Lani, një personazh te “Kodi i jetës”, mund të ketë triumfuar në kërkim të njerëzores. Petri në “Agnues Dei” përfundon si i vetëvrarë.

Ndërsa ish-ushtari në “Heroi” tregon sesi është të luftosh për vendin tënd e pas luftës ai vend të mos kujdeset për ty. Secili nga këta filma ka një histori të tillë përfundimi. Por në fakt historia e tyre nuk ka përfunduar.

Qendra Kinematografike e Kosovës, si subvencionues i këtyre projekteve filmike, do që t’ia dijë anën tjetër të historisë së këtyre filmave. “Kodi…” me regji të Ekrem Kryeziut, i dhënë premierë muajin e kaluar e i subvencionuar nga QKK në vitin 2009 me 240 mijë euro, pastaj “Heroi” i Luan Kryeziut i subvencionuar po atë vit me 190 mijë euro së bashku me projektin filmik të Agim Sopit,        “Agnus dei” i subvencionuar më 2010 me 310 mijë euro, ka gjasë që t’u bëhet auditim. Të gjitha këto projekte janë mbështetur në kohën kur me QKK-në ka udhëhequr Zeqir Hamiti.

Por kërkesën për auditim të këtyre projekteve filmike e ka bërë pasardhësi i Hamitit, Fatos Berisha. E këtë lajm, Qendra Kinematografike e Kosovës e ka bërë të ditur fillimisht duke e futur në kuadër të komunikatës si kundërreagim ndaj Grupit të ekspertëve të partisë më të madhe opozitare LDK-së, e cila kishte kritikuar QKK-në për cilësinë e filmit me regjit të Ekrem Kryeziut, shkruan sot “Koha Ditore”.

Berisha së bashku me Këshillin Drejtues të QKK-së kanë nënshkruar këtë komunikatë ku bëhet e ditur nisja e kërkesës për auditim.

”Sa i përket projektit filmik ‘Kodi i jetës’ që ‘grupi i ekspertëve’

i referohet me ironi si ‘kryevepra e qeverisë’, dhe 2 projekteve të tjera

të metrazhit të gjatë të subvencionuar në 2009 dhe 2010 nga ish-menaxhmenti, ne tashmë kemi dërguar kërkesën te Auditori Gjeneral i Kosovës për auditim të këtyre projekteve”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në atë dokument, QKK, nuk ka dhënë ndonjë arsye se përse kërkohet ky auditim.

“Nëse ka parregullsi në rrjedhën e këtyre projekteve, përveç përgjegjësisë artistike dhe jurisë, dikush do të japë edhe përgjegjësi juridike”, thuhet në komunikatë.

E arsyet nuk i ka treguar as nëpërmjet telefonit, drejtori i QKK-së, Fatos Berisha.

Kryesuesi i këtij Këshilli, Arben Zharku, ka pranuar se e di që është bërë kërkesë për auditim, por jo edhe për arsyet.

“E di që drejtori i QKK-së ka kërkuar fillimisht nga zyra e auditimit në Ministri të Kulturës, por ata kanë sugjeruar që të bëjnë kërkesë te Zyra e Auditorit Gjeneral”, ka thënë Zharku.

Gazeta ka kontaktuar producentin e filmin “Kodi i jetës”, Shkumbin Kryeziu, por as ai nuk ka dashur të fliste.

Teksa regjisori i filmit “Heroi”, Luan Kryeziu, nuk ka pasur qasje në telefon, kolegu i tij, Agim Sopi, regjisor i filmit “Agnus Dei”, ka zgjedhur të japë përgjigjen, pa e ditur fare pyetjen.

“Jam në Shkup, s’mund të flas”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here