VIP Shqiptar

Bota me ngjyra e Arbana Osmanit


Bota me ngjyra e Arbana OsmanitSi profesion ka pikturën, ndërsa bën diçka tjetër, moderatoren. Për Albana Osmanin, këto dy drejtime janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin për nga mënyra se si i shikon gjërat, si i mendon edhe percepton.

Të studiuarit e artit të pikturës e ka ndihmuar shumë Osmanin të jetë kjo që është: e qeshur, e palodhur dhe energjike.

Ka zgjedhur të jetojë vetëm në Shqipëri, edhe pse familja e saj jeton në Britaninë e Madhe.

Në fakt, nuk kam se si ta hedh pas krahëve këtë që kam shpenzuar këtu, shprehet ajo.

Dita e saj është e zakonshme, intensive dhe me ngjyra; nuk ka se si të jetë ndryshe për një piktore…

Kur e takon Albanën, nuk arrin ta kuptosh nëse po shikon televizor apo je aty me të. Është e njëjta. Kjo përbën edhe veçantinë e saj, të qenit vetvetja dhe spontane, pa shumë truke televizive, që në të shumtën e rasteve nuk i rezistojnë kohës.

Na tregon gjithçka për veten, për një ditë të sajën, për familjen, fëmijërinë. Albana ka pranuar të na rrëfehet pa “dorashka”, duke u bërë personazh i suplementit tonë këtë fundjavë.

Ç’farë ishit duke bërë para se të na takonit ne?
Isha në palestër, madje e lashë përgjysmë, se u kujtova që kisha lënë intervistën.
Si është një ditë e Albanës, zgjoheni herët, apo jeni tip që flini shumë?
Varet nga periudha kohore. Tani që kam filluar të angazhohem në radio, zgjohem më herët se kur nuk e kam pasur këtë preokupim. Në ditët e zakonshme, kur kam një program televiziv, se për momentin një kam, vetëm “Selektin”, nuk është se zgjohem aq herët, rreth orës nëntë.

Nata jote është e vonë, me dalje në orët e vona, apo në shtëpi?
Jo, jo. Jetën e natës nuk e frekuentoj fare, me duhet një sebep që unë të dal natën. Gjatë verës, fare. Nuk jam tip i klabit, rri në shtëpi, shoh televizor, ose lexoj.

Tani je një figurë e njohur e ekranit televiziv, e kishit menduar më parë se do të ecnit në këto hapa dhe do të ishe kjo që je tani?
Në mënyrë specifike jo, po çdo njeri, ndonjëherë, në brendësinë e tij ka ato ndjesitë se çfarë destinacioni pret.

Ose ndërton një vizion për të ardhmen e tij. Unë gjithmonë e kam ditur se do të isha përpara njerëzve, se në çfarë mënyrë nuk dija ta shpjegoja, por në brendësinë time arrija ta parashikoja. Sot e gjej veten para njerëzve dhe falë Zotit, para një ekrani për të cilin jam krenare.

E keni filluar karrierën tuaj televizive në “Top Channel”, në të cilin vazhdoni edhe sot, keni menduar ndonjëherë ta ndërroni?
Jo, asnjëherë. Këtë e them pa frikë. Në qoftë se unë nuk do punoja në “Top Channel”, nuk do punoja në Shqipëri, për televizionin flas. Ndihem mirë këtu ku jam. Kjo është një punë që më përmbush për momentin. Nuk gjej docka momentalisht që mund të them se do ta shkëmbeja me diçka.

Je vajzë që ke ëndërruar televizion, apo diçka tjetër, duke parë profilin për të cilin keni ndjekur edhe studimet e larta?
Unë nuk kisha menduar televizion. Ai nuk hynte si pjesë e një planit tim konkret. E thashë edhe më sipër, në shpirtin tim kisha parandjenjën e të qenit pranë njerëzve, se në çfarë forme, e them me sinqeritet nuk e parashikoja dot.

Unë si person nuk është se ëndërroja të isha pjesë e botës së spektaklit. Dëshiroja të isha pjesë e artit vizual, të kuptoja veten time ku isha e plotësuar. Kjo ishte një rastësi, një rastësi që unë u ndjeva e përmbushur çuditërisht, dhe vazhdoj të jem pjesë e saj me përkushtim dhe me pasion.

Pse zgjodhe pikturën?
Piktura më zgjodhi mua. Që e vogël, që kur kam filluar të mbaj mend, 2 apo 3 vjeçe, unë vetëm shkarravisja, pikturoja… unë kam studiuar pikturën e mirëfilltë. Kam studiuar të gjitha rrymat e artit, që nga abstraktja e deri te klasikja. Specializimi im është për grafik dizajn.

Në cilën nga këto rryma e gjen më shumë veten?
Varet nga emocioni, më shpesh te abstraktja dhe më rrallë tek pikturat reale.

Çfarë të frymëzon të marrësh penelin dhe të fillosh të pikturosh?
Një gjendje shpirtërore, e cila mund të jetë edhe një lumturi shumë e madhe, një dashuri, një ngjarje. Qoftë edhe një tërmet që bie. Jo domosdoshmërish duhet të jetë një gjendje e trishtuar, dramatike. Varet çfarë të ngacmon në ato momente.

Shtëpinë tuaj e keni të mbushur me piktura, i keni të gjitha tuajat?
Po, kam shumë. I kam të gjithë të miat, nuk mund të ketë në shtëpinë e një piktori, piktura të blera.

Si ka qenë fëmijëria e Albanës?
Unë kam qenë si dreqi (qesh).

Miqtë e fëmijërisë i takon?
Fatkeqësisht, nuk i kam takuar. Jam shkëputur që 13 vjeçe nga vendlindja ime Tropojë dhe nuk kam shkuar më. Shokët e mi të asaj moshe nuk e di pse nuk i kam takuar. E kujtoj fëmijërinë time dhe ka qenë shumë e bukur. Si në përrallë. Mbajë mend lojërat. Isha kryetarja e organizimit, mundësisht i bëja të gjitha vetë (qesh).

Familja juaj jeton në Britaninë e Madhe. E vetmja nga pjesëtarët shtëpisë jeni ju që jetoni në Shqipëri, pse kjo zgjedhje për të qenë larg familjes?
Unë kam ndërtuar diçka këtu. Dhe kur ke shpenzuar ca vite për veten tende, nuk mund ta braktisësh as për Londrën as për New York-un. Mbi të gjitha, mua më pëlqen Shqipëria, dua të jetoj këtu.

Ndodh që në televizion, shpeshherë bëhen gafa, çfarë ndodh me ty pas një gafe…?
Unë nuk e fus veten tek ata njerëz që bëjnë gafa. Edhe në qoftë se bëjë lapsuse, jemi njerëz dhe në transmetime të drejtpërdrejta, ndodhin. I ndodh kujtdo. Ndoshta në fillimet e mia e kisha pak problem, pasi të qenit para ekranit e kam marrë me shumë seriozitet, përgjegjësi dhe emocion. Ndërsa tani, të jem e sinqertë, jam familjarizuar me punën, me stafin. Ndoshta kjo është edhe e mirë edhe e keqe.

Çfarë do bëhet me profesionin tënd, ke mbaruar për pikturë dhe je moderatore në një ekran televiziv. Ku qëndron lidhja e tyre?
Kanë shumë lidhje bashkë, jashtëzakonisht shumë. Mënyra se si i shikon gjërat, se si mendon dhe koncepton gjithçka. Një piktor i shikon gjërat me ngjyra dhe e merr me optimizëm çdo gjë. Edhe unë kështu jam, jam tip sanguin, tip i gjallë (qesh).

Cila është gjëja e çmendur që ke bërë në ekran apo në jetën e përditshme?
Nuk e di nëse mund të quhen gjëra të çmendura ato që kam bërë. Kanë qenë brenda formateve televizive. S’e di, nuk kam bërë ende një gjë të çmendur. Kam qëndruar brenda kornizës që më përcakton mua si personalitet, pa tejkaluar masën.

Çfarë ha, je goxha në formë të mirë?
Ha gjithmonë shumë, po është metabolizmi, nuk ka të bëjë ushqimin në rastin tim, mendoj.

Tani edhe në radio!
Shumë shpejt do të keni mundësi ta dëgjoni… Është hera e parë që Albana Osmani do të provojë të jetë përpara mikrofonit të radios. Një projekt emisionesh që preferon ta mbajë ende surprizë, do ta sjellë moderatoren e “Top Channel”-it këtë herë edhe për dëgjuesit e “Top Albania Radio”-s. Ajo vetë është shumë e lumtur që do të jetë pranë dëgjuesve me këtë cikël emisionesh radiofonikë që pa dyshim do të jetë i suksesshëm si çdo gjë që ka marrë përsipër të bëjë Albana.

PYETËSORI I PRUSTIT

Tek një mashkull vlerësoj të qenit i vërtetë dhe vetvetja

Çfarë është lumturia absolute për ju?
Kur njeriu jep pa pritur asgjë për t’u kthyer mbrapsht, është i lumtur. Unë kështu e gjej lumturinë.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Kam njëmijë motive për t’u çuar në mëngjes, se duhet të shkoj në punë…

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Mbrëmë, me miqtë e mi. Po lexonim disa poezi në një libër dhe na vinte shumë për të qeshur.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Qesh. Ashtu si jam në jetën e përditshme jam edhe në ekran.

Defekti juaj kryesor?
Kam plot të meta…

Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Unë nuk preferoj të konfrontoj njerëzit me gabimet e tyre, preferoj që t’ua bëjë të ditur që e kanë gabim. Gjithmonë për të mirë.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Me pëlqen shumë Martin Luter King. Nuk është se e identifikoj veten, por e vlerësoj për revolucionin që bëri dhe për besimin që pati në popull.

Udhëtimi juaj i preferuar?
Dhjetë ditë në New York, jam kënaqur shumë.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Khaled Hosseini

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Të qenit i vërtetë dhe vetvetja.

Tek një grua?
Të vlerësonin veten.

Kompozitori juaj i preferuar?
U too.

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Këndoja disa këngë që i kam kënduar në kishën time kur kam shkuar vite më parë.

Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
Një libër i Paulo Coelhos.

Piktori juaj i dashur?
Kam preferuar disa piktorë në periudha të ndryshme. Nuk kam një emër për të thënë.

Ngjyra juaj e preferuar?
Të gjitha.

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Akoma s’e kam arritur.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Nuk pendohem kurrë për asgjë.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Injorancën.

Frika juaj më e madhe?
Frika është respekt. Unë për shumë gjëra kam respekt.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Mund të duket idiote, por nuk gënjej.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
Unë Zotit i flas gjithmonë, nuk më ka ngelur ndonjë gjë për t’i thënë në një ditë të caktuar.

Në çfarë gjendjeje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Në gjendje të qetë.

Komentoni këtë artikull

FAQE TE ZGJEDHURA

MARKETING

Copyright 2009 Thashetheme.