Kur presidenti i jurisë ndërkombëtare në edicionin e 62-të të Berlinales, Mike Leigh, në ditën e parë të festivalit kishte thënë se “është koha për valën e filmit evropian”, shumëkush e kishte menduar vetëm si deklaratë. Një javë më pas, të gjithë u binden se fjalët e Leighit kanë dashur të thoshin diçka për fituesin.

”Kur themi film evropian, nënkuptojmë diçka të mençur e me kapacitet të madh intelektual. Filmi fitues është tamam kështu”, e ka komentuar Leigh filmin italian “Caesar Must Die” nën regji të vëllezërve Paolo e Vittorio Taviani, raporton sot Koha Ditore. Filmi i tyre, të shtunën mbrëma, është shpallur më i miri i edicionit të 62-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Filmi që tenton të tregojë universalitetin e gjuhës së Shakespeare, nëpërmjet vendosjes së aktorëve në pozicione që u duhet të kërkojnë rolin e tyre e që realisht është i pamundur, ka marrë trofeun më të vlerësuar të festivalit, “Golden Bear”.

Çmimin e dytë më të rëndësishëm të festivalit, “Silver Bear” që njihet si çmimi i madh i jurisë ka shkuar tek ai nën regji të Bence Fliegaufit “Just The Wind”, një bashkëprodhim mes Hungarisë dhe Gjermanisë. “Ariun e Argjendtë” për regjisorin më të mirë e ka marrë Christian Petzold për filmin “Barbara”. Të njëjtin çmim për aktoren më të mirë e ka rrëmbyer Rachel Mwanza për rolin e saj në filmin “Rebelle” nën regji të Kim Nguyen, ndërsa kolegu i saj Mikkel Boe Folsgaard është nderuar si aktori më i mirë për rolin e tij në filmin nën regji të Nikolaj Arcelit “A Royal Affair”. I njëjti film është vlerësuar nga juria edhe me çmimin “Silver Bear” për skenarin më të mirë. Çmimin e kanë marrë skenaristët Nikolaj Arcel e Rasmus Heisterberg.

Në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të 62-të të Berlinales është ndarë edhe çmimi “Alfred Bauer Prize” që jepet në nderim të themeluesit të festivalit për filmat më inovativ që këtë vit i ka takuar filmit “Tabu” nën regji të Miguel Gomes, ndërsa çmimi special “Silver Bear” i ka takuar filmi francez “Sister” nën regji të Ursula Meierit.

Filmi më i mirë i shkurtër i këtij edicioni të Berlinales është shpallur ai me regji të Joao Salaviza “Rafa” që flet për një adoleshent që po e kalon një fazë të zorshme të jetës së tij. Në vlerësimin e jurisë thuhet se filmi ofron një pamje magjepsëse të një periudhe që portretizon një djalosh në prag të burrërisë.

Juria e kategorisë së filmave të shkurtër ka ndarë çmimin special “Silver Bear” filmit “The Great Rabbit” nën regji të Atsushi Wadas, teksa me mirënjohje speciale e ka nderuar regjisoren Guile Martins për filmin e saj “Licuri Surf”. E njëjta juri ka vendosur që filmi “Two ships” nën regji të Justine Trietit të nominohet për “European Film Awards 2012”.

Çmime u janë dhënë edhe filmave që u kushtohen gjeneratave të reja. Çmimi “Ariu i Kristaltë” për filmin më të mirë në këtë kategori i është dhënë filmit nën regji të Olivia Silverit “Arcadia”.

Filmi më i mirë debutues është shpallur “Kauwboy” që ka qenë pjesë e kategorisë “Generation Kplus”, teksa me mirënjohje speciale është nderuar filmi nën regji të Emin Alper, “Beyond the Hill”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here