VIP Shqiptar

Ogren Balluku: Të vërtetat e turpshme për Ermelën i morëm vesh pasi dolëm

Finalisti i Big Brother shprehet për dashurinë me Nedën: “Me të ndihem mashkull me fat. Ja me kë nuk dua të flas e takohem jashtë BB”. Sipas tij, për lojën, Ermela shkeli mbi moralin e saj si femër.

Asnjë gjë që ndodhi brenda shtëpisë më të vëzhguar të Big Brother nuk e nxori nga natyra e tij e qetë, as sulmet e vazhdueshme, as mosbesimi që kishin banorët në lidhje me marrëdhënien e tij me Nedën, as thashethemet që transmetoheshin të shtunave, fjalët hidh e prit etj.

Ogren Balluku, një prej finalistëve të BB4, thotë në intervistën për “Standard” se lidhja e tij me Nedën u bë akoma më e bukur, për shkak të këtyre rrethanave. “Në shtëpi marrëdhënia jonë është sulmuar shumë, kjo ka qenë strategjia e tyre në grup, sepse të gjithë kanë ndier konkurrencën shumë të fortë që ne u ofronim.

Për sa u përket njerëzve jashtë shtëpisë, mendoj që mënyra ime dhe e Nedës për të mos djegur etapat dhe për t’i hedhur hapat vetëm atëherë kur ishim të sigurt mbi gjëra të caktuara, disa prej personave i bëri të ishin skeptikë, jo të gjithë arritën të na kuptonin siç duhej”, – thotë ai, ndërsa tregon se Neda është partnerja ideale që do të kishte dëshiruar.

Neda ka absolutisht të gjitha karakteristikat që unë vlerësoj tej mase tek një femër. Këto veçori janë shumë të rralla t’i gjesh që të gjitha të grumbulluara brenda një femre”.

Po çfarë thotë ai për fituesin e çmimit të madh, Ermelën?! “Për mendimin tim, fituesi duhet të ishte një personazh me karakteristika tërësisht të ndryshme nga ato të Ermelës, e cila për efekt të lojës shkeli edhe mbi moralin e saj si femër, vetëm për të arritur tek çmimi.

Ajo gjithashtu na ishte shprehur qartë brenda shtëpisë se ato para i nevojiteshin për arsye të rënda familjare, të vërtetat e turpshme të të cilave ne i morëm vesh vetëm kur dolëm”, – thotë Ogreni, duke shtuar se tanimë që ky spektakël mbaroi, ai do të ruajë marrëdhënie të mira me Klaudian, por nuk do të donte të ndeshej me Algenin dhe Torosin, të cilët i konsideron “dy persona me shumë pak vlera njerëzore”.

Ogren, së pari përshëndetje! Si po kalojnë këto ditë? Normalisht njerëzit ju njohin, ju përshëndesin në rrugë etj. E mendonit se do të kishit kaq publicitet dhe a ka qenë kjo gjë nga qëllimet tuaja në nismën për të hyrë në BB?

Publiciteti është element që i shoqëron të tilla formate dhe unë sigurisht që isha i ndërgjegjshëm për shikueshmërinë dhe impaktin që do kisha tek njerëzit pas kësaj eksperience. E rëndësishme është që tashmë të gjitha reagimet që unë po marr gjatë ditëve, janë tej mase pozitive. Kjo gjë më lumturon shumë dhe mendoj se kjo është fitorja ime e vërtetë.

Tani që dolët nga shtëpia më e famshme në vend, kur ktheni kokën pas, si e konsideroni këtë eksperiencë?

Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e vlefshme për mua. Në këtë BB unë fitova të gjitha sfidat e rëndësishme që kisha me veten dhe të tjerët, kjo më bën të ndihem vërtet krenar.

Ju vjen keq që (po t’i referohemi shprehjes së Ermelës) “emri juaj nuk u përmend i fundit”, pra nuk rezultuat fitues?

Sigurisht që dëshira e çdokujt do ishte të dilte fitimtar nga kjo lojë, aq më tepër kur është i ndërgjegjshëm që i ka të gjitha kriteret e nevojshme dhe të mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë. Megjithatë, nuk mbeta aspak i zhgënjyer nga përfundimi i lojës. Ai ishte një finalizim që unë e prisja prej kohesh dhe e kisha përgatitur veten mirë për t’u përballur me të.

A mendoni se ju penalizoi fakti që keni lidhje familjare me një personazh televiziv, gjë që mjaftoi për të nxitur spekulime për një fitore të mundshme tuajën, që në fillim të këtij reality-show?

Nuk e kuptoj ku e shikoni penalizimin. Nuk më ka ndihmuar e as penalizuar askush dhe asgjë. Kam dalë nga shtëpia e BB natën e fundit, më shumë nuk mund të qëndroja aty. Natën që unë dola, “Big Brother” mbaroi, dritat u fikën… (qesh)

Nuk e di, jua kanë transmetuar thashethemet që janë shkruar në shtyp për ju dhe Nedën? Është thënë madje se ju të dy keni kryer marrëdhënie intime brenda BB. Cila është gjëja që është thënë për ju dhe ju ka habitur më shumë?

Unë dhe Neda jemi dy njerëz shumë të rezervuar dhe pavarësisht faktit që tashmë jemi kthyer në personazhe publike, ne dëshirojmë që disa aspekte të jetës sonë private t’i mbajmë rreptësisht personale. Për sa u përket thashethemeve që janë bërë në shtyp, mund të them që disa prej tyre na kanë habitur shumë, sepse kemi dëgjuar gënjeshtra dhe trillime nga më të ndryshmet. Gjithsesi, ky është fati i parashkruar dhe i pashmangshëm që ndjek nga pas të gjitha personazhet publike.

Jashtë është folur se ti ke pasur, ndërkohë që je futur në BB, një të dashur…

Të qenit njeri i njohur sigurisht që mbart me vete edhe rreziqet e spekulimit në media. Në momentin që hyra në BB, isha i përgatitur për t’u përballur me gjëra nga më të pamundurat dhe të pavërtetat. Me sa kam lexuar, vetë vajza në fjalë ka përgënjeshtruar informacionet e pavërteta që po qarkullonin në shtyp në atë periudhë. Unë nuk do t’i hiqja dhe nuk do t’i shtoja asnjë fjalë intervistës së saj. Ne kemi qenë dhe jemi miq shumë të mirë, por asgjë më shumë.

Si po shkon marrëdhënia aq “e sulmuar” me Nedën? Historia juaj duket se ka të ardhme, apo jo?

Unë dhe Neda kemi filluar një marrëdhënie shumë të fortë brenda në shtëpi, të cilën kemi dëshirë ta rrisim e forcojmë çdo ditë e më shumë jashtë saj. Gjithmonë dhe kudo jemi bashkë për ta zhvilluar hap pas hapi të ardhmen e marrëdhënies sonë.

A është Neda partnerja ideale për ty, me të cilën mund të thurësh edhe plane për fejesë apo martesë?

Neda ka absolutisht të gjitha karakteristikat që unë vlerësoj tej mase tek një femër. Këto veçori janë shumë të rralla t’i gjesh që të gjitha të grumbulluara brenda një femre. Pikërisht kjo më bën mua të ndihem një mashkull me fat. Përsa i përket së ardhmes, synimi ynë kryesor në këtë moment është të shijojmë çdo ditë në maksimum, duke i falur njëri-tjetrit shumë dashuri.

Kemi parë që javën e parafundit të spektaklit, kur Neda doli (për më tepër pa u përshëndetur), ti u preke shumë, gjë që u duk edhe në ditët në vijim. Përse mendon se shumë persona ende ishin skeptikë për marrëdhënien tuaj?

Në shtëpi marrëdhënia jonë është sulmuar shumë, kjo ka qenë strategjia e tyre në grup, sepse të gjithë kanë ndier konkurrencën shumë të fortë që ne u ofronim. Për sa u përket njerëzve jashtë shtëpisë, mendoj që mënyra ime dhe e Nedës për të mos djegur etapat dhe për t’i hedhur hapat vetëm atëherë kur ishim të sigurt mbi gjëra të caktuara, disa prej personave i bëri të ishin skeptikë, jo të gjithë arritën të na kuptonin siç duhej. Megjithatë, kanë qenë pikërisht ato dinamika që e kanë bërë marrëdhënien tonë kaq të fortë dhe të bukur.

Në studion e BB, i the Arbanës që më mirë ta fitonte Ermela, ngaqë është femër. A është e mjaftueshme kjo për të fituar jo vetëm reputacionin, por edhe çmimin prej 100 milionë lekësh?

Sigurisht që jo. Për mendimin tim, fituesi duhet të ishte një personazh me karakteristika tërësisht të ndryshme nga ato të Ermelës, e cila për efekt të lojës shkeli edhe mbi moralin e saj si femër, vetëm për të arritur tek çmimi. Ajo gjithashtu na ishte shprehur qartë brenda shtëpisë se ato para i nevojiteshin për arsye të renda familjare, të vërtetat e turpshme të të cilave ne i morëm vesh vetëm kur dolëm.

Ogren, na hiq një kuriozitet. Je vërtet aq i durueshëm si person, sikurse u shfaqe në BB, pasi në disa prej situatave me të cilat je ndeshur, shumë persona do kishin arritur deri aty sa të rriheshin?

Sigurisht që brenda shtëpisë presioni dhe vështirësitë ishin vërtet të mëdha, por kjo nuk më bëri mua të dilja jashtë natyrës sime të durueshme dhe tolerante, për asnjë çast. Gjatë gjithë kësaj eksperience unë kam qenë Ogreni i vërtetë, me të gjitha veçoritë që më karakterizojnë.

Për cilin prej banorëve do të ruash mendim më të mirë dhe me cilin nuk do doje të takoheshe?

Mendimin më të mirë sigurisht që do ta ruaj për Klaudian, me të cilën shoqëria ime po vazhdon e fortë edhe jashtë. Për sa u përket personave që nuk do doja t’i takoja me jashtë, mes tyre dua të veçoj Algenin dhe Torosin, dy persona me shumë pak vlera njerëzore!

Së fundmi, a do ta shfrytëzosh famën që të dhuroi BB?

Unë do mundohem të marr vetëm anët pozitive të gjithë kësaj eksperience dhe t’i kthej ato në një burim energjie të pashtershëm për të ardhmen time.

Komentoni këtë artikull

FAQE TE ZGJEDHURA

MARKETING

Copyright 2009 Thashetheme.