Na bën të qeshim çdo të diel, ndërsa për vete është bërë për t’i “qarë hallin”. Flori i famshëm i “Portokallisë” vendosi të ankohet tek emisioni “Fiks Fare” pas sorollatjeve për një faturë energjie elektrike.
Thotë se i vendosën në shtëpi sahatin e ri dhe për tre muaj rresht, i vinte faturë prej 30 lekësh.
Pasi erdhën tri faturat e para, i vjen një faturë tjetër me një shumë për t’u paguar prej 26.700 lekësh, e cilësuar si gjobë. Menduan se ishte shuma e tre muajve bashkë për të paguar energjinë elektrike të konsumuar, por jo. Ishte një gjobë.
“Gjobë! Por për çfarë?!”,- pyet Florian Binaj i çuditur. Ishte ankuar për këtë gjobë që në muajin nëntor të 2011-s, por nuk i dhanë asnjë zgjidhje.
Kishin pasur edhe një problem më parë kur mbifaturoheshin. Shkoi një ekip pune nga CEZ, që bëri verifikimin dhe rezultoi se sahati xhironte edhe kur automati ishte ulur. Ua hoqën atë sahat dhe e zëvendësuan me një tjetër, i cili pas tre muajve shfaqi probleme.
“Herën e parë e zgjidha me dhimbje, duke paguar nga xhepi dhe pa na u kompensuar asgjë, por tani nuk ka gjasa të zgjidhet gjë, ndaj ju drejtova Fiksit”, – thotë polici i “Portokallisë”.
Te zyra e Kujdesit ndaj Klientit që përfshin zonën ku banon aktori Florian Binaj, shpjeguan se ishte thjesht një gabim në të shprehur. “Në fakt është energji e pamatur”, – shpjegoi supervizori Denis Mulla Aliu. Sipas tij, brenda muajit do të zgjidhej ky problem dhe familjes Binaj do t’u vijë faturë normale energjie.
Ndërsa Flori i “Portokallisë” tha se “megjithëse kanë kaluar tre muaj, duke testuar sahatin e ri, në derën e shtëpisë vazhdon të vijë faturë prej 30 lekësh”.
Pas interesimit të emisionit “Fiks Fare” në lidhje me ankesën e aktorit të humorit shqiptar, i cili nuk është i vetmi që ka një problem të tillë, çështja vërtet u vu në rrugën e zgjidhjes. Nga kompania CEZ, u ndërhy ashtu siç u premtua dhe familja Binaj edhe sot e kësaj dite po faturohet normalisht për aq energji sa harxhon, ashtu siç duhej të ishte që në fillim.
