Të gjithë e njohin si folësen simpatike të lajmeve në Top Channel. Shumë të tjerë dhe si dermatologe. Të afërmit edhe si një nënë shumë të kujdesshme. Mapo Weekend ka tentuar ta zbulojë edhe shumë… si një vajzë gjirokastrite, por aspak kursimtare, si një nostalgjike që ruan çdo gjurmë të jetës së vajzave të saj, si një femër  që ka sekretet e bukurisë së saj, siç është dhe konsumimi i një shege, çdo natë, para se të flejë.

Cili është mëngjesi yt rutinë?

Zgjimi, përgatitja e çantës së ushqimit të vajzës së madhe, tualeti i mëngjesit, make up, veshja e vajzave, shpërndarja në destinacion dhe mbërritja në QSUT.

Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?

Zgjim i pa sforcuar nga alarmi, pa asnjë mjet që tregon orën rreth e rrotull, me kokën të zbrazur nga mendimet dhe programi i ditës, rrotullim i paqëllimtë nëpër shtëpi, nja 15 minuta në një dritare që shikon nga natyra pa njerëz, tualeti i mëngjesit, atlete dhe tuta sporti dhe dalja nga shtëpia për të pirë një kafe e për të vendosur sesi do kalojë dita.

Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?

Ka qenë dikur Bar Restorant Piazza, tani mund ta pi kafen e mëngjesit kudo, nuk bën diferencë.

Me kë dëshiron të jesh në këtë gjerbje kafeje, mëngjesi?

Fundjavave me bashkëshortin, në ditët e punës me Violetën,  Monikën, Almën ose vetëm me veten time.

A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?

Përditë e më shumë. E adhuroj dermatologjinë, sidomos dermatologjinë estetike. Është art, përkushtim, kreativitet.

A i devijon shpesh detyrimeve apo afateve ditore që ke?

Nuk më lë blloku. Shënoj çdo gjë në të (axhendë) dhe meqenëse oraret e mia janë të lidhura me oraret e pacientëve të mi, nuk ka gjasa t’i cenoj në atë që është më e shtrenjta dhe më e munguara për ne të vdekshmit: kohën. Nga ana tjetër nuk kam mundur kurrë ta rregulloj problemin tim madhor: i le të gjitha gjërat për në afatin e fundit dhe gjithmonë përfundoj duke i bërë me vrap dhe me stres të paparë.

Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur në kësi rastesh?

Nuk është gënjeshtër; është përgjigje sa e sinqertë dhe naive aq dhe e moshuar: “harrova!”

A je dembele? Nëse po, kur të ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?

Për gjërat rutinë jam shumë dembele. Përtoj pa fund dhe i shtyj pambarimisht.

Ku të zë dreka zakonisht?

Zakonisht në klinikën time dermo-estetike Derma-Care.

Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën tënde?

“Fiore” në Tiranë, “Alpiag” në Petrelë, “Lulja” në Durrës.

Fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?

Vetëftohemi me bashkëshortin dhe vajzat, ose dhe me shoqërinë.

A je kursimtare?

Jam gjirokastrite, por jo kursimtare.

A ke në rit gjumin, apo pushimin e drekës?

Fatkeqësisht jo, do doja shumë ta kisha!

Kur ke qenë e vogël a ta kanë diktuar prindërit pushimin e detyruar të drekës? Bëje rrenga për t’i shpëtuar?

Nuk u është dashur. Unë i përkas atij grupi njerëzish që sa vë kokën në nënkresë nis e fle. E adhuroj gjumin!

Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?

Fotografitë, nuk para kam qenë natyrë nostalgjike, por qysh kur u bëra nënë, përpiqem të ruaj çdo gjë që e konsideroj si një gjurmë domethënëse për jetën e vajzave të mia.

Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?

Fëmijëria, kur shkoja në shtëpinë e gjyshërve nga mami në Kuçovë dhe luaja në oborr me kushërinjtë e mi, pastaj përvidhesha në pemë për të ngrënë fshehurazi kumbulla jeshile me kripë.

Po kujtimet e hidhura?

Nuk e di, tani që e mendoj më kujtohen shumë pak, më duken të zbehta, ndoshta ngaqë mendoj shumë pozitivisht dhe i shtyp në subkoshiencë të këqijat.

Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, i mban vetëm për vete…? Ke mbajtur ditar?

I mbaj për vete, nuk i flas, sa për ditar: i vetmi për të cilin kam respekt është ai i Ana Frankut, të tjerët më duken si sirtarë komoje që mund t’i hapë kushdo.

Çfarë ka në portofolin tënd?

Fotot e tre të shtrenjtëve të mi, lekë shqiptare, gjithmonë 20$ dhe 50 Franga zvicerane, karta e Identitetit, karta e Anëtarësisë në Akademinë Europiane të Dermatologjisë, karta supermarketesh, një kopsë e bluzës së vajzës së madhe që nuk e di pse nuk e heq asnjëherë dhe ca kartëvizita të njerëzve të ndryshëm, që edhe ato nuk e di pse janë gjithmonë aty.

Në mëngjes e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?

Nuk merrem me dollapin në mëngjes, pasi i bëj gati rrobat që në darkë.

Cila është ngjyra që mbizotëron në shtëpinë tënde?

Bezha.

Ekziston një aromë të cilën ti e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makine?

Po, vanilja dhe kanella!

Çfarë CD ke në makinë?

ABBA, Mozart, Verdi, jazz, Amy Winehouse.

Çfarë muzike ke zile telefoni?

Zile si ato të telefonave të shtëpisë që kemi pasur dikur.

A ke miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?

Kam shumë, por të gjithë i takoj vetëm virtualisht në Face Book.

A je e hapur për miqësi të reja, apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?

Jam shumë e hapur për miqësitë e reja dhe shumë hermetike kur zhgënjehem nga miqësitë.

Ku rri zakonisht me miqtë?

Kur jam me miq nuk e kam shumë problem sfondin, kënaqem kudo që të jem.

Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi? Pra, kur mbaron zakonisht dita jote?

Mbyllem nga ora 21.30, kur kthehem nga klinika ime.

Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde?

Përgatitja e një darke të lehtë, përgatitja për të nesërmen, vënia e vajzave në gjumë, endje nëpër internet, ndonjë film (tashmë më pëlqejnë më shumë komeditë) dhe megjithëse them gjithmonë që nuk do e bëj më se më bëhen duart pis, ha shegë para se të fle.

Po idealja, cila do të ishte?

Ehhhh, vatër dhe zjarr të vërtetë në dimër, kopsht dhe verandë në verë, libri i fundit ose një libër i rilexuar për të dhjetën herë, mendje e freskët dhe e pamendimtë dhe ndonjë ushqim sqimatar për të pickuar (vdes për djathë).

Kur shkon për të fjetur?

Zakonisht nga ora 1.00.

Cila është uniforma jote e gjumit?

Pizhame “Etam”

Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?

Bashkëshorti im.

GAZETA MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here