Luis Fonsi, Daddy Yankee, Justin Bieber, DJ Khaled, Quavo, Lil Wayne e Bruno Mars janë duke kryesuar bindshëm në top-listat e Billboard Hot 100 që bazohen në numrin e shitjeve në kombinim me lëshimin e këngëve në radiostacionet amerikane.

“Despacito” është hiti i madh i këtij vit që vazhdon të dëgjohet kudo në botë. Kjo këngë është realizuar nga Luis Fonsi dhe Daddy Yankee, ndërsa më pas atyre iu bashkëngjit edhe Justin Bieber për versionin anglez të këtij hiti. “Despacito” numëron mbi 2.3 miliardë shikime në YouTube.

Kënga tjetër që kryeson Billboard Hot 100 është “I’m the One”, në të cilën këndon sërish Bieber me kolegët Quavo, Chance the Rapper dhe DJ Khaled. Kënga e publikuar në muajin prill numëron 420 milionë shikime në YouTube. Kjo është kënga e parë që nga “Not Afraid” e Eminem (2010) që ngjitet kaq lartë në Hot 100.

Në vendin e tretë është Bruno Mars me hitin “That’s What I Like”. Kjo këngë numëron afro 654 milionë shikime dhe ka qenë në vend të parë të Hot 100 për një kohë të gjatë, ndërsa kryesimin ia mori “Despacito”.

DJ Khaled pozicionohet edhe në vend të katërt të Hot 100 me këngën “Wild Thoughts” që e ka realizuar në bashkëpunim me Rihanna dhe Bryson Tiller. Kënga është lansuar në fillim të muajit qershor, ndërsa deri më tani është shikuar mbi 82.5 milionë herë në YouTube.

Këngëtari anglez, Ed Sheeran, mban vendin e pestë me superhitin “Shape of You”, i cili është i dyti më i dëgjuari në Spotify dhe një prej katër këngëve që kanë mbi një miliard dëgjime në shërbimin e popullarizuar muzikor. Në YouTube, “Shape of You” numëron 1.65 miliard shikime.

Pas Sheeran, në top-listën e Billboard ndodhet Kendrick Lamar me “Humble”, derisa kënga e shtatë më e popullarizuar është “Mask Off”, e reperit amerikan, Future.

Pasojnë “Congratulations” (Post Malone dhe Quavo), “Something Just Like This” (Chainsmokers dhe Coldplay) dhe “Stay” (Zedd dhe Alessia Cara).

Dhe natyrisht se suksesi i këtyre këngëve konvertohet edhe në përfitime të majme financiare për autorët e tyre, të cilët kanë fituar miliona euro. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here