, përgjithësisht ananas ose banane, dhe 40 gr djath të skremuar.
Drekë: Sallatë, mish (pulë, viç) me zarzavate të ziera, ose gjellë shqiptare me mish
Ora 17:30
Pije proteinike, që përdoret nga njerëzit që merren me palestër.
Ora 20:30
Gjoks pule me zarzavate ose peshk me sallatë

Të tjera sekrete për regjimin
Ujë?
Nga 2-3 litra ujë në ditë, deri në 4 litra.
Gjumë?
Fle shumë pak orë. Më ndihmon uji që konsumoj për të qëndruar e zgjuar, i cili  ka shumë oksigjen.
Kafe?
Konsumoj dy kafe në ditë, të shoqëruar me ëmbëlsues, jo sheqer.
Verë?
Nuk mund ta quaj pjesë të menysë sime.
Alkoole të tjera?
Jo shpesh. Një herë në javë mund të lejohet, këtu fus verën.
Picat?
Një herë në javë.
Embëlsirat?
Një herë në javë.
Ke probleme me lodhjen, dehidratimin?
Jo, aspak. Nuk vuaj nga dehidratimi, që përgjithësisht e lodh fizikun.
Të biesh në peshë do të thotë të mos hash, apo të ushqehesh mirë?
Unë personalisht jam konsultuar me trajnerët e mi, që më thonë çfarë duhet të ha që të mbaj trupin tim në formë. Por çdo person ka specifikën e tij në ushqim, ka një grup gjaku se çfarë duhet të hajë që të jesh në formë dhe që të bën mirë. Që të jesh në formë nuk do të thotë të rrish pa ngrënë, por të ushqehesh mirë  që të kesh energji për të punuar.

Burimi: vipat.info

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here