VIP Shqiptar

Alfred Kaçinari: “Dancing With The Stars”, një ngjarje e gëzuar

Profesor si po ndiheni në këtë eksperiencë krejt të re? Çfarë menduan kur ju bënë ftesën për të qenë në jurinë e “Dancing With The Stars”?

Mendova menjëherë që do jem në një ambient kolegësh, njerëzish të njohur dhe profesionistësh, i cili i ka konsoliduar rezultatet e tij dhe pritshmërinë e ndjekjes nga ana e publikut. Është padyshim një nga programet më të ndjekura në Shqipëri vitet e fundit. Kam një tërheqje vërtetë pozitive.

Nëse do iu kishin ftuar të kërcenit, do kishit pranuar?
Jo! Është një ndër gjërat që pothuajse nuk mund ta bëj fare.
Është hera e dytë që iu shohim në juri, kujtojmë këtu jurinë e “Etheve”… Duket sikur të gjithë iu kanë marrë pak frikë që atëherë. Do jeni po aq i rreptë?
Nuk besoj se ka qenë çështje rreptësie, më shumë se sa çështje e të qenurit tërësisht i drejtpërdrejtë në ato që kam thënë. Megjithatë, do të përpiqem të mos i zhgënjej pritshmëritë e publikut dhe konkurrentëve sa i përket kësaj pjese (qesh).
Ju identifikoheni me muzikën e ndërkohë iu duhet të gjykoni mbi kërcimin. Jeni gati të jepni vlerësime për koreografitë?
Besoj që as unë, as Iva nuk do fokusohemi tek detajet e koreografive sepse për këtë kemi super ekspertin që është qendra dhe ne jemi dy krahët. Ne më shumë do të diskutojmë për fenomenin estetik e artistik. Kuptohet që këto lloj komisionesh nuk janë ngushtësisht profesionale sepse nuk është se ne këtu po i hapim rrugën një talenti apo po ia mbyllim një talenti tjetër. Të gjithë konkurrentët janë profesionistë të afirmuar të fushës së tyre, janë njerëz që nuk presin të realizohen në këtë fushë. Pastaj spektakli është një garë, por edhe një lojë.
Ç’mendim keni për përzgjedhjen? Si iu duken personazhet?
Janë personazhe shumë të ndryshëm, por të gjithë të spikatur në fushën mbulojnë.
Keni inat ndonjërin?
Absolutisht jo! Unë shumicën e tyre i kam miq.
Atëherë do mbani ndonjërin me hatër…?
Do mbaj veten me hatër (qesh). Pastaj ne edhe po të duam vetëm 50% mund të mbajmë me hatër se pjesën tjetër e vendos publiku. Janë vërtetë të ndryshëm këta personazhe duke e filluar nga profesor Kapexhiu për të përfunduar tek Zhaku apo Adelina Tahiri.
Të gjithë janë personazhe që kanë arritur diçka të rëndësishme. Jam e bindur që secili prej tyre është studiuar mirë nga ana e autorëve përpara ftesës sepse secili prej tyre ka publikun e vet.
Familja juaj si e priti këtë eksperiencë tuajën krejtësisht të re?
Përgjithësisht familja ime këto ftesa i pret me kënaqësi. Janë mësuar që të më shohin herë pas here në pozita të tilla përpos atyre që unë bëj zakonisht. Kjo është një eksperiencë nga e cila pres që unë të marr shumë kënaqësi. Sigurisht që edhe kjo kërkon impenjimin e vet, por është përvojë pozitive. Do ta quaja një ngjarje të gëzuar!
Meqë jemi tek familja, mund të na thoni se si e vlerësoni ju si prind dhe profesionist rrugëtimin e Anës dhe Gjergjit në fushën e artit?
Vajza pjesën e parë, atë më kryesoren e ka kryer. Ka përfunduar Akademinë e Arteve në Tiranë. Gjithashtu, ka përfunduar dhe një master të perfeksionimit të lartë për piano në Romë. Tashmë punon në Akademinë e Arteve si pedagoge dhe ka marrë rrugën e saj. Djali është akoma në fillimet e tij duke qenë se është në vitin e parafundit të shkollës së mesme. Sa i përket pjesëmarrjes së tij në “The Voice”, unë kam qenë neutral as nuk e kam shtyrë e as nuk e kam penguar. Ka qenë tërësisht një dëshirë e tij dhe unë e kam lënë të ecte vetë deri aty ku eci. Kjo ishte një pjesë e eksperiencës që lidhet me fushën e artit, por sigurisht e ardhmja e Gjergjit nuk është tek këndimi. Ai është pianist. Ka prirje të mjaftueshme, ndoshta edhe pak më tepër se të mjaftueshme për të qenë një muzikant i mirë. Padyshim që të arrijë deri në këtë pikë duhet të bëjë një punë shumë të madhe.

Bluetooth

Komentoni këtë artikull

FAQE TE ZGJEDHURA

MARKETING

Copyright 2009 Thashetheme.