VIP Shqiptar

Ken Biberaj: Karriera e shqiptarit që synon të jetë anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut

Ken Biberaj, djali i gazetarit të njohur Elez Biberaj, ka shpallur kandidaturën e tij për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut.

Ai tani është një kandidat zyrtar për vendin e anëtarit të Këshillit Bashkiak, Qarkut të 6-të, pjesë e Epërme në perëndim të qytetit Nju Jork Biberaj do të përballet me kandidatura të forta si Helen Rosenthal dhe Mel Wymore, si dhe Drejtuesin Demokrat të Qarkut, Marc Landis, në zgjedhjet e pranverës 2013.

Në këtë intervistë z. Biberaj ndan më lexuesit shqiptarë krenarinë e të qenit shqiptar dhe kontributin që ai do të japë për të rritur rolin e komunitetit shqiptar në Amerikë. Nga ana tjetër ai thekson se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë më e ndritur nëse shqiptarët i dedikohen me devotshmëri zbatimit të ligjit, siç ndodh në sistemet politike perëndimore.

-Zoti Biberaj, ju jeni duke kandiduar si anëtar i Këshillit të Bashkisë se Nju Jorkut. Sa shumë ndikon origjina juaj shqiptare në këtë ambicie politike?

– Unë jam shumë i lumtur që jam një shqiptaro-amerikan dhe shpresoj shumë të sjell vlerat e komunitetit, familjes dhe devotshmërisë në punë, me të cilat jam rritur, në këtë fushatë.

– Ju jeni shqiptar dhe ne jemi krenar për këtë fakt. Por a është ky një faktor pozitiv për të bërë karrierë në Shtetet e Bashkuara?

– Unë besoj se po. Shtetet e Bashkuara kanë bërë aq shumë për popullin shqiptar gjatë këtyre viteve, sa do të ishte një moment simbolik unik që unë të zgjidhem në postet zyrtare të SHBA-ve dhe t’i kthej të njëjtin kontribut një kombi që ka bërë aq shumë për atdheun tim.

-Babai juaj është një gazetar shumë i njohur në Shqipëri. Sa shumë do të ndikojë ky fakt që komuniteti shqiptaro-amerikan të votojë në favorin tuaj?

– Babai është mësuesi dhe modeli im. Unë kam ushqyer dhe zhvilluar një pasion për shërbimin publik vetëm prej tij. Nuk e di se si ky fakt do të ndikojë në votën e shqiptaro-amerikanëve, por ai padyshim ka pasur dhe ka një ndikim mbi mua si individ dhe besoj se do të jetë një faktor pozitiv në fushatën time.

– Duke ju uruar fitore, paraprakisht, në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut, a mund t’i tregoni lexuesve shqiptarë se çfarë parashikoni ju në programin tuaj për të rritur rolin e komunitetit shqiptar në SHBA?

Shtetet e Bashkuara kanë bërë një punë të madhe për popullin shqiptar, dhe na ka dhënë aq shumë mundësi dhe shanse sa prindërit dhe gjyshërit e mi as nuk do t’i kishin imagjinuar. Megjithatë, si amerikanë me prejardhje shqiptare, ne kemi një detyrim moral për të kthyer kontributin e dhënë në komunitetin tonë dhe gjithashtu të kontribuojmë në procesin politik dhe demokratik që e bën Amerikën një superfuqi. Unë shpresoj që fushata ime do të motivojë shqiptarët e tjerë në SHBA për t’u përfshirë në procesin politik amerikan dhe të kandidojnë për poste zyrtare.

– Ju keni lindur dhe jeni rritur në SHBA, por çfarë dini rreth Shqipërisë dhe çfarë mendoni se duhet bërë për një të ardhme më të mirë euro-atlantike të Shqipërisë?

– Gjatë gjithë jetës time e kam vizituar vetëm një herë Shqipërinë dhe Kosovën në vitin 2006, dhe mbeta tepër i impresionuar. Duhet thënë se e ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës është në duart e vetë shqiptarëve dhe do të dëshiroja dhe sugjeroja që ata të fokusohen në ndërtimin e një sistemi politik, i cili siguron zbatimin e ligjit, njësoj siç zbatohet në sistemet politike perëndimore dhe vetë Shtetet e Bashkuara.

– Zoti Biberaj, në vitin 2004 ju keni qenë pjesë e fushatës elektorale të Senatorit John Kerry, për një kohë të shkurtër keni punuar në Capitol Hill dhe gjithashtu në zyrën e fondacionit të ish-presidentit Bill Klinton në Harlem. Çfarë rëndësie kanë për ju këto eksperienca dhe sa do të ndikojnë ato në kurorëzimin tuaj si fitues?

-Kam qenë me shumë fat që kam pasur mundësinë të punoj në zyra të ndryshme të fushatave politike dhe sigurisht këto eksperienca më kanë dhënë një mësim të madh se si procedohet për të kandiduar për një post të tillë dhe gjithashtu për të qeverisur. Ka qenë një kombinim eksperiencash që unë kam pasur në politikë, biznes, arsim dhe shoqërinë civile, të cilat mendoj se më bëjnë mua veçanërisht të kualifikueshëm për t’u bërë një nga anëtarët e ardhshëm të Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, përfaqësues i Upper West Side. Qyteti ynë përballët më sfida shumë të ndërlikuara dhe për këtë duhen zgjedhur njerëz të cilët dinë si të veprojnë me çështje të ndryshme dhe besoj se për zgjidhjen e këtyre sfidave unë sjell një perspektivë të freskët.

Karriera e Ken C. Biberaj

Ken Biberaj është nënpresident dhe zëdhënës i Grup Financimit RTR, e cila zotëron dhe operon me lokalin e famshëm Russian Tea Room në Nju Jork. Ky super – lokal, mbas një “zhurme” të madhe mediatike, ku u përfshinë edhe gazetat dhe televizionet më në zë në SHBA, u rihap në nëntor të vitit 2006, dhe zoti Biberaj ishte përgjegjës për të gjitha deklaratat publike dhe intervista në lidhje me rihapjen, si dhe shërben si personi prior për partneritet publik dhe privat, reklamat, komunikimin, dhe marrëdhëniet publike.

Para se të vinte në Grupin e Financimit RTR, zoti Biberaj ka shërbyer më 2004 në fushatën presidenciale të Senatorit John Kerry si Drejtor i Kërkimeve Politike për shtetin e Floridës. Përveç fushatës së Kerrit, përvoja politike e zotit Biberaj përfshin kohën në një punësim të shkurtër në Kapitol Hill dhe një punësim tjetër në zyrën e Fondacionit të Presidentit Bill Klinton në Harlem. Ndërsa në Universitetin Amerikan, zoti Biberaj ka shërbyer si presidenti i parë i trupit të studentëve. Ai ishte një nëpunës i lartë në Shkollën e Çështjeve Publike (Shkencave Politike ), dhe gjithashtu një anëtar i SPA Programit të Lidershipit. Ai ka edhe një diplomë Master në Politikat Publike nga Kennedy School of Government, në Harvard University, dhe aktualisht është duke ndjekur JD e tij në New York Law School (Fakulteti Juridik).

Mesazhi tij elektoral

Unë i njoh sfidat në drejtimin e një biznesi të vogël pasi kam një të tillë. Unë i njoh problemet me të cilat përballen familjet në këtë zonë për shkak se jam pjesë e një të tille. Por distrikti ynë po ndryshon dhe ndërsa ndryshimet sjellin të mira, ne nuk mund të sakrifikojmë themelet e këtij komuniteti dinamik. Po garoj për shkak se çdo ditë shoh një dyqan ikonik të mbyllet ose një familje që largohet nga lagjja për shkak se nuk e përballojnë jetesën këtu. Ne kemi nevojë dikë që të ngrejë zërin për këto familje e biznese të vogla. Përgjigja fillestare ndaj kandidaturës time ka qenë modeste. Megjithatë, të fitosh këtë garë do të thotë që të kërkosh ndihmën e energjinë tuaj e të shumë të tjerëve!

Komentoni këtë artikull

FAQE TE ZGJEDHURA

MARKETING

Copyright 2009 Thashetheme.