Është thjesht një divë. Rumunia Angela Gheorghiu është ndoshta ylli i fundit i muzikës lirike, e cila e meriton me plot gojën këtë përcaktim që ajo thotë për veten: “Përçoj një energji që e bën për vete tjetrin. Kur më sheh, edhe para se të nis të këndoj, publikut i rrëqethet mishi”.

E adhuruar në vendin e saj, Angela prej vitesh po dominon në skenën ndërkombëtare, duke qenë krenare për origjinën që ka: “Ata të mitë janë njerëz fantastikë dhe nuk toleroj njeri të flasë keq për ta. Nuk lejoj që rumunët t’i krahasojnë me romët, sepse nuk është e njëjta gjë. Shpesh harrohet sesa europianë kanë emigruar në SHBA apo në ndonjë vend tjetër për të gjetur punë, ashtu siç bëjnë rumunët që ndihmojnë familjet tuaja me punët që kryejnë”.

E famshme në botë si asnjë bashkëkombëse tjetër, ajo tregon se “mjafton prezenca ime për të sjellë emocion në sallë. Është pikërisht zëri ai që e bën këtë. Ka njerëz që thonë se janë shëruar nga sëmundjet teksa më kanë dëgjuar”. Gheorghiu bën mrekullira? Rroftë modestia. Ka ndodhur vërtet. Kjo është hyjnorja, që nuk konsiston në bërjen e kapriçiove. Mos u besoni disa legjendave të pavërteta për mua. Unë jam profesioniste e vërtetë”. E lindur në pjesën moldave të Rumanisë, në Ajud, në vitin 1965, Gheorghiu këtë kohë gjendet nëpër Europë për një koncert gala, ku do të interpretojë pjesë të zgjedhura të Moxartit dhe Verdit. Të habit besimi i jashtëzakonshëm që ka në vetvete. Asnjëherë e lëkundur apo e brishtë, por gjithmonë e vendosur. Sigurisht që ka shumë motive për t’u ndier e tillë. E cituar në faqet e një gazete prestigjioze angleze si “këngëtarja më e mirë operistike e kohëra tona”, Angela ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe tej mase të vlerësuar. E cilësojnë si “të pasionuar deri në ekstazë”, “jo materialiste dhe sensuale”, “një vajzë me zë të hekurt”, “sintezë mes Callas dhe Tebaldit”, madje “të parezistueshme për zërin që ka”. Me një bukuri që nuk ka të sharë, e veshur me një fustan të bardhë dhe taka të larta të zeza, kamerierit që i shërben kafen në hotelin ku u bë intervista i dridheshin këmbët. Djaloshi nuk mundet të heqë dot shikimin nga dekolteja shumë e hapur që Angela mban veshur.

Si e zbuluat pasionin për muzikën?

Ishte pikërisht zëri që ma tregoi rrugën e duhur. Kur këndoja në shkollë, gjithmonë dilja e para se kisha zërin më të fuqishëm dhe nuk isha kurrë e intonuar. Me motrën time, që fëmijë këndonim nëpër fshatra, për të fituar ndonjë gjë dhe publiku kënaqej shumë teksa më dëgjonte duke kënduar.

Pastaj keni studiuar në Akademinë e Muzikës në Bukuresht, në kohëra të vështira për Rumaninë?

Hyra aty në moshën 14-vjeçare dhe dola prej andej në ‘90-n. Ishte një shkollë kërkuese, shumë e mirë. Sistemi komunist ishte i tmerrshëm në shumë aspekte, por unë as në ëndërr nuk mund ta shihja një formim kaq cilësor dhe të mirë. Në moshën 17-vjeçare këndova për herë të parë me një orkestër dhe shumë shpejt në Bukuresht isha protagoniste në role shumë të rëndësishme për soprane: “La Rondine”, “Anna Bolena”, “Butterfly”, “Onegin”, madje edhe në “Carmen” dhe “Werhter” si mexosoprano. Që në moshë të re isha e gatshme për gjithçka dhe e gjitha kjo është e regjistruar dhe dokumentuar. Prezantimi i madh ndodhi në Londër, në vitin 1992, me “La Boheme”. Pas saj, debutimet në Nju Jork dhe Vjenë, pastaj në vitin 1994 “La Traviata”. Gjithçka ka ardhur duke u rritur në karrierën time artistike. Megjithatë, më është dashur shumë punë për të pasur sukses.

Çfarë kujtoni nga Rumania e Çausheskut?

Dyqanet e boshatisura; zgjimet në orën 2 të mëngjesit për të zënë radhën për 200 gramë sheqer…

Cili është raporti juaj me Ana Netrebko-n, një tjetër yll që vjen nga Lindja?

Vjen shpesh në spektaklet e mia. Më kanë thënë se dëshiron të më ngjajë. Zakonisht më dërgon edhe mesazhe. E njëjta gjë vlen edhe për këngëtare të tjera si Dessay apo Fleming.

Ju këndoni me Sting dhe Boçelin, po ashtu ishit e ftuar në “Michael Jackon Friends”. Me sa duket, nuk e keni të vështirë të përshtateni…

E përse duhet ta kem të vështirë? Sting kërkon të incizojë diçka me mua, ndërsa me Boçelin dua të bëj një program që nuk ka lidhje me operën.

Punohet ndryshe me kolegët e muzikës pop, në krahasim me ata të muzikës lirike?

Jo. Ka vetëm diferenca vokale dhe akustike, në kuptimin që për opera nuk përdoret mikrofoni. Për shembull, nëse ikin dritat, unë mund të vazhdoj, kurse “Rolling Stone” jo.

Keni thënë se popit i takon trupi, kurse operës shpirti. Çfarë do të thotë kjo?

Muzikën pop mund ta kërcej, kurse melodramën jo. Në muzikën e lehtë ka ritme të tilla sa nuk arrij të qëndroj ulur.

Ju jeni gruaja e tenorit Robert Lagna, me të cilin formoni çiftin më të famshëm të lirikës botërore. Më parë performonit gjithmonë bashkë, ndërsa tani…

Nuk jemi ndarë, vetëm se nuk mund të këndojmë gjithmonë të njëjtat opera. Kjo nuk i pëlqen as Robertos. Ai është me origjinë italo-franceze dhe është shumë xheloz. Pastaj nuk është e mundur të kemi të njëjtin repertor. Ai këndon tek “Aida” dhe “Trovatore”, që unë nuk i bëj. Duhen respektuar zgjedhjet e njëri-tjetrit. Ndonjëherë takohemi në shtëpinë tonë në Paris (kam edhe një në Bukuresht dhe një në Gjenevë), por gjithmonë e më rrallë. Puna na ndan, ky është fati ynë. Është e kotë të shtiremi se jemi njëlloj me të tjerët. Jeta e artistëve ndryshon shumë. Sa e bukur, aq edhe e vështirë është.

Martesa juaj u celebrua në Nju Jork nga Rudalf Xhuliani? Jeni takuar më?

Gjithmonë kur këndoj në Nju Jork. Është një adhurues i operës.

Shumë ju thërrasin “Drakula” e vogël. Jeni e keqe?

Të gjithë ata që kanë punuar me mua, e dinë se mjafton që dikush të më buzëqeshë për të qenë më se e sjellshme.

Flitet për krizë të muzikës lirike. Si mendoni ju, është një art akoma vital?

Për mua po. Kam angazhime deri në vitin 2015 në teatrot më të mëdhenj të botës. Akoma mendoni se ka krizë?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here