“Miss Kosova 2006” tashmë nuk quhet vetëm Besa Gashi. Ajo ka edhe një mbiemer të ri që është Krasniqi.

Këtë e mori në muajin gusht kur edhe u kurorëzua me djaloshin nga Prishtina, Albert Krasniqin, kurse dasma u bë muajin e kaluar. Gjatë intervistës për “Zërin” Besa Gashi – Krasniqi tregon për jetën e re martesore në familjen Krasniqi.

Ka kaluar më shumë se një muaj qëkur je martuar. Si është jeta juaj martesore?

Në fakt unë jam martuar që në muajin gusht të këtij viti, ndërsa ceremoninë e martesës e kemi bërë më 10 të muajt të kaluar. Jeta ime është shumë e mirë dhe e lumtur pranë bashkëshortit tim Albert Krasniqit dhe familjes së tij.

Ka ndryshuar diçka nga jeta beqare te kjo martesore?

Në disa gjëra njeriu duhet të ndryshojë vetvetiu, por në përgjithësi nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Një ndryshim është se ngrohtësinë e prindërve të mi, e kam gjetur të prindërit e Albertit, të cilët bëjnë gjithçka që është e mundur, që unë për asnjë çast mos ta ndjej mungesën e prindërve të mi.

Po të pëlqen mbiemri i ri, Krasniqi?

Është interesante se shumë shpejt jam ambientuar me çdo gjë, qoftë më familjen e Albertit, që ka një familje të mrekullueshme, qoftë me mbiemrin e ri. Pra gjithçka po rrjedh si është më së miri.

Çfarë nuse është Besa, tradicionale apo moderne?

Jam nuse mes tradicionales dhe modernes. Një gërshetim i mirë më të cilin po ndihem mirë unë dhe familja e bashkëshortit. Natyrisht se i bëj gjërat shtëpiake, të cilat i bën secila nuse, po ashtu përgatis kafe dhe gjëra tjera për mysafirë apo për anëtarët e familjes sonë.

A takohet Besa ende më shoqërinë e saj apo tash ka një shoqëri të re?

Jo, nuk kam ndryshuar asgjë. Hiq më larg se mbrëmë kam dal me shoqe dhe kemi ndenjur deri në orët e vona nëpër pub-et e Prishtinës. Pra, jam ajo Besa që kam qenë gjithmonë.

Mbetem pa të pyetur se keni qenë diku për ta kaluar muajin e mjaltit?

Ende nuk kemi shkuar. Kemi menduar që këtë ta bëjmë gjatë dimrit në ndonjë vend të bukur skijimi.

Zakonisht pas martesës, rrjedh pyetja se pritet ndonjë fëmijë nga ju?

Tash për tash nuk kemi asgjë, por atëherë kur e ka shkruar Zoti, ne do ta mirëpresim më shumë lumturi.

A mund ta shohim Besen prapë në sfilata dhe reklama të ndryshme apo kjo i takon të kaluarës?

Unë do të vazhdoj sërish të merrem me sfilata dhe reklama të ndryshme. Derisa ka firma të interesuara që unë të jam imazh i tyre, nuk kam nevojë të heq dorë. Edhe pse jam martuar, kjo nuk i ka penguar shumë firma që unë të reklamoj për ta. Në dhjetor do të jam pjesë e një sfilate të madhe që do të mbahet në Prishtinë, ndërsa jam në pritje për të firmosur një kontratë me një firmë për reklamë kurse edhe dy të tjera për një kalendar. Gazeta Zeri



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here